BotaKryesore

“BE-ja ose ndryshon, ose vdes“

Ish-kryeministri italian, Matteo Renzi, kandidon në zgjedhjet europiane për listën e Shteteve të Bashkuara të Evropës. Ish-kryeministri i Italisë në vitit 2014-2016 dhe senator i Firences që prej 2018-s, u shkëput nga Partia Demokratike dy vjet pasi la postin e kryeministrit për të formuar partinë e tij, Italia Viva. Në një intervistë për Avvenire, ai ndan pikëpamjet e tij për reformimin institucional të Europës dhe pozicionin e kontinentit të vjetër në një botë me konflikte të riaktivizuara.

Përtej projektit që lidhet natyrshëm me vetë emrin, çfarë pikash të forta ka programi i Shteteve të Bashkuara të Evropës?

Mateo Renzi: Para së gjithash, ne që zgjidhemi do të shkojmë realisht në Evropë. Meloni, Tajani, Schlein e të tjerë kandidojnë duke e ditur tashmë se nuk do të shkojnë në Strasburg. Një mashtrim i vërtetë ndaj votuesve. Ne duam të shohim një Evropë më të fortë në botë: për këtë arsye nevojiten reforma të forta institucionale, nga zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit të Komisionit deri te heqja e të drejtës së vetos. Unë do të sjell angazhimin tim personal në botën sociale, duke vazhduar punën e bërë nga qeveria jonë në Evropë: e kam fjalën këtu për reformën e Sektorit të Tretë, ligjin “Pas nesh”, ligjin për autizmin.

Si e shihni Evropën pas pesë vitesh dhe, mbi të gjitha, çfarë kufijsh shihni sot në këtë konstruksion evropian?

Mateo Renzi: Evropa ose ndryshon ose vdes. Ne kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara të Evropës. Ne kemi nevojë për liderë të aftë për të pasu ndikim në një botë që duket krejtësisht e çmendur mes luftërave, krizave, terrorizmit dhe ku bien ë sy mungesa e Kontinentit të Vjetër, i shtypur mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, rob i rregullave bizantine.

Lexo më shumë  Osmani: Me presidentin e Finlandës do të punojmë ngushtë për të avancuar rrugëtimin euroatlantik të Kosovës

A ka një ambiguitet themelor në Partinë Popullore Evropiane që lëkundet mes socialistëve dhe sovranistëve?

Mateo Renzi: Shumë nga partitë që përbëjnë PPE-në kërkojnë aleancë me sovranistët dhe ekstremistët. Është teorema e “shumicës së Xhorxhias”. Në Itali, ata që votojnë për Forza Italia dhe Antonio Tajanin po votojnë për një parti që qeveris me Matteo Salvinin dhe Giorgia Melonin. Pra, një i moderuar mund të zgjedhë vetëm Shtetet e Bashkuara të Evropës. Alternativa e vetme për një të majtë populiste dhe një të djathtë sovraniste.

Ndërkohë, Evropa është me sytë nga Palestina, disa shtete e njohin atë vetëm tani (dhe pas 7 tetorit!), dhe nga Ukraina, ku po shohim kundërsulmimin rus dhe jo atë të Kievit. A është ky një dështim i dyfishtë?

Mateo Renzi: Evropa nuk e prek topin në politikën e jashtme sepse është e burgosur e burokracisë dhe e fuqisë së vetos. Ne në listën e Shteteve të Bashkuara të Evropës duam të sjellim ndryshim të vërtetë. Na duhet një ushtri e përbashkët, sigurisht, por edhe mbi të gjitha një diplomaci e përbashkët dhe e fortë. Ka nga ata që, si Conte, vendosin fjalën paqe në simbol. Ne duam të rindërtojmë paqen me propozime konkrete. Me pushtimin kriminal rus të Ukrainës, ne i thamë po armëve në Kiev, po sanksioneve në Moskë, por na duhet menjëherë një i dërguar special i BE-së për diplomacinë. Një lider, i aftë për të negociuar mes dy palëve: përmendëm emrat e Angela Merkel dhe Tony Blair. Sa i përket Palestinës, njohja e saj tani nuk ka forcë politike: ne duhet të zbatojmë parimin e dy popujve dhe dy shteteve. Për ta bërë këtë, nevojitet një aleancë e madhe midis dhe me vendet reformiste arabe, duke përfshirë Arabinë Saudite: njohja e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe fondet e destinuara për rindërtim, jo ​​për armët e Hamasit.

Lexo më shumë  Ukraina përgatit terrenin për sulme në Krime pas mbërritjes së aeroplanëve luftarakë F-16

Lista juaj i propozon Komisionit Mario Draghin. Përtej kompetencës, a mund të flasim edhe për moshën? A nuk do t’i ngjante BE-ja SHBA-së së mbërthyer mes Bidenit dhe Trump? A nuk ka më liderë “të rinj” në Evropë?

Mateo Renzi: Do të bëjmë gjithçka që Ursula von der Leyen, e cila ka dështuar në mënyrë spektakolare, nga politika e jashtme në ekonomi, të mos kthehet në krye të komisionit. Dhe ne do të përpiqemi të japim kontributin tonë për të sjellë Mario Draghin, siç kemi bërë tashmë në Itali. Përsa i përket çështjes së moshës, unë besoj se gjykimi për një figurë me vlerë nuk mund të kushtëzohet nga një element thjesht i lidhur me moshën. Ajo që duam të luftojmë ne është “politika e vjetër”. /mekulipress/

YouTube player