Kryeministri britanik Andy Burnham thotë se Brexit-i nuk ka funksionuar
Kryeministri britanik Andy Burnham tha të hënën se është koha të pranohet që Brexit-i nuk ka dhënë rezultatet e pritura për Mbretërinë e Bashkuar dhe se vendi ka nevojë për një marrëdhënie shumë më të ngushtë me Bashkimin Evropian, për të luftuar izolacionizmin në rritje në mbarë botën.
Ai e krahasoi rezultatin e shkëputjes së Britanisë nga BE-ja, të nxitur nga referendumi i vitit 2016, me përrallën e Hans Christian Andersen-it “Rrobat e reja të perandorit”, në të cilën askush nuk guxon t’i thotë sundimtarit se, në fakt, ai është lakuriq.
“Unë përpiqem t’i them gjërat ashtu siç i shoh”, tha Burnham në një fjalim mbi politikën e jashtme, mbajtur në banketin e Kryebashkiakut (Lord Mayor) në distriktin financiar të Londrës.
“Brexit-i që na u ofrua nuk ka funksionuar. