Art & Kulturë

“DokuFesti” në kapitullin e 22-të për nëntë ditët e magjisë filmike

Testimi i kinemave është një ritual tashmë, por kjo është shenja e “DokuFestit” për hapjen e një tjetër kapitulli. I 22-ti, paralajmërohet si edicion i paharrueshëm, në qendër ka Inteligjencën Artificiale, por në esencë i dedikohet njeriut. Stafi është në vlugun e punës, flamujt e Festivalit valojnë gjithandej, e armata e vullnetarëve e ka pushtuar Prizrenin. Çdo gjë është gati dhe projektori do të ndizet me filmin ikonik të Kubrickut 

Kur numërohen orët deri në hapjen solemne, përgatitjet për fillimin e edicionit të 22-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren kanë hyrë në fazën përfundimtare. Si stafi ashtu edhe vullnetarët e angazhuar janë familjarizuar me detyrat e tyre dhe nga e enjtja janë në gatishmëri të plotë për të pritur fluksin e mysafirëve dhe vizitorëve në festën e filmit, ku nuk do të mungojnë as netët e muzikës, por edhe aktivitetet e tjera përcjellëse.

Drejtoresha ekzekutive në “DokuFest”, Linda Llulla, ka bërë të ditur se në këtë edicion nuk do të ketë befasi të mëdha.

“Por si gjithmonë programi i filmave është tepër i mirë dhe cilësor. Në këtë edicion do të kemi shumë premiera botërore të filmave”, ka thënë ajo.

Temat aktuale në fokus

Paraprakisht një gjë e tillë ishte konfirmuar edhe nga drejtori artistik i Festivalit, Veton Nurkollari, i cili me rastin e shpalosjes së programit të filmave ka shprehur qëndrimin se këto krijime “me siguri do të prekin, mahnitin dhe në disa raste edhe do të shokojnë audiencën me vrazhdësinë dhe drejtpërdrejtësinë e tyre. “Do të thosha një dëshmi e pastër e fuqisë së filmit dokumentar në radhë të parë”, kishte paralajmëruar ai.

Llulla ka shtuar se nuk do të mungojnë as debatet për çështjet që preokupojnë sot njerëzimin.

“Kemi diskutime në panel, që i prekin temat aktuale, si të drejtat e njeriut, por edhe që ndërlidhen me temën e këtij edicioni, përkatësisht Inteligjencën Artificiale”, ka deklaruar ajo. Sipas saj, ekipi i organizatorëve është përkujdesur edhe për një program të pasur me muzikë.

“Performancat muzikore fillojnë prej natës së parë deri në natën e fundit të festivalit, pra ‘DokuNights’ në ‘Andrra’, derisa do të kemi edhe nga një performancë në Kala dhe një në Lumbardh”, është shprehur Llulla. Drejtoresha ekzekutive ka sqaruar se si zakonisht do të ketë aktivitete edhe për të vegjlit.

“’DokuKids’ do të mbahet në ITP. Transporti për fëmijët do të organizohet me autobusin e Komunës. Aty do të shfaqen filma prej orës 10:00, do të ketë joga por edhe punëtori për animacione”, ka bërë të ditur Llulla.

Rreth 350 mysafirë, mbi 20 gazetarë mediash botërore

Në prag të fillimit të sivjetmë të festivalit, organizatorët kanë vërejtur edhe interesim të madh të filmbërësve për pjesëmarrje, por edhe të partnerëve nga festivalet e tjera, duke rikthyer kështu dinamikën e viteve të para pandemisë në qendrën e Prizrenit.

“Interesimi i filmbërësve është shumë i madh. Në listën tonë të të ftuarve janë diku 350 mysafirë, por ka edhe vizitorë të tjerë që tashmë janë bërë të rregullt nga industria e filmit, përfshirë përfaqësuesit e festivaleve të ndryshme në botë. Të pranishëm do të jenë edhe filmbërësit shqiptarë që jetojnë në diasporë, por edhe ata nga rajoni. Në përgjithësi presim një fluks të madh të njerëzve, si për filma ashtu edhe për programin muzikor të festivalit”, ka thënë Llulla, duke shtuar se sivjet do të jenë të pranishëm edhe mysafirë të festivaleve në kuadër të “Doc Alliance” dhe të tjerë.

