Opinion/Aktualitet

Serbia e madhe, nepsi i madh i ekstremit të djathtë

Glorifikimi i krerëve të luftës së viteve ‘90, edhe pse të gjykuar e të dënuar, që synon t’i paraqesë si mbrojtës të Evropës krishtere përballë muslimanëve, po mobilizon rrjetet nacionaliste dhe identitare, veçanërisht në Francë.

nga Eva Moysan, e dërguar speciale në Beograd, botuar më 3 dhjetor 2021 në 20:45, përktheu nga origjinali Rruga Press

Fytyra e Ratko Mladiçit shtrihet në bardhë e zi mbi 2 metra lartësi dhe 4 gjerësi. Ky mural në nder të «kasapit të Ballkanit», i dënuar me burgim të përjetshëm për “gjenocid”, “krime kundër njerëzimit” dhe “krime lufte”, u shfaq më 23 korrik mbi një mur në një lagje tregtare të Beogradit. Kur Libération mbërriti aty, në fillim të nëntorit, ajo e gjeti të shkarravitur me grafit rozë. Një burrë, te të tridhjetat, tregon shenja respekti para ish-gjeneralit. Aktivistë antifashistë kanë parashikuar ta rrënojnë muralin disa ditë më vonë, më 9 nëntor. Do të pengohen: policia iua ndalon grumbullimin me pretekstin se nuk e garanton dot sigurinë e tyre. Ky preteskt shpie në një skenë absurde për një vend që kërkon aderimin në BE: policët mbrojnë muralin dhe arrestojnë dy aktivistë që kanë shtënë me vezë pikturën e kriminelit të luftës. Ministri i brendshëm, Aleksandar Vulin, shkon aty në mbrëmje, atëherë kur dy tubime, njëri antifashist dhe tjetri pro-Mlladiç, kanë mbuluar rrugët. Ai e cilëson tubimin e parë “të lig e me qëllim të keq”.

Ky episod dëshmon se sa i çlirët ndjehet ekstremi i djathtë serb dhe sa i mbështetur ëshët në radhët e qeverisë së presidentit Vuçiç. Por ky paraqitet si një lider i të djathtës korrekte kur negocion me BE-në. Betohet me dorë në zemër se nuk është më ai i kohës kur ishte ministër në një qeveri me partin e Milosheviçit dhe kur deklaronte se për çdo Serbe të vrarë, do të hiqte qafe 100 muslimanë. Brenda Serbisë, rrëfimi i Serbisë së Madhe – ku bashkohen tërë popujt serbë – prej ekstremit të djathtë mbështetet gjerësisht në glorifikimin e shefave të luftës në vitet ‘90, të përshkruar si mbrojtës të Evropës krishtere prej muslimanëve të Bosnje-Herzegovinës dhe Kosovës. Kjo e fundit, vend i vogël që e shpalli pavarësinë njëanshëm në 2008-n pa u njohur nga Beogradi, përbën çështjen e mobilizimit kryesor të nacionalistëve serbë. Për ta, Kosova është zemra e kombit që prej betejës së Fushë-Kosovës më 1389-n. Ndërsa Serbinë ata e shohin si viktimë të imperializmit amerikan që ia zhvati krahinën me bombardimet e 1999-s.

Frymëzim për terrorizmin

Jashtë Serbisë këtë parabolë e përdorin edhe terroristët e ekstremit të djathtë. Në vitin 2019, Brenton Tarrant dëgjonte këngë për lavdinë e Karaxhiçit, para se të vriste 51 vetë në dy xhamitë në Zelandë të Re. Kishte shënuar mbi armën e tij emrat e shefave serbë që ishin ngritur kundër Perandorisë Otomane në shekullin XIV. Edhe Anders Breivik, terrorist norvegjez që vrau 77 vetë në 2011-n, gjatë gjyqit të tij rrëfeu se e kishte gjetur “frymëzimin e tij në nacionalizmin serb”.

Në Francë, një re individësh, partish dhe grupimesh të ekstremit të djathtë kanë shumë interes për konceptin e Serbisë së madhe, i ngyruar nga nacionalizmi. Si fillim qe Jean-Marie Le Pen ai që e përqafoi këtë çështje gjatë luftrave të Jugosllavisë, kur një pjesë e mirë e partisë së tij mbështeste historikisht Kroatët katolikë. “Kur u shfaq çështja e Kosovës, serbët u panë si mbrojtësit krishterë të Evropës kundër shqiptarëve, shumica muslimanë. Në fund të të viteve ‘90, problemi i ekstremit të djathtë shkau nga judaizmi te islami, dhe pikërisht në atë çast nacionalizmi serb nisi të bëhej popullor”, analizon Jovo Bakic, sociolog në universitetin e Beogradit. Gjatë asaj dekade, Jean-Marie Le Pen shkon disa herë në Balkan me synimin të takojë Radovan Karaxhiçin apo edhe Vojislav Sheshelin, figurë e ekstremit të djathtë serb që me ligjërim ultra të dhunshëm “e kishte bërë pothuaj të pranueshëm Milosheviçin”, sipas Laurent Hassid, gjeograf në universitetin Sorbonne-Paris-Nord.

