Lajme

Zbardhet vendimi i Kushtetueses që i dha ‘OK’ marrëveshjes me Italinë për emigrantët

Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar ku i dha dritën jeshile marrëveshjes për emigrantët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.

Në vendim theksohet se vendi ynë do të ketë juridiksion territorial mbi kampet.

“Gjykata çmon se përcaktimet e Protokollit për Migracionin nuk sjellin kufizime të të drejtave dhe lirive të njeriut, pasi standardet minimale të KEDNJ-së, ashtu siç u arsyetua më lart, janë të zbatueshme. Në mbështetje të këtij përfundimi, Gjykata vë në dukje natyrën universale dhe karakterin detyrues të KEDNJ-së dhe akteve të tjera ndërkombëtare të ratifikuara dhe pranuara nga të dyja shtetet, atij shqiptar dhe italian, të cilat gjejnë zbatim edhe në rastin konkret”, thuhet ndër të tjera në vendimin e arsyetuar.

Po ashtu theksohet se në kushtet kur Protokolli për Migracionin ofron mbrojtje të përforcuar juridiksionale dhe nuk sjell kufizim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Gjykata çmon se, sipas arsyetimit, pretendimet e kërkuesit, në rastin konkret të 30 deputetëve të opozitës, për cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të të huajve (migrantëve), që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, janë të pabazuara.

“Gjykata thekson se qëllimi i përbashkët i të dy shteteve për të menaxhuar në mënyrë efektive flukset migratore dëshmon nevojën dhe rëndësinë që ka ndihma e shtetit shqiptar në përballimin e këtij fenomeni. Kjo do të thotë se, sikurse është vënë në dukje edhe në komisionet parlamentare, shteti shqiptar angazhohet për të kontribuar dhe ndihmuar jo vetëm shtetin italian, por edhe vetë Bashkimin Evropian për përballimin e një problematike që është bërë gjithnjë e më e ndjeshme gjatë dekadave të fundit, por edhe për të rikonfirmuar perspektivën e integrimit evropian të vendit dhe pozitën e Shqipërisë, si një kontribues konkret në stabilitetin politik dhe social të Bashkimit Evropian. Ky vlerësim mban në konsideratë edhe faktin se Shqipëria është shtet që ofron besim dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke sjellë si efekt edhe sigurimin e një sistemi efikas të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të migrantëve”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Lexo më shumë  Ola Xama: Gazetaria në Shqipëri është shumë e vështirë! Të respektohet liria jonë!

Mendimet kundër 

Ndërkohë 4 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska dhe Elsa Toska kanë votuar pro kërkesës së deputetëve të opozitës. Ata kanë dhenë arsyetimet se pse protokolli nuk duhej të ratifikohej.

“Sistemi ynë normativ përmban një referencë gjeografike territoriale, që pasqyron hapësirën e veprimit të akteve normative dhe, për rrjedhojë, edhe shtrirjen gjeografike të veprimtarisë së institucioneve tona publike dhe ushtrimit të kompetencave të tyre”, thuhet ne arsyetimet e Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska.

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Nje tjetër argument është ana financiare: “Shpenzimet e bëra nga pala italiane për ndërtimin e strukturave përjashtohen nga taksat dhe detyrimet doganore (neni 5, pika 4). Gjithashtu, për nevojat e ndërtimit dhe menaxhimit të strukturave, autoritetet italiane përjashtohen nga kufizimet ose kontrollet e monedhës dhe mund të transferojnë lirisht monedha pavarësisht parashikimeve të dispozitave shqiptare në fuqi” 

Sipas këtyre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Këshilli i Ministrave u jep juridiksion ekskluziv autoriteteve italiane, duke kufizuar në këtë mënyrë juridiksionin e autoriteteve shqiptare.

“Qeveria shqiptare i ka kaluar qeverisë italiane të drejtën e përdorimit të dy zonave territoriale, brenda të cilave autoritetet italiane autorizohen të ushtrojnë pushtet publik për çështjet që lidhen me migrantët, duke kufizuar/ndaluar njëkohësisht juridiksionin e autoriteteve shqiptare në këtë pjesë të territorit të vendit. Mbi bazën e kësaj analize, nuk pajtohemi me shumicën, e cila nuk duket se i ka dhënë përgjigje të qartë dhe të drejtpërdrejtë kësaj çështjeje. Në vlerësimin tonë, Protokolli për Migracionin është marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin, sipas parashikimit të nenit 121, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës.” 

Rruga Press

YouTube player