Ndërkohë deri të enjten në Zyrën për Media janë akredituar dhjetëra gazetarë.

“Deri sot janë akredituar 75 gazetarë, ku 23 prej tyre janë të huaj nga vendet perëndimore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media. Në mesin e tyre ka përfaqësues të revistave të njohura botërore dedikuar botës së filmit.

Armata e 130 vullnetarëve

Ky edicion, sipas organizatorëve, pritet të jetë i paharrueshëm si për mysafirët ashtu për të rinjtë vullnetarë që do të shijojnë përvoja të reja kulturore gjatë nëntë ditëve të Festivalit.

“Vullnetarët vetëm se kanë dalë në qytet, duke e zbukuruar atë”, ka thënë Llulla. Sipas saj, ka nisur edhe testimi i kinemave nga ekipi i logjistikës.

“Edhe logjistika është gati, po testohen kinematë. Prej nesër mbrëma fillon shfaqja e filmave në kinematë e hapura, derisa prej të shtunës në mëngjes nis shfaqja e filmave edhe në kinematë e mbyllura”, ka thënë Llulla.

Koordinatori për vullnetarët në “DokuFest”, Veron Tara, ka treguar se sivjet janë pranuar 130 vullnetarë, të cilët janë shpërndarë në të gjitha departamentet.

“Numri më i madh i tyre është në kinematë. Shumica janë nga Kosova, por ka edhe nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Turqia, Shqipëria, Gjermania, etj. Fakti inkurajues është se shumica janë nën moshën 18-vjeçare, gjë që është një tregues i mirë, meqë të rinjtë po e kuptojnë se vullnetarizmi është përvojë e mirë e punës që ofron edhe kënaqësi”, ka thënë Tara.

Ndezja e projektorit me Kubrickun

“DokuFesti” në përputhje me temën kryesore të festivalit “I AM AI AM I” ose “UNË JAM IA A JAM” në shqip, e cila synon të eksplorojë dhe të sjellë në diskutim mbi fenomenin e Inteligjencës Artificiale dhe lidhjes së saj me njerëzimin, ka vendosur ta dedikojë një pjesë të programimit të tij për zhanrin e filmit fantastiko-shkencor. Të dy filmat hapës dhe mbyllës do të jenë homazh për vetë zhanrin, si dhe për interpretimin e Inteligjencës Artificiale në vetë historinë e kinemasë. Filmi ikonik “2001: A Space Odyssey” nga regjisori legjendar Stanley Kubrick do ta hapë Festivalin. Do të mbyllet me filmin po aq ikonik fantastiko-shkencor, “Blade Runner: Final Cut” nga Ridley Scott më 12 gusht.

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” është ngjarja më e madhe e filmit në Kosovë. Çdo vit festivali mbush kinematë dhe vendet e improvizuara të shfaqjes në qendrën historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filmash nga e gjithë bota.

Në vitin 2002, “DokuFest” u themelua me vizionin për rigjallërimin e kinemasë dhe pasurimin e peizazhit kulturor të Prizrenit. Me kalimin e viteve ai ka evoluar në festivalin kryesor të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropën Juglindore.

Festivali përfshin nëntë ditë emocionuese të mbushura me ngjarje magjepsëse, ku në plan të parë është filmi, por duke përfshirë edhe ekspozita fotografike dokumentare, debate tërheqëse, master klasa informative dhe performanca të gjalla muzikore. “DokuFest” ofron një përvojë të larmishme dhe gjithëpërfshirëse, duke festuar artin e filmbërjes, duke nxitur dialogun dhe vlerësimin për artet kinematografike në rajon.

YouTube player