Lajme

Veprimtarët: Krimi mjedisor, i përhapur në Shqipëri, por me mjedisin bëhet propagandë

Në Tiranë, organizatat e shoqërisë civile në mbrojtje të mjedisit deklaruan sot se “krimi mjedisor është ulur këmbëkryq anembanë Shqipërisë”.

Shoqatat shprehën sot shqetësimin e tyre të madh për masat, politikat dhe investimet, të cilat po ndikojnë në degradimin e gjendjes mjedisore në vend.

Organizatat e shoqërisë civile në mbrojtje të mjedisit deklaruan sot njëzëri se krimet mjedisore janë të përhapura në Shqipëri dhe se ka ardhur koha që me mjedisn të mos bëhet më politikë dhe propagandë.

Komuniteti i më shumë se 50 organizatave pro mjedisit theksuan në deklaratën e përbashkët se Shqipëria duhet të ketë një pozicionim strategjik përballë rreziqeve që sjellin ndotja e mjedisit dhe ndryshimet e klimës sa herë që investon në bujqësi, turizëm, energji dhe planifikim territori.

“Problemi më i madh që ka Shqipëria është ndotja. Përpos shkujdesjes së publikut me shkarkimet, emetimet dhe hedhjet e mbeturinave, në anën tjetër janë autoritetet që për gati një dekadë nuk montorojnë sa është përqëndrimi i ndotësve në ajër, në tokë dhe në ujëra, duke mos ditur se çfarë ndikimi kanë ato në shëndetin public dhe se sat ë cënueshëm dhe të prekur janë komunitetet në vendin tonë” – thotë Rodion Gjoka, ekspert mjedisi dhe energjie në Institutin e Zhvillimit të Habitateve CO-Plan.

Lexo më shumë  Vihet gurthemeli i dy klinikave në QKUK – vlera e tyre arrin mbi 4 milionë euro

Veprimtarët theksuan se autoritetet publike dhe private kanë një gadishmëri të papërfillshme për të mbrojtur, natyrën, energjinë dhe klimën, ndërkohë që vërejtën me shumë shqetësim humbje të habitateve dhe specieve në zonat kyçe të biodiversitetit në të gjithë vendin si pasojë e urbanizimit, industrisë dhe vendim-marrjeve të paqëndrueshme.

“Për fat të keq, shohim më shumë retorikë në mbrojtje të mjedisit se sa veprime konkrete. Për qeverinë është përparësi zhvillimi ekonomik, por kjo nuk duhet të nëpërkëmbë vlerat mjedisore, sepse janë këto vlera, zonat e mbrojtura, speciet e rralla, të cilat do të sjellin mirëqenie ekonomike në të ardhmen, nëse mbrohen sot” – Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologjisë Shqiptare.

Organizatat pro mjedisit kërkuan që institucionet të luftojnë krimin mjedisor, të ruajnë biodiversitetin me përparësi, të ndalin vendim-marrjen e gabuar në zona kyçe të mjedisit, të rritet transparenca dhe qëndrueshmëria në vendim-marrje, si dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile.

Ata theksuan se zgjidhjet e ofruara nga autoritetet janë të kushtueshme dhe të paqëndrueshme. Mbikëqyrjet e shkeljeve në sektorin energjItik, ujërat e ndotura, mbetjet urbane dhe ndotjen e ajrit janë të pakta dhe vonuara, ndërsa firmat private private nuk respektojnë normat e ndotjes së mjedisit dhe nuk investojnë për mbrojtjen e tij, falë pasivitetit të agjencive publike kontrolluese.

Lexo më shumë  Kurti: BE-ja t’i heqë masat, Kosova e gatshme t’i hapë negociatat drejtë anëtarësimit

“Ndryshimet klimatike janë bërë një problem madhor vitet e fundit. Po përpiqemi të ndjekim emetimet e karbonit. Shqipëria nuk ka industri të rënda që të shkarkojnë karbon në ajër, por sektori i transportit është emetues shumë i madh, po ashtu edhe emetimet indirekte nga konsumi i energjisë” – thotë Kledisa Çela, koordinatore projekti në Institutin për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit.

Organizatat pro mjedisit pohuan se komuniteteve qytetare i është hequr e drejta për t’u përfshirë në procese planifikimi dhe vendim-marrëse për natyrën. Ato kërkuan që sa më parë mjedisi të bëhet një nga pesë përparësitë e politikës kombëtare, e të mos bëhet më politikë ditore me mjedisin, por të vendosen zgjidhje afatgjata dhe qëndrueshme në këtë fushë jetike.

Shqipëria ka një shkallë të lartë ndotjeje si në qendrat e banuara edhe në krahina periferike, ndërsa zbatimi i masave për pastërtinë e ajrit, ujit dhe natyrës vlerësohen mëse të pamjaftueshme, ndonëse ligjet e miratuara janë bashkëkohore./voa/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *