Editorial

Kosova, Projekti i Gazsjellësit/ Strategjia i paraprin projekteve, projektet në përputhje me strategjinë

Editorial nga Rruga Press

Opozita e Republikës së Kosovës sot kishte thirrur në seancën parlamentare Qeverinë e Kosovës për të diskutuar në lidhje me projektin e gazsjellësit të agjencisë amerikane MCC në Kosovë. Motivi u kuptua shumë shpejt dhe qartë. Edhe njëherë, imagjinata e kufizuar e opozitës pa vizion për vendin u mjaftua duke tentuar që qeverinë ta nxjerrë antiamerikane.


Kur opozita e ftoi opinionin publik të drejtojë sytë nga parlamenti që ta shpallnin edhe njëherë qeverinë antiamerikane, në fakt, qytetarët panë se si Kosova me ekzekutivin e saj i është futur epokës së shtetndërtimit real dhe pa se sa e zhytur në mentalitet desubjektivimi ngelet opozita.


Fjala e kryeministrit Kurti dhe ministres së ekonomisë Artane Rizvanolli nxorri në dukje se pikërisht në qasjen ndaj projekteve si ai i gazsjellësit Republika e Kosovës “po bën shtet” dhe jo “hajgare”.


Ministrja Rizvanolli u shpreh se pikërisht sot Qeveria e Kosovës ka finalizuar strategjinë kombëtare të energjisë për periudhën 2021-2031. Ajo foli për disa aspekte të rëndësishme në lidhje me këtë strategji:

  • Dekarbonizim deri në vitin 2050
  • Integrim rajonal i tregut të energjisë, në radhë të parë me Shqipërinë
  • Sigurim i çmimit të energjisë
  • Shkuarje drejt energjisë së pastër

Poashtu, ministrja u shpreh se përpilimi i kësaj strategjie kombëtare është e bazuar në të dhëna dhe studime.
Partitë e ish-pushtetit duke qenë pa program dhe pa mendësi shtetndërtuese kërkojnë që ta dëmtojnë qeverinë me atë togfjalëshin e stërpërdorur, të rremë dhe tashmë të bërë krejtësisht pa kripë, “antiamerikanizëm”. Në këtë rast, sipas opozitës, MCC-ja do të tërhiqte 200 milionat e saj që i kishte paraparë si investim.


Nga seanca parlamentare kuptuam se nëse projekti i gazsjellësit nuk do të realizohet, atëherë MCC do ta investojë kapitalin e saj po në Kosovë, në një projekt tjetër për zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.


Kuptuam se studimi i fizibilitetit nga ana e MCC, si dhe studimet e bëra vite më herët nga Qeveria e Kosovës nuk jepnin përgjigje thuajse për asgjë thelbësore. Ato sqaronin në detaje vetëm aspektin teknik të projektit.


Nuk dihej se sa do të kushtonte projekti, nuk dihej impakti i projektit në ekonominë e Kosovës, thuajse aspak të dhëna mbi impaktin që do të shkaktohet në ambjent, nuk dihej se sa do të kushtonte një megavat i prodhuar në këtë mënyrë duke përdorur gazin, nuk dihej se kush do të bënte kontraktimet e furnizimeve me gaz dhe ku do të bëhej ky furnizim. Poashtu, asnjë e dhënë në lidhje me atë se ku do të vazhdonte ky projekt mbas Kosovës.

Lexo më shumë  Miratohet Projektligji për bankat, Murati: Synohet rregullimi i aktivitetit bankar e financiar


Pra, sot patëm rastin të kuptojmë më së miri se Qeveria e Kosovës po i shtron ato pyetjet aq normale, aq të thjeshta të cilat tregojnë mbi mendësinë qeveritare shtetndërtuese:

  1. Cila është leverdia ekonomike e këtij projekti për vendin

Nuk do të ishte aspak e udhës që të ndërmerrej një projekt i cili do të sillte impakt të vogël ekonomik apo impakt negativ. Fjalën e fundit për këtë duhet ta jap MCC dhe studimet nga ana e qeverisë së Kosovës. Mbas daljes së të dhënave marrja e një vendimi bëhet më e lehtë dhe më e drejtë.

2. A ndikon gazi në lehtësimin e krizës erergjitike globale që do përfshijë edhe Kosovën

Sa i përket kësaj pyetjeje përgjigjja ndoshta mund të vijë pa i pritur studimet. Kjo sepse është jashtëzakonisht e palogjikshme të pretendosh se gazi që me rritjen e çmimit të tij solli krizën energjitike globale t’i jap zgjidhje krizës.
Pretendimi i partive opozitare se projekti i gazsjellësit do ndikojë në zgjidhjen e krizës energjitike ka edhe një tjetër të pavërtetë. Nëse projekti do të miratohej gazsjellësi do të përfundonte diku nga viti 2028, kurse kriza energjitike pritet të përfundojë aty nga muaji i tetë i vitit 2022.