Lexo më shumë  I ndodhë sërish Aleksandar Vulinit, filmohet në Kuvendin e Serbisë duke “folur dhe grindur me veten”

Një tjetër trajektore tërheq vëmendjen. Ajo Arnaud Gouillon, pretendent i padukshëm për presidencialet e 2012-s që tërhiqet vetëm pak pas fushate. Quajeni këtej e tutje Arno Gujon, shkrimi fonetik i emrit të tij në serbisht dhe i përdorur prej tij në tërë rrjetet e tij shoqërorë. U bë nënshtetas serb në 2015-n për verpimin e tij humanitar me shoqatën Solidaritet Kosovë, të cilën e themeloi në 2004-n për t’i ardhur në ndihmë serbëve të enklavave së Kosovës, veçanërisht në Mitrovicë. Që prej nëntorit 2020 ai është drejtor i zyrës për bashkëpunim me diasporën dhe serbët e rajonit, një biçim drejtimi ministerial.

“Saint-Denis, Kosova e Francës”

Në qershor 2019, Figaro Magazine i kushton dhjetë faqe reportazh gjendjes së serbëve të Mitrovicës, të portretizuar si luftëtarë të guximshëm të rezistencës së krishterë përballë persekutimit të shqiptarëve, mafias myslimane dhe tutorëve. Në krye intervista me Arnaud Gouillon dhe një faqe e plotë publiciteti që thërret ndihma për shoqatën e tij. Në këtë periudhë, Marion Maréchal dhe Eric Zemmour nisin e flasin për Serbinë dhe Kosovën duke ngritur paralele me Hekzagonin francez. “Shiheni Seine-Saint-Denis, kjo është Kosova e Francës. Zëvendësohet popullsia. Në Kosovë kjo u mbyll me luftën për pavarësi” pohon në atë kohë editorialist i vjetër i ekstremit të djathtë. “Këta mendojnë se ekziston një plan i përbashkët i muslimanëve për të zëvendësuar popullsinë serbe që prej një shekulli”, shpjegon Loïc Trégourès, ligjërues në shkenca politike në Universitetin katolik të Parisit. Gjë që është zhvlerësuar nga të dhënat demografike të viteve ‘20, saktëson ai. Për më tepër, ekstremi i djathtë francez i përdor luftërat dhe tensionet etnikë për të treguar se në Ballkan nuk mund të jetosh me tjetrin nëse tjetri është i ndryshëm. “Sipas tyre, lufta civile nuk mund të shmanget, madje ajo ia vlen”, plotëson Loïc Trégourès.

Këto teza kanë një farë suksesi në Francë. Në sitin e vet, shoqata Solidarité Kosovo flet për “11 000 donatorë privat, prej të cilëve 95 % me adresë në France” dhe 30 vullnetarë francezës. Faqja e saj në Facebook ndiqet nga më shumë se 15.000 njerëz. Në rrjetin e saj shoqëror, grupe frengjishtfolës pro nacionalistëve serbë tërheqin deri mijëra të abonuar, si për shembull “Kosova serbe” që numëron deri 6 000 të tillë.

Arnaud Gouillon e ka lënë ca këtë rrëfim qëkurse ëshët vëndosur në Serbi. “Ai kërkon të ndërtojë një jetë të re këtu, të organizuar rreth veprimit të tij humanitar”, shpjegon Jovo Bakic. Gouillon gëzon popullaritet të lartë në Serbi. “Njerëzit e vlerësojnë çdo perëndimor që thotë se Kosova është serbe”, shpjegon Irena Ristic, doktore pranë Institutit të shkencave shoqërore të Beogradit. Askush nuk do t’ia dijë për të shkuarën e tij në ekstremin e djathtë francez. Kur qëlloi që një gazetar e pyeti në lidhje me këtë, Gouillon pohoi se Génération Identitaire nuk ishte as e së djathtës e as e së majtës. Edhe pse ishin disa ata që folën për pasaktësinë e këtij deklarimi, ai kurrë nuk është parë i lidhur me ekstremin e djathtë. Militantë progresistë të pyetur për Gouillon, thonë madje se kanë një mendim të mirë lidhur me të, për punën e tij humanitare. Marija Ignjatijevic, kërkuese në think tankun e Belgrade Centre for Security Policy, thotë se: “Shumë lëvizje të ekstremit të djathtë në Serbi fshihen pas qëllimeve humanitare ose mbrojtjes së mjedisit.”

