Lajme

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, bashkon në Prishtinë Avokatët e Popullit të tri shteteve

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” për fëmijët e vrarë dhe zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, i ka bashkuar tri institucionet e avokimit të të drejtave të njeriut, në bodrumin e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë.

Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, Avokati i Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca dhe Avokati i Popullit të Maqedonisë së Veriut, Naser Ziberi kanë vizituar ekspozitën e cila dokumenton pasojat e luftës në popullsinë më të ndjeshme, fëmijët, përmes gjësendeve që kanë lënë pas.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Naim Qelaj tha që i ka ftuar homologët e tij që ta vizitojnë këtë ekspozitë në mënyrë që përmes ndjeshmërisë, të shtyjnë bashkëpunimin ndërinstitucional.

“Hera e dytë por emocioni është i njëjti. Nëse nuk arrijmë ta dokumentojmë luftën do ta kemi shumë vështirë ta vendosim paqen dhe drejtësinë”, u shpreh Qelaj.

Ndërsa, Erinda Ballanca Avokate e Popullit, duke folur edhe si nënë dhe grua inkurajoi të gjitha institucionet që ta dokumentojnë sa më shumë historinë, sepse vetëm përmes dokumentimit arrijnë të ndalin përsëritjen e historisë.

Lexo më shumë  Bislimi: Serbia të mbahet përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë

“Më vjen shumë keq që përgjatë gjithë kësaj kohë, ende nuk jepet përgjegjësi për viktimat, për këto histori tronditëse” tha ajo.

Në njërin nga muret e bodrumit janë të shkruar emrat e 1024 fëmijëve të vrarë dhe 109 fëmijëve të zhdukur gjatë viteve 1998-2000. Emrat së bashku me dhjetëra veshmbathje, libra, lodra e rreth 500 fotografi janë pjesë e ekspozitës, e cila qëndron e hapur tash e dy vjet në Qendrën e Dokumentimit në Kosovë.

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Në pjesën qendrore të ekspozites gjendet “Dhoma e xhamit” në të cilën janë të vendosura disa nga sendet e fundit të mbetura nga 1,133 fëmijët e vrarë e të zhdukur gjatë luftës. Në pjesën e quajtur “Dhoma e errët”, gjendet audio rrëfimi i Gramoz Berishës, njëri nga të paktët fëmijë të mbijetuar nga masakra në picerinë “Kalabria” në qytetin e Suharekës.

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Naser Zyberi tha që duhet të punohet sa më shumë në dokumentimin e së kaluarës. Sipas tij sa më shumë që po kalon koha, faktorët ndërkombëtar po e barazojnë viktimën me agresorin.

Lexo më shumë  Policia bastis në dy lokacione në veri, gjenden armë

“U ndjeva shumë i pikëlluar se ma rikthej një histori që e kemi përjetuar së bashku. Po ndihem krenar që keni dokumentuar dhe memorizuar një segment të rëndësishëm të tragjedisë”, tha Zyberi me lot në sy.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj i inkurajoi institucionet shtetërore që të veprojnë për zbardhjen e dokumentimin e të vrarëve e të pagjeturve e mos ta lënë përgjegjësinë vetëm në duar të shoqërisë civile.

Ekspozita e realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe e hapur për vizitorë që nga muaji maj i vitit 2019. Në pamundësi që të dërgohet ekspozita në vende tjera, është krijuar edhe versioni online.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *