Lajme

Tri ditët e tmerrit në Krushë të Madhe dhe Celinë

Banorët e fshatrave Krushë të Madhe e Celinë, edhe në përvjetorin e 24-t të masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë nga forcat e rregullta dhe ato paramilitare serbe, i kanë të freskëta datat 25, 26 e 27 mars të vitit 1999. Ata shprehen të dëshpëruar që për më shumë se dy dekada mungon drejtësia për qindra civilë të ekzekutuar, përfshirë edhe fëmijë

Mëngjesi i 26 marsit i vitit 1999 ishte hera e fundit kur Nexhmije Hoti pa djalin e saj, Kreshnikun, para se trupi i tij të goditej nga një granatë e hedhur nga forcat serbe në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit.

Përjetimet për tri ditët e tmerrit, më 25, 26 dhe 27 mars, kur përveç djalit, humbi edhe bashkëshortin, ajo i mban ende të freskëta. Nexhmija në rrëfimin e saj plot dhimbje ka treguar se për t’iu shmangur vrasjeve ia kanë mësyrë malit, ndërkohë që forcat paramilitare serbe kishin rrethuan fshatin. Por hedhja e një granate thotë se ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë.

“Ai doli me një shok tjetër dhe nuk është kthyer më. Babai i tij ishte aty, e thërriste, por ai nuk u kthye. Më tha që kthehet, edhe më nuk mundi të kthehej. Aty ka qenë edhe me njerëz të tjerë, të cilët kanë ikur në mal, vetëm ky përfundoi i vrarë, një ka qenë i plagosur, të tjerët kanë shpëtuar. Granata i ka rënë në kokë, e ka troshitur”, ka rrëfyer ajo.

Nexhmija ka treguar se si nuk pati forcë ta shohë trupin e djalit të saj.

“Fëmija im ka qenë më i riu prej bashkëfshatarëve këtu, veç katërmbëdhjetë vjet i ka pasë, çka u ka bërë ai serbëve”, ka treguar ajo, duke e përshkruar Kreshnikun si djalosh energjik, e me ambicien për t’u bërë mjek, ëndërr që bashkë me jetën iu shua nga vrasësit e regjimit serb.

Por drama tragjike e Nexhmije Hotit nuk përfundon me kaq. Në përpjekje për ta shpëtuar djalin, iu vra bashkëshorti Fahredini, i cili u goditë me plumb në gjoks.

“Gjithnjë e bartte me vete një çantë të madhe me barëra dhe me mjete të tjera mjekësore, se e dinte që do t’i duhej për t’i ardhur në ndihmë popullatës, që maltretohej në çdo hap. I kishte lidhur e shtrënguar deri diku plagët e veta me fasha, por gjakderdhja ishte e madhe”, ka thënë Nexhmija.

Varret, dëshmia e vetme e masakrave

Gjatë tri ditëve të marsit 1999, 241 civilë u vranë, e disa u dogjën.

Gjurmët e masakrës tash janë vetëm varret e martirëve. Pranë tyre është ngritur një objekt, gati i finalizuar, i dedikuar për muze.

Lexo më shumë  Biserko: Vuçiqi me qëllim nuk po i zbaton marrëveshjet

Siç tregojnë banorët masakrat kryesisht u kryen në tri objekte. Xhamia e fshatit ku dhjetëra civilë ishin masakruar është rinovuar. Ndërsa, stalla që ishte disa metra larg xhamisë, ku po ashtu ishin torturuar fshatarët, nuk ekziston më. Në gjendje aspak të mirë është shtëpia e familjes Duraku, ku u masakruan 64 persona, e disa u dogjën të gjallë.

Hezitimi për të rrëfyer atë që përjetuan në ato tri ditë është i madh. Lebibe Shala, e cila e ka humbur bashkëshortin dhe tani jeton e vetme në një shtëpi njëkatshe, është e dëshpëruar që asnjëherë nuk u vendos drejtësia.

“Kemi folur mjaftueshëm për 24 vjet, e asgjë nuk është bërë”, ka thënë ajo, duke kundërshtuar që të flasë sërish para kamerës për tmerrin që e përjetoi. Si ajo edhe 12 gra të tjera nuk pranuan të flasin para kamerës me të njëjtën arsye.

Nexhmije Hoti ka thënë se vitet të fundit dëshpërimi i tyre ndaj institucioneve të drejtësisë është shtuar. Ajo ka thënë se më shumë janë interesuar mediat që t’i intervistojnë të mbijetuarit, sesa organet e drejtësisë.