“Vlerat dhe mënyrat e jetës evropiane”

Lexo më shumë  Kurti: BE-ja t’i heqë masat, Kosova e gatshme t’i hapë negociatat drejtë anëtarësimit

Disa lidhje mes shoqatës së tij dhe kolektivit të tij të vjetër francez duken se janë ruajtur edhe pas largimit të Gouillon për në Serbi. Një reportazh i C8 në 2017-n, i titulluar Franca e fshehtë e Frontit nacional, e dëshmoi një gjë të tillë. Aty tregohej për lidhjet e le Bloc identitaire dhe shoqatës së të rinjve të FN. Dokumentari tregonte se një prej shenjave që nxirrnin në pah identitarët ishte byzylyku tradicional ortodoks («brojanica») i shitur nga shoqata Solidarité Kosovo për financimin e veprimtarisë së saj. As zyra e shoqatës e as ajo e Bashkëpunimit me diasporën serbe nuk iu përgjigjën thirrjeve tona për intervistë.

Edhe në partinë Grumbullimi nacional (Rassemblement national, RN), vihet re po ashtu një ndjesi serbe, e dukshme veçanërisht në Parlamentin evropian. Shumë deputetë. Për këtë arsye, zënë vend në delegacionin ndërparlamentar me Serbinë ose Kosovën duke marrë fjalën rregullisht në sallë kur thirren aty këta dy vende.

Monumenti i mirënjohjes për Francën, në Beograd, është pikë e detyruar kalimi për çdo eurodeputet të ekstremit të djathtë ku shkon në Serbi. (Mitar Simikić)

Eurodeputetët e RN kanë shkuar disa herë në Serbi dhe në entitetin serb të Bosnjës, këto vitet e fundit. Në Beograd, monumenti mirënjohjes për Francën është kalim i detyruar. Statujë e imponuar me katër metra lartësi që tregon një grua në bronx mbi një podium mermeri të bardhë, simbolizon miqësinë dhe solidaritetin franko-serb në Luftën e Parë Botërore. Deputetët e RN ngulmojnë në këtë kujtesë të përbashkët: “Serbia është vendi më interesant i Ballkanit për shkak të një afërsie historike dhe kulturore dhe një lidhjeje të fortë me Francën, shkruan Julie Lechanteux, deputete evropiane RN, për Libération. Populli serb është i vetmi, mes kandidatëve të mundshëm për aderim që ndan vlerat dhe mënyrat tona të jetesës.”

Zgjimi i provokimeve nacionaliste

Stanislav Sretenoviç, drejtor për kërkimet në Instituton kombëatar të Historisë bashkëkohore të Beogradit, përpiqet ta nuancojë këtë interes të ekstremit të djathtë për Serbinë. “Është normale që partitë e ekstremeve, në Francë, të interesohen për çështje të hapura ndërkombëtare si Kosova-dhe-Metohia dhe Serbia. Por nuk është kjo lënda e relacionit franko-serb, sepse këto parti nuk janë në pushtet”, gjykon historiani që e vendos partinë e presidentit Vuçiç në qendrën e djathtë.

Eurodeputetja e gjelbër gjermane Viola von Cramon-Taubadel, raportuese për Kosovën, nuk bën të njëjtën analizë. Sipas saj, fjalimet e përsëritura të deputetëve të grupit të ekstremit të djathtë nuk kanë ndikim në politikën e Parlamentit evropian. Përkundrazi, ajo nënvizon se këta fjalime “e helmojnë debatin francez”. “Macroni nuk ka dashur kurrë t’i kundërvihet haptas, çka shpjegon pjesërisht se përse ai refuzon liberalizimin e vizave për kosovarët”, pohon von Cramon. Komisioni evropian konstatoi në 2018-n se vendi i kishte përmbushur tërë kriteret për të përfituar liberalizmin, porse Këshilli Evropian kundërshton për shkak të rezervave të disa shteteve, mes të cilëve Franca.

Shumë vëzhgues të ekstremit të djathtë, si Marija Ignjatijeviç dhe Jovo Bakiç, i thërrasin vigjilencës kundër provokimeve nacionaliste serbe në rajon. Kërcënimet me ndarje të Bosnjës nga Dodiku janë shembulli i qartë. Të dy vëzhguesit shqetësohen kur vënë re se një rrejt i mbështetjes evropiane po i vjen në ndihmë provokimeve pa e shqetësuar megjithatë Brukselin.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *