KryesoreLajme

Prezantohet agjenda e reformave, me të cilën synohet përfitimi i 950 milionëve

Qeveria ka identifikuar reformat, me jetësimin e të cilave Kosova do të mund të përfitonte rreth 950 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Ato u prezantuan të enjten në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

Agjenda e veprimeve që Kosova ka prezantuar në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian (BE) përmban 30 reforma që synohet të jetësohen me më shumë se 100 aktivitete në pesë fusha të ndryshme.

Nga 6 miliardë euro sa BE-ja ka miratuar për shtetet e Ballkanit Perëndimor, rreth 950 milionë prej tyre pritet t’i përfitojë Kosova.

Të enjten, në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, agjenda e reformave u prezantua nga kryeministri Albin Kurti.

“Kjo agjendë gjithëpërfshirëse reformash synon të reformojë më tej administratën publike dhe të avancojë menaxhimin e financave publike. Ajo vendos një fokus të veçantë në agjendën e gjelbër dhe digjitalizimin. Në fushën e sektorit privat kemi paraparë veprime që rrisin investimet dhe eksportet dhe masa që mundësojnë më tej qasjen në financa”, ka thënë Kurti. “Ajo synon të sigurojë arsim cilësor në të gjitha nivelet dhe përafrim me nevojat e tregut të punës. Dhe jo më pak e rëndësishmja: kjo agjendë reformash do të avancojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të fuqizojë mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave themelore”.

Lexo më shumë  Kosova nuk është protektorat, është një shtet sovran/ Woelk: Sasia e ndërhyrjeve në punët e Kosovës është absurde dhe e patolerueshme

Krahas reformave, Kosova duhet të paraqesë edhe listën e projekteve, nëpërmjet të cilave synohet të përfitohen fondet.

Kurti theksoi se me to synohet të mbyllen boshllëqet infrastrukturore e të nxitet zhvillimi ekonomik.

E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se reformat do ta ndihmojnë Kosovën të avancojë në procesin e integrimit në BE e edhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik. Ai foli edhe për punët e parapara në funksion të përmbushjes së Planit Kombëtar të Integrimeve Evropiane. 

Lexo më shumë  Knaus: Ministrat e Jashtëm të caktojnë takim të jashtëzakonshëm për Kosovën

“Për këtë vit kemi planifikuar shumë masa e projektligje dhe më saktësisht 307 masa afatshkurtra nga të cilat 38 sosh janë projektligje, 3 janë marrëveshje ndërkombëtare, 65 janë akte nënligjore dhe 201 janë masa zbatuese. Deri në raportimin e qershorit pritet që 59 prej këtyre masave të jenë zbatuar”, ka thënë Bislimi.

Pakoja e asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027 është miratuar nga Komisioni Evropian në fillim të nëntorit.

Përfitimi nga ky plan për Kosovën dhe Serbinë është i kushtëzuar me përparim në procesin e normalizimit të raporteve mes tyre.

YouTube player