“Të zhgënjyer jemi shumë se po shihet si po shkon puna, ndoshta fuqitë e mëdha, ato kishe na kanë sjellë lirinë, mirëpo tani qysh po thonë ata ne po duhet të veprojmë. Kjo është një zhgënjim i rëndë për ne, se me pasë punë edhe tash e tutje me serbë”.

Historia e vrasjeve në kujtime e fotografi

Fatin e rëndë të Krushës e pati edhe fshati ngjitur me të Celina, që u rrethua të njëjtën ditë – 75 banorë u vranë, ndërsa me qëllim të zhdukjes së gjurmëve trupat e tyre më pas u dogjën nga ushtarët serbë.

Gjurmët e krimit tani dokumentohen në një muze, me më pak se 2 metra katrorë. Fotografi të trupave të masakruar, e tri predha të mbetura nga sulmet e forcave paramilitare serbe të vendosura mbi një flamur të vjetër kuq e zi, përmbledhin tri ditë gjakosje.

Me të hapur derën nga çeliku, pamja e parë që bie në sy është fotografia me kufomën gjysmë të djegur të riut Dinë Sinani. Plotësisht të karbonizuara shfaqen trupat e Ahmet Bajramit, Ibrahim e Naim Fazliut. E 16 anëtarët e familjes Zeqiri që u vranë, përfshirë edhe fëmijën 12-muajshe, Alma Zeqiri, shihen në një gropë të mbuluar me disa batanije. Trupat e dy fëmijëve te familjes Zeqiri, dallohen nga të tjerët në atë fotografi.

Shpresat se një ditë do të vendoset drejtësia, u kanë humbur edhe të mbijetuarve të Celinës.

“Shumë pak kanë bërë institucionet tona deri tash, për fat keq edhe shumë dëshmitarë më nuk janë, janë në botë tjetër. E një shumicë tjetër janë në mërgim”, ka thënë Muhamet Ramadani, të cilit iu vra axha dhe djali i axhës. “Mjete të ndryshme kanë përdorur për t’i vrarë, me plumba, me teh të thikës ia kanë prerë fytin një djali”, ka thënë ai duke përshkruar barbarinë e ushtarëve e policëve serbë.

Lexo më shumë  Avokati serb ironizon me presidentët serbë, tregon ku ikën ata kur Kosova shpalli pavarësinë dhe sot kur u votua për anëtarësim në KiE

Ai rrëfen se si në pyllin Pisjak, qëndruan shumica e banorëve të fshatit me shpresën se do t’i shmangeshin maltretimeve të forcave serbe. Por aty shumica panë ferrin. Siç tregon Ramadani, fillimisht civilëve ua plaçkitën të gjitha të hollat e gjërat me vlerë që kishin, e pastaj filluan t’i ekzekutonin. Disa u dërguan në një shtëpi afër xhamisë, ku edhe më vonë u dogjën. Edhe në këtë fshat, gjurmët e krimit tash nuk janë shumë të dukshme. Shtëpia ku u dogjën civilët, tani është godinë e re.

Në Prokurorinë Speciale nuk kanë dhënë asnjë informacion për mungesën e rezultateve në arrestimin e kryesve të krimit.

Vetëm në vitin 2002, Sasha Gërkoviq, pjesëtar i grupit të serbëve të armatosur në uniforma, është gjykuar nga Gjykata në Prizren për pjesëmarrje në masakrën në fshatin Celinë. Në mungesë të provave ai është liruar nga akuza për veprën penale – krim i luftës kundër popullatës civile.

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit dhe rendit, EULEX, i cili kishte mandat ekzekutiv deri në vitin 2018, për mosndëshkimin e kryesve të masakrave, është arsyetuar me ikjen e tyre nga Kosova.

“Deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, Misioni nuk ishte në gjendje të procedonte me shumë raste për krime lufte që supozohej se ishin kryer nga individë të përkatësisë etnike serbe, pasi shumë nga këta të dyshuar kishin ikur në vendet jashtë Kosovës”, kanë thënë ata në një përgjigje për KOHËN.

Tani që ligjet në vend ua lejon gjykimin në mungesë, në EULEX kanë thënë se është përgjegjësi e institucioneve vendore të vazhdojnë me gjykimin e të dyshuarve.

“Dosjet e lëndëve për këto raste tani janë në duart e prokurorëve të Kosovës, të cilët mund t’i çojnë përpara bazuar në hetimin e nisur nga EULEX-i, si dhe në kornizën ligjore të ndryshuar, e cila tani lejon-në rrethana të caktuara- gjykimin e një të pandehuri në mungesë të tij”.

Ky mision thekson se është e rëndësishme që krimet e luftës dhe krimet e tjera kundër ligjit ndërkombëtar nuk u nënshtrohen kufizimeve ligjore./Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *