Bota

Bastisje në televizionin opozitar në Turqi, arrestime dhe emërim i administratorit nga qeveria

Policia turke ka bastisur në orët e para të mëngjesit selinë e televizionit opozitar Sozcu TV dhe grupit mediatik që e zotëron, në Stamboll.

Gjatë operacionit janë kryer arrestime, ndërsa në drejtimin e medias është emëruar një administrator i caktuar nga qeveria.
Lajmi u bë i ditur nga vetë grupi mediatik përmes një postimi në rrjetin social X, pak para orës 05:00 me orën lokale.

“Policia kontrolloi ndërtesën SÖZCÜ pas një urdhri gjykate. Policia e ka mbyllur ndërtesën”, thuhej në njoftimin e publikuar nga media.

Lexo më shumë  Rreth 350 mijë qytetarë protestojnë në Pragë kundër qeverisë

Në një tjetër mesazh, grupi konfirmoi se ishte emëruar një administrator gjyqësor dhe se gjatë operacionit ishin kryer arrestime. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të plota mbi numrin e personave të ndaluar apo arsyet e ndërhyrjes.

Një tjetër goditje ndaj mediave opozitare

Operacioni ndaj Sozcu TV vjen rreth një muaj pas ndërhyrjes së policisë në selinë e Halk TV, një prej kanaleve më të ndjekura të lajmeve në Turqi. Edhe në atë rast, autoritetet pezulluan transmetimet dhe emëruan një administrator, ndërsa 11 punonjës të televizionit u arrestuan.

Lexo më shumë  Gjermania njofton paketën e re të ndihmës për mbrojtjen ajrore të Ukrainës

Këto zhvillime janë pjesë e një vale më të gjerë masash ndaj qarqeve gazetareske, politike dhe sindikale në vend.

Gazetarët dhe mediat opozitare në Turqi janë përballur vazhdimisht me procedime gjyqësore për akuza të ndryshme, përfshirë shpifjen, fyerjen, korrupsionin dhe përhapjen e lajmeve të rreme.

Bastisja e fundit ndaj Sozcu TV ka shtuar shqetësimet për lirinë e medias dhe presionin ndaj zërave kritikë ndaj qeverisë turke.

Rruga Press

YouTube player