Rreth 350 mijë qytetarë protestojnë në Pragë kundër qeverisë
Qindra mijëra qytetarë kanë protestuar në Pragë, kryeqytetin e Çekisë, kundër planeve të qeverisë së kryeministrit Andrej Babiš për ndryshimin e mënyrës së financimit të mediave publike, të cilat protestuesit i konsiderojnë kërcënim për pavarësinë e tyre.
Sipas organizatorëve, rreth 350 mijë persona morën pjesë në tubimin e mbajtur në hapësirën Letná, duke e shndërruar atë në një nga protestat më të mëdha në historinë e vendit.
Protesta u organizua nga lëvizja “Million Moments for Democracy”, e cila kundërshton planin e qeverisë për të hequr tarifën e detyrueshme që paguajnë qytetarët për financimin e Televizionit Çek dhe Radios Çeke.
Në vend të kësaj skeme, qeveria propozon që transmetuesit publikë të financohen drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.
Kundërshtarët e këtij propozimi paralajmërojnë se një ndryshim i tillë mund t’i bëjë mediat publike më të varura nga vendimet politike dhe të dobësojë pavarësinë e tyre editoriale.
Organizatorët e protestës kanë akuzuar qeverinë se po përpiqet të heshtë zërat kritikë dhe t’i trajtojë institucionet demokratike sikur të ishin pronë e saj.
“Po dëshmojmë diçka të jashtëzakonshme sot”, ka deklaruar për Associated Press organizatori kryesor i protestës, Mikuláš Minář.
Shqetësimet janë shtuar edhe për pasojat financiare të reformës. Sipas propozimit, buxhetet e televizionit dhe radios publike pritet të reduktohen me rreth 15 për qind.
Plani ka nxitur reagime edhe në nivel ndërkombëtar. Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), Federata Evropiane e Gazetarëve, Reporterët pa Kufij dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit kanë kritikuar ndryshimet e propozuara, duke paralajmëruar për rrezikun e rritjes së ndikimit politik mbi transmetuesit publikë.
Nga ana tjetër, kryeministri Andrej Babiš ka hedhur poshtë akuzat se qeveria synon të marrë kontrollin mbi mediat publike.
Ai ka mohuar se ndryshimet do të ndikojnë në pavarësinë editoriale të tyre, duke siguruar se qeveria nuk do të ndërhyjë në përmbajtjen e programeve.
“Në asnjë rrethanë nuk do të ndërhyjmë në punën editoriale”, ka deklaruar Babiš.
Përplasja rreth financimit të mediave publike është shndërruar kështu në një nga çështjet kryesore politike në Çeki, ndërsa protestuesit kërkojnë që financimi dhe pavarësia e transmetuesve publikë të mbrohen nga ndikimi i drejtpërdrejtë i qeverisë.
Rruga Press

