KryesoreLajme

Akademiku Gjinushi plagjarizon shkrimin sarkastik si autoritet shkencor

Në janar të këtij viti, blogu Peizazhe të fjalës publikoi një shkrim mbi një libër që i siguronte lexuesit se një kongres për unifikimin e gjuhës, si ai që Shqipëria bëri në vitin 1972, është një gur themeli i shtetit dhe pikë reference e shtetformimit. Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi e citoi këtë libër në fjalimin e tij në përkujtimin e 50 vjetorit të Kongresit. Vetëm se ka një problem: libri i cituar nuk ekziston.

Gjuhëtarët patën arsye për të qeshur pasdreken e të enjtes në Tiranë, kur në një konferencë të zhvilluar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kryetari i akademisë Skënder Gjinushi, citoi një gjuhëtar të huaj, Manuel Zrinzo Caruana, i cili thuhet se është një maltez “antropolog, politolog dhe burrë shteti”, i cili ka argumentuar mes të tjerash se ka një lidhje thelbësore mes unifikimit të gjuhës, në një proces si ai i vitit 1972, me ekzistencën e shtetit të fortë.

“….studiuesi Emanuel Karuana, gjuhëtar dhe antropolog, në librin e tij Shteti dhe drejtshkrimi, i ka renditur qartazi faktorët shtetërorë, si faktorë përshpejtues në njejësimin gjuhësor, veçanërisht në Evropë, pasi asnjë gjuhë nuk është vetënormësuar,” deklaroi Gjinushi në fjalën e tij, në praninë e kryeministrit Edi Rama, i cili më herët ka deklaruar se prania e Gjinushit në Akademinë e Shkencave, ia ka hequr atij alergjinë që kishte nga ky institucion.

Vetëm se ka një problem! Gjinushi ka cituar një libër që në fakt nuk ekziston dhe një autor i cili është një personazh i sajuar nga një blog në blogun kolektiv Peizazhet e fjalës.

Në 26 janar të këtij viti, blogeri Gjeto Bashari publikoi një shkrim me titull Rrënjët drejtshkrimore të shtetit, në të cilin fliste për një libër me titullin Shteti dhe drejtshkrimi. Sipas autorit, ky libër është botuar nga shtëpia botuese Uqbar, dhe ai gjendet në shitje në libraritë e Ballkanit Perëndimor. Bashari, nga ana e tij prezantohet në blog si profesor i lëndës Hyrje në Ballkanistikë, në Universitetin Oriental të Tiranës. Sipas blogut, autori i librit, Manuel Zrinzo Caruana, “qëmtuar lidhjet mes drejtshkrimit – ose kodifikimit të gjuhës zyrtare të shkruar – dhe shtetit”, dhe ka dalë në konkluzionin se se ka një lidhje të fortë mes standardit letrar dhe shtetformimit.

Lexo më shumë  Lubonja: Telefonata e Ramës ndaj medias italiane RAI, fantashkencë dhe e papranueshme

“Shtetet që kanë arritur të ruajnë dhe të riprodhojnë drejtshkrimin solid të dokumentacionit, shpjegon Caruana, janë edhe më të suksesshmet në klasifikimet botërore; nga ana tjetër, shtetet e suksesshme ia dalin më mirë se të tjerat që t’ua mësojnë brezave të rinj drejtshkrimin dhe t’u ngulitin bindjen e rëndësisë së zbatimit të tij. Përkundrazi, rritja e numrit të gabimeve drejtshkrimore për njëqind mijë fjalë të shkruara shkon paralelisht me dobësimin e shtetit dhe rënien e të gjithë parametrave kryesorë në funksionim,” shkruan Bashari.

Problemi është që Gjinushi duket se ka cituar një blog sarkastik mbi një libër që nuk ekziston dhe e ka cituar këtë si burim shkencor.

Gjinushi nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për koment.

Gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli, ishte një nga personat që vunë re gafën e Gjinushit.

“Libri “Shteti dhe Drejtshkrimi” është një sajesë e sarkazmës së Gjeto Basharit, i cili e sajon ekzistencën e ketij gja-libri thjesht e vetëm për t’u tallur me hiperkontollin e shtetit në punë të gjuhës, ja si kjo që kërkon të bëjë Shkencizma sërish”, shkroi Shamku Shkreli në faqen e saj në Facebook.

“Dhe kur sarkazmën e plagjiaturon ish-Ministri i Arsimit të Ramiz Alisë dhe njëherit Kryeakademiku i sotshëm, ajo s’është sarkazmë, është Kryesarkazmë!,” shtoi ajo.

Kongresi i Gjuhës Shqipe në vitin 1972 krijoi standardin e sotëm letrar në një proces oruellian që ndaloi dialektet përmes imponimit të një gjuhe të vetme në libra, kinema, teatro, televizione apo media.

Lexo më shumë  Meloni do ta mallkojë atë ditë kur njohu Ramën

Para imponimit të standardit, të shkruarit shqip ishte e larmishme dhe pasqyronte pasurinë gjuhësore nga jugu në veri të vendit si dhe në trojet shqipfolëse jashtë kufijve. Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, gjuha zyrtare vijon të jetë në fuqi ndërsa Akademia e Shkencave, duket se ka mbetur një nga të paktat institucione në vend ku komunizmi nuk ka rënë.

Shkrimtari britanik George Orwell vdiq 22 vjet para vendosjes së standardit zyrtar në Shqipëri, por në librin e tij 1984, ai përshkruan se si partia krijon një gjuhë të ngurtë, e cila ka shumë më pak fjalë se sa gjuha e zakonshme dhe që ka për synim final të shfarosë aftësinë e njeriut për të menduar përtej sloganeve që i fut në kokë partia përmes propagandës. Orwell e quan këtë Gjuha e Re, fjalori i së cilës zvogëlohet vazhdimisht dhe vazhdimisht ndërsa të gjitha nuancat zhduken. Puna kryesore e gjuhëtarëve në këtë sistem ishte të shkatërronin fjalë, sepse duke shkatërruar fjalët e tepërta, diapazoni i të menduarit detyrimisht ngushtohet dhe njerëzit bëhen më të bindur e më të nënshtruar ndaj partisë.

Plagjarizma besohet se është një problem i rëndë i botës universitare shqiptare, aq sa në një rast, ish-ministrja e Arsimit Besa Shahini, propozoi ndryshime ligjore për të mundësuar verifikimin e vlefshmërisë së titujve akademikë.

Ndërkohë, Gjeto Bashari është një bloger që ka shkruar edhe për disa libra të tjerë që nuk ekzistojnë. Njëri prej tyre quhet; Të çafsha ballin – histori e shkurtër e rrugaçërisë në Shqipëri ndërsa tjetri, Anadolli: nënvetëdija e modernitetit shqip. /reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *