Bota

Statusi i kandidatit për Ukrainën mund të dështojë prej këtyre shteteve

Nga Soeren Haberlandt, BILD

Prej muajsh, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kërkuar që vendi i tij të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian.

Ditë historike për Ukrainën? Në takimin e samitit në Bruksel, BE do të vendosë nëse vendi i sulmuar nga Putini do të ketë statusin e një kandidati për anëtarësim në BE- por ka shtete të lëkundura!

Përpara konsultimeve të kancelarit Olaf Scholz dhe kolegëve të tij pati mbështetje të gjerë për rekomandimin e Komisionit të BE-së. Por vetëm një shtet i vetëm i BE-së, pavarësisht fuqisë dhe madhësisë ekonomike, mund të rrëzojë të gjithë projektin.

Sepse vendimi duhet të merret unanimisht nga të 27 shtetet.

-Austria kohët e fundit ka kërcënuar se do e lidhë miratimin e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE për Ukrainën dhe Moldavinë me përparimin në përpjekjet për të zgjeruar BE-në në Ballkanin Perëndimor. Konkretisht, ka pasur kërkesë, ndër të tjera, që Bosnje-Hercegovinës t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE.

-Sllovenia dhe Kroacia gjithashtu e lidhin miratimin e tyre me përparimin në përpjekjet për të zgjeruar BE-në në Ballkanin Perëndimor.

-Portugalia deri kohët e fundit nuk e konsideronte të përshtatshme dhënien e statusit të kandidatit për shtete si Ukraina. Ekziston një rrezik i madh se duke krijuar pritshmëri të mëdha, mund të çojnë në zhgënjim të hidhur, tha së fundmi kryeministri Antonio Costa për Financial Times. Nevojitet më shumë mbështetje praktike për Ukrainën.

Lexo më shumë  NASA: Kina po zhvillon projekte të fshehta ushtarake në hapësirë

-Në deklaratën e tij në Bundestag të mërkurën, Scholz mbrojti një PO nga të 27 vendet e PE. Kjo është një pikë kthese e Europës, theksoi kancelari. Gjatë udhëtimit në Kiev, ai bëri fushatë për statusin e kandidatit me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin italian, Mario Draghi.

Më pas iu bashkuan skeptikët si Holanda apo Danimarka. Shtetet si Polonia, Estonia, Lituania, Letonia dhe Irlanda në veçanti kanë bërë presion për javë të tëra për ta bërë sa më shpejt Ukrainën një kandidate të BE dhe të dërgojnë kështu një sinjal kundër Rusisë.

Pak para fillimit të takimit dyditor, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen paralajmëroi se do të mbështesë statusin e kandidatit për Ukrainën.

Sot pritet që samiti i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor të trajtojë perspektivën evropiane të Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi.

Scholz udhëtoi gjithashtu në Ballkan para vizitës në Kiev.

Afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në ka vite që po përparon ngadalë, edhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe bllokadave nga vendet e BE-së. Për shembull, Bullgaria aktualisht po pengon fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut.

Përveç Ukrainës, perspektivën e anëtarësimit në BE e presin edhe Gjeorgjia dhe Moldavia. Sipas rekomandimit të BE-së për samitin, Moldavisë duhet t’i jepet gjithashtu statusi kandidat. Gjeorgjia duhet së pari të përmbushë reformat e kërkuara.

Lexo më shumë  Sulmohet me dron infrastruktura energjetike ruse

Megjithatë, edhe statusi si kandidat i BE-së nuk do të thotë se Ukraina dhe Moldavia do të pranohen në BE në të ardhmen e afërt.

Statusi i kandidatit nuk thotë asgjë për anëtarësimin dhe nuk është i lidhur me një afat kohor. Merrni si shembull Turqinë: vendi ka qenë kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 1999- dhe ndoshta nuk ka qenë kurrë kaq larg anëtarësimit sa është sot. Është gjithashtu e rëndësishme që çdo hap drejt afrimit duhet të vendoset unanimisht nga shtetet e BE-së.

Zëdhënësi i politikës evropiane për grupin parlamentar CDU/CSU, Gunther Krichbaum, bëri thirrje për një model të ndërmjetëm, në formën e një të ashtuquajturi anëtarësim të lidhur. “Kjo do të thotë se vendi nuk ka të drejtën e votës, nuk do ketë opsione të tjera, por ndoshta do jetë pjesë e tij”.

Pritet që krerët e shteteve dhe qeverive të shteteve të BE-së të diskutojnë gjithashtu se si mund të vazhdojë të mbështetet Ukraina në luftën kundër Rusisë.

Ndër të tjera, flitet për vënien në dispozicion të 500 milionë eurove të tjera për dërgesat e armëve. Përveç kësaj, do të diskutohet për rindërtimin e vendit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *