Opinion/Aktualitet

Fasada e shëmtuar e një pushteti pa kufij

Nga Enton Abilekaj

Janë qindra mendime dhe argumente që përplasen me njëi-tjetrin për të kuptuar arsyen e një rezultati si ky.

Edhe ndjenjat e zhgënjimit, zemërimit, trishtimit, lodhjes dhe dorëzimit zihen tek ata që prisnin një shenjë që Shqipëria nuk do të dorëzohej, pavarësisht nga gjeneralët në pension që e udhëhiqnin rezistencën. Rezultatet vazhdojnë të godasin çdo përpëlitje për të shpëtuar diçka sado të vogël nga pushteti personal i një njeriu që hyri në politikë si libertin për ta bërë lirinë e tij hije të zezë mbi liritë e të gjithëve.

Argumenti i parë është që kjo ishte një masakër elektorale e paralajmëruar. Është e lodhshme të numërohen dhjetra mjetet që u përdorën për shkatërrimin e procesit, për përçarjen e opozitës dhe heqjen e mjeteve për të mbrojtur votën, për shantazhimin e qytetarëve dhe intimidimin e votuesve, për blerjen masive dhe shndërrimin e zgjedhjeve në pazar.

Ashtu si u përgatitën, këto zgjedhje nuk mund të sillnin një rezultat fitues për opozitën. Ato vetëm do tregonin sa të shqetësuar janë njerëzit nga pushteti personal i Edi Ramës dhe ngushtimi i hapësirave të lirisë për politikë, biznes, arsim, shëndetësi dhe gjithçka kanë nevojë, sa të shqetësuar janë nga korrupsioni galopant që rrëmben çdo vit 1 të katërtën e buxhetit sipas KLSH, pa përfshirë këtu pronat publike dhe private në qytetet e mëdha dhe bregdet, sa besonin ata se vota për opozitën do ta ndryshojë këtë realitet.

Mund të thuhej sot se qytetarët nuk janë të shqetësuar nga pushteti personal i Edi Ramës dhe ngushtimi i lirive të tyre, mund të thuhej se janë të kënaqur që kufizimi i lirisë u jep më shumë mirëqënie, se nuk janë të shqetësuar nga korrupsioni galopant që hedh valle mbi kokat e prokurorëve të SPAK, se nuk duan t’ja dinë për pronat dhe shtëpitë që u grabiten, nëse shifrat e rezultateve do të ishin të besueshme, nëse do të lejoheshin të dilnin nga shtëpitë, nëse nuk do të shantazhoheshin direkt nga Kryeministri dhe pastaj nga gjithë rrjeti politiko-ekonomiko-kriminal që e mbështeti edhe këto zgjedhje.

Mund të thuhej sot se njerëzit nuk e besojnë opozitën, por për këtë do të duhej më parë, që opozita të ishte e barabartë në këto zgjedhje, të kishte vulën dhe logon e saj, të mos detyrohej të fshihej në një koalicion ku edhe kryetarin e caktoi Kryeministri, të kishte mjetet e mbrojtjes dhe numërimit të votës.

Megjithëse procesi i deformuar nuk e lejoi mesazhin e votuesve të vinte si verdikt i lirë, nuk mund të thuhet, por as mund të përjashtohet. Rezultati i thellë, ngre shumë pikëpyetje mbi dy gjeneralët në pension, që e justifikuan rikthimin me premtimin e ringritjes së opozitës.

Ata nuk mundën dot ta luftonin mekanizmin fitues të Edi Ramës, u futën me dijeni të plotë në procesin zgjedhor që ai e ka personalizuar si themelin mbi të cilin po ngre kullën e pushtetit personal, që është duke u lartësuar çdo ditë.

Ata nuk mundën t’i nxirrnin njerëzit për të votuar, duke sfiduar presionet dhe shantazhet, nuk mundën t’i bindin votuesit vulnerabël që të mos e shesin votën se do të përfitojnë shumë më tepër nëse pushteti lokal ndryshon, nuk mundën të motivonin të rinjtë të dalin nga shtëpia për të mos ikur nga Shqipëria dhe as të ikurit që të kthehen për një ditë me shpresën që do të kthehen përgjithmonë.

Përmasat e katastrofës e kanë bërë emrigrimin kryefjalën e ditës dhe Lulzim Bashën humbësin më krenar të opozitës. Duhet të thuhet sot që Berisha dhe Meta nuk mundën të bashkonin aktorët dhe faktorët opozitarë, politikë dhe civilë, nuk mundën të bashkonin as opozitën vetë, nuk mundën të bashkonin shqiptarët në një betejë kundër së keqes dhe më rezistencën e dobët, arritën vetëm të shndërrohen në një fazsadë demokratike për regjimin që po instalohet me shpejtësi dhe po thellon diferencën e votave në çdo proces zgjedhor.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *