KryesoreOpinion/Aktualitet

Spanja dhe Sllovakia pengesë të re për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ç’mendojnë “ndërmjetësit” Borrell dhe Lajčák

Pasditen e 16 nëntorit mbaroi afati që vendet e BE-së të paraqesin komentet e tyre lidhur me propozimin e Republikës Çeke për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Nga burime diplomatike në Bruksel mësohet se “të paktën dy shtete” kanë ndërprerë këtë procedurë dhe kanë penguar që propozimi të marrë dritën jeshile.

Sipas burimeve, Spanja ka qenë ajo që ka paraqitur kundërshtimin, ndërsa disa vende të tjera kanë kërkuar më shumë sqarime.

Propozimi i Republikës Çeke, shteti që aktualisht udhëheq Presidencën e BE-së, ishte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, siç kërkohet nga Franca, por në të njëjtën kohë data e ekzekutimit të vendimit duhet të caktohet “jo më vonë se data 1 dhjetor 2023”.

Burime diplomatike, megjithatë, thonë se situata e krijuar nuk do të thotë se propozimi çek nuk do të kalojë as në të ardhmen.

Tashmë pritet që Presidenca çeke, në takimet dypalëshe me vendet që kanë paraqitur kundërshtime të sqarojë disa çështje teknike.

Sipas burimeve, synohet gjithashtu që propozimi të kalojë në një nivel më të lartë, atë të ambasadorëve, para fundit të këtij viti.

Spanja, e cila do të marrë kryesimin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2023, sipas burimeve, do të preferonte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të shtyhet për një muaj, përkatësisht më 1 janar të vitit 2024. Arsyet për këtë nuk janë të qarta.

Diplomatët në BE-së, megjithatë, besojnë se Presidenca çeke gjatë dy javëve të ardhshme do të arrijë marrëveshjen e vendeve anëtare për miratimin e propozimit të saj.

Mësohet se edhe Sllovakia – e cila ashtu si Spanja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës – ka kërkuar “disa sqarime” për propozimin çek.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistemi ETIAS.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Zvogëlimi i barrës administrative është prioritet i Qeverisë

Ky sistem dixhital synon të regjistrojë vizitorët që hyjnë nga jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Shengen.

ETIAS duhej të fillonte funksionimin në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani afati përfundimtar është nëntor 2023.

Kërkesa e Francës erdhi përkundër faktit se Komisioni Evropian që në vitin 2018 e ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, e përbërë nga 26 shtete evropiane.

Vendet e tjera në rajon kanë fituar udhëtimin pa viza për më shumë se një dekadë.

Përveç Francës që njihet për qëndrimet e saj në drejtim të Kosovës, pengesa për liberalizimin e vizave për Kosovën nxjerr Spanja përmes kërkesës për shtyrje të datës së hyrjes në fuqi të liberalizimit, si dhe Sllovakia, e cila kërkon sqarime rreth propozimit çek. Të dy këta janë vendet nga ku vijnë dy përfaqësuesit e lartë të BE-së të angazhuar me dialogun Kosovë-Serbi, përkatësisht, Josep Borrell dhe Miroslav Lajčák.

Këto veprime të fundit, ashtu si mosnjohja e Kosovës nga këta dy vende, e komplikojnë dhe e vendosin në diskutim legjitimitetin e këtyre dy përfaqësuesve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Josip Borrell është anëtar pikërisht i Partisë Spanjolle Socialiste të Punëtorëve, partia që aktualisht është në pushtet, nën drejtimin e kryeministrit spanjoll, Pedro Sánchez. A mund të drejtojë Borrelli kërkesa të tipit të themelimit të Asociacionit kur vendi i tij, partia e tij dhe kryeministri i tij, jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por edhe më tej krijon pengesa absurde që dëmtojnë ecjen e Kosovës nëpër proceset e përfitimit të lëvizjes së lirë dhe integrimit në BE. Pa një qëndrim distancues nga ana e këtij të fundit, që tregon se ai nuk është në linjë me partinë nga ku ai vjen, gjithkush ka të drejtë të mendojë se përfaqësuesi i lartë i BE-së në ndërmjetësimin e dialogut përfaqëson më shumë qëndrimin e partisë nga ku vjen dhe vendit nga ku vjen…që do të thotë se Borrelli nuk është ndërmjetës në dialog, por mbështetës i palës serbe në dialog, duke qenë se qëndrimi spanjoll dhe ai serb deri më tani rezultojnë të përafërt.

Lexo më shumë  Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut

E njëjta gjë vlen edhe për përfaqësuesin tjetër të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. Si sllovak dhe si ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë që nuk njeh Kosovën dhe krijon edhe më tej pengesa për liberalizimin e vizave për Kosovën, nuk mund të ruajë pozicionin neutral që pretendon, pa u distancuar në një mënyrë a një tjetër, nga qëndrimet sllovake që në qasjen ndaj Kosovës përqafojnë linjën dhe interesin e shtetit serb.

E kur ky distancim nga të dy nuk ndodh, poashtu, gjithkush ka të drejtë të mendojë se presioni ndaj Kosovës për të themeluar Asociacion antikushtetues një-etnik nuk niset nga pozitat e ndërmjetësimit, por nga pozitat e mbajtjen së njërës anë, asaj të Beogradit.

Qëndrimi i fundit spanjoll dhe ai sllovak për të penguar liberalizimin e vizave për Kosovën e mjegullon edhe më shumë procesin e dialogut. Në këtë drejtim, dy përfaqësuesve e BE-së u ka ardhur radha që fjalorin e thatë “diplomatik” që kërkon maturi, kordinim, paqe, dialog dhe kompromis të dhimbshëm, ta drejtojnë nga shtetet e tyre dhe nga vetja e tyre. Kjo është mënyra se si diplomacia e BE-së shpëton nga të kthyerit e saj në mjet, në aksidencë, për të avancuar interesat partikulare të një apo disa shteteve.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *