KryesoreOpinion/Aktualitet

MEDIA NË KOSOVË DUHET TË MËSOHET ME PAVARËSINË NGA PUSHTETI!

Shkruan Donik Sallova

Në Kosovë kurrë nuk ka pasur liri të medias më shumë se këto 2 vitet e fundit. Përballë një pushteti të konsoliduar mazhoritar media ka qenë e lirë të bëj çdo kritikë dhe të ngrisë çdo pretendim. Aq e madhe ka qenë pavarësia e medias nga pushteti sa që pikërisht ky fakt u bë shqetësimi kryesor i medias. Ata nuk ishin mësuar me pavarësi kaq të madhe, veçanërisht financiare nga pushteti. Mungesën e financimeve prej qindra e mijëra eurosh për reklama të kota të konkurseve e shpalljeve nëpër portale, për të cilat prandaj ekzistojnë web-faqet e institucioneve, media e interpretoi si cënim të interesave të saj. Por, ky ishte vetëm cënim i interesave të pronarëve të mediave të lidhur me qeveritë e mëhershme dhe aspak cënim i lirisë së medias. Media nuk po arrinë të mësohet me pushtetin e ri i cili nuk e ka praktikën e pushteteve të kaluara të cilët i përdornin raportet korruptive me biznesmenë të tenderëve për t’u bërë qoka mediave për shërbimin që këto ua kryenin në mbulimin e keqqeverisjeve, korrupsionit dhe kompromiseve në raport me Serbinë.

Media e lirë si një shtyllë shumë e rëndësishme e demokracisë, në rastin e Kosovës do duhej të kishte rol të dyfishtë, edhe në ndërtimin e shtetit edhe në forcimin e demokracisë, duke i mbajtur nën vëzhgim për interes të publikut e të kombit politikanë e pushtetarë. Me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk gjen në Kosovës media që të ketë pasur politikë editorale që të kritikonte kompromiset e dhimbshme e të kushtueshme në aspektin historik që politikanët e atëhershëm i bënë në Vienë gjatë negociatave me Ahtisaarin. Përkundrazi, media dhe shumë prej figurave mediatike që sot e “vajtojnë pavarësinë financiare” nga pushteti, atëbotë ishin makineria e propagandës për ta bindur opinionin publik se deshqiptarizimi politik i Kosovës ishte kushti që duhej ta pranonim që të na njihej e drejta për pavarësi. Dhe kushti tjetër ishte ardhja e Thaçit në pushtet. Nuk gjen gazetar në Kosovë që në atë kohë ta për-ndiqte Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Edita Tahirin me mikrofon në dorë siç po bëjnë disa tik-tok gazetar sot, e t’i kërkonin llogari se si edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës, ata pranuan ta përfshinin Serbinë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes kompromiseve të dialogut të Brukselit prej vitit 2011. Jo, gazetaria jonë e ka bërë të kundërtën, u ka shërbyer këtyre politikanëve të cilët e shkelën rëndë pavarësinë e shpallur, duke tradhëtuar kështu interesin e publikut për të cilin i justifikohet liria e quajtur “liri e shtypit”.

Lexo më shumë  Bislimi: Ne duhet të jemi gati për luftë

Media që nuk e mbronë interesin e publikut nuk i shërben as lirisë e as demokracisë. Cila media në Kosovë i ka kërkuar llogari ndonjë politikani për pasurinë marramendëse edhe pse prej pas luftës kanë jetuar vetëm me rrogën e pushtetit? Po, media pas vitit 2021 filloi t’i shtronte pyetje Albin Kurtit për shumën qirasë së shtëpisë ku banonte, por kurrë nuk shkoi në Marigona Residence për t’i pyetur ca politikanë të tjerë se si i blenë vilat milionshe në lagjen më të pasur të Prishtinës. Hetimi i korrupsionit është detyrë e pushtetit gjyqësor, por media duhet të jetë edhe përballë pushtetit gjyqësor si ndaj çdo pushteti tjetër shtetëror që nuk e kryen detyrën. Cila media në Kosovë është marrë me nepotizmin në administratën shtetërore e në diplomaci, ku drejtuesit e çdo pozite drejtuese dhe jo vetëm lidhet patjetër me mbiemrat e politikanëve të traditës kleptokratike 20 vjeçare. Gazetaria kur flet për emigrimin duhet të flas para së gjithash për diskriminimin e mijërave të rinjëve të shkëlqyer me diploma që për 20 vite nuk ju dha shansi që u takonte, sepse ndër të tjera, ambasadat tona u shndërruan në qendra për mësimin e gjuhëve të huaja.

Kosova do të ishte shumë më e pavarur, më e zhvilluar dhe më e fortë sikur gazetaria në Kosovë t’u kishte qëndruar besnik idealeve për ta mbrojtur interesin e publikut përballë pushteteve. Rrotacioni politik në Kosovë nuk është aspak meritë e medias tradicionale, siç po pretendojnë disa sot, por më shumë e zhvillimit të medias sociale dhe thyerjes së monopolit në informim. Njerëzit në Kosovë u çliruan vet nga pushtetet kleptokratike 20 vjeçare.

Ajo që po ndodh sot, si një mobilizim i medias për lirinë e fjalës, nuk është asgjë tjetër vetëm intensifikim i luftës me të gjitha mjetet e të gjitha segmenteve të ish regjimeve kundrejt një pushteti që nuk po shohim të bëj kompromis as me biznesmenët e mediave e as me biznesmenët e tenderëve. Madje, për turpin e gazetarisë kosovare që do ju mbetet si njollë në historinë e tradhëtisë ndaj idealeve të profesionit, shumica e mediave u rreshtuan në fushatë për ta mbrojtur shtetësinë serbe të Devollit. Sepse kjo lloj media është mësuar të rreshtohet pas atyre që i financon pronarët, ndërsa gazetarët përfaqësojnë paditurinë dhe paidealitetin e shkollës së politizuar të gazetarisë së universitetit të kapur publik.

Por, media kosovare duhet të fillojë të mësohet me barrën e rëndë të pavarësisë nga pushteti dhe në veprimtarinë e saj të ushqehet vetëm me idealin e profesionit të gazetarisë, t’i shërbejë interesit të publikut dhe demokracisë. Për ata që median e konsiderojnë para së gjithash biznes dhe instrument pasurimi, pavarësia nga pushteti mund të jetë fatale. Kur kjo ndodhë ngaqë pushteti demokratik refuzon të përdorë median për qëllime politike, atëherë kjo pa dyshim i shërben forcimit të demokracisë. Media jonë duhet të mësohet me pavarësinë nga qeveria dhe me varësinë ndaj interesit publik.

Rruga Press

YouTube player