3. A është ky projekt brenda prirjeve të përgjithshme të perëndimit

Sa i takon prirjeve, le të kutojmë se Qeveria e Kosovës mori përgëzime nga BE-ja për mosshkuarjen në drejtim të energjisë së papastër. Energjia e pastër është e ardhmja, atje po shkon BE-ja, aty po shkon edhe vetë SHBA-ja. Para pak ditësh dëgjuam zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë tek fliste pikërisht për këtë.

4. Ndikimi gjeopolitik i projektit në rajon dhe në Kosovë

Projekti i gazsjellësit nuk është thjesht dhe vetëm projekt energjitiko-ekonomik. Ka shumë rëndësi që këtë ta shohim edhe në kuadrin rajonal gjeopolitik. Meqë nuk kemi të dhëna të detajuara se si përfshihen shtetet e tjerë rajonal në këtë projekt gazsjellësi, nuk mund të bëjmë një gjykim se sa e leverdisshme apo e paleverdisshme do të ishte për Kosovën “futja në këtë valle”.


Le ta imagjinojmë një moment sikur i njëjti gazsjellës të lidhej edhe me Serbinë. Mes Kosovës dhe Serbisë do të vendosej “paqe me çdo kusht”, e tipit të Grenellit, me një trysni ndoshta edhe më të madhe nga shteti amerikan. Çdo “destabilizim” që mund të shkaktohej nga këmbëngulësia e Kosovës për tu konsideruar subjekt shtetëror dhe jo provincë nuk do të mirëpritej ndërkombëtarisht, sepse do të implikonte edhe çështjen e gazsjellësit.

Lexo më shumë  Policia e Kosovës gjen kamera ilegale në kufi me Serbinë, dyshohet se përdoreshin nga kontrabanduesit


Nëse opozita e Kosovës është realisht e interesuar që ta mbajë mirë me aleatët duhet të fillojë urgjentisht që shtetin e Kosovës ta shohë brenda një kontekti gjeopolitik ku dallimi mes pozitës së favorshme dhe të disfavorshme mund të definohet ndonjëherë edhe nga një gazsjellës.

5. Në fillim bëhet strategjia, pastaj projektet në përputhje me strategjinë

Mospasja e strategjisë jo thjesht në energjitikë, por në secilin sektor flet vetëm për faktin e të qenit objekt i manovrueshëm prej subjektesh të tjerë, në këtë rast, objekt i subjekteve të tjerë shtetëror, ku duke mos pasur projekt përfundon në projektet e të tjerëve (kujto idenë e shkëmbimit territorial në Kosovë dhe idenë e dhënies së 12 miljeve detare Greqisë në Shqipëri).


Kur nuk ke strategji, nuk ke as projekt, por ke vetëm servilizëm të mjaftueshëm që t’i nënshtrohesh çfardolloj projekti. Nëse ky projekt sjell përfitim ekonomik, politik, gjeopolitik, etj, këto janë pyetje që i takojnë vetëm atij apo atyre që kanë strategji. Dhe strategji ndërton vetëm ai subjekt partiak apo shtetëror që e ka në kokë kategorinë e shtetformimit.
Këtë po mundohej t’i sqaronte sot kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli, Ramushit dhe Abelardit të cilët projekt të vetëm autentik të tyrin kanë pasur dhe kanë hajninë.


Abelardi dhe Ramushi kanë bindjen se nëse si shtet shprehesh që një propozim nuk është më i përshtatshmi SHBA-ja të shpall “non-grata”, kurse Greqia nuk ta njeh pavarësinë. Është e vërtetë që shtetet ushtrojnë trysni përmes mekanizmash të caktuar për të arritur qëllime ekonomike, politike dhe gjeopolitike, por është poashtu e vërtetë që kjo u ndodh më së shumti atyre shteteve që ndërtohen rreth mentalitetit të skllavërimit, i cili në fund gjithmonë përfundon i fundit, pavarësisht se sa servil apo shërbëtor i mirë ka qenë.


Ish-pushtetarët jo-shtetformues po ndihen tepër të turbulluar. Po i habit fakti se si ka mundësi që pasi Qeveria e Kosovës ka shprehur mospëlqesë fillestare me projektin, MCC-ja është shprehur e gatshme për rishikim të projektit, për një projekt tjetër që është në përputhje me strategjinë kombëtare energjitike të Kosovës.


Këtë duhet ta kuptojnë shumë shpejt, sepse përndryshe, po as shpejt kanë për tu zhdukur nga jeta publike politike. Jemi në epokën e shtetformimit real. Kush nuk e mban hapin e kësaj faze do të mbetet pas, e ata që gjithnjë kanë qenë pas nuk do të munden më ta mbajnë Kosovën peng të hapit të tyre apolitik.

YouTube player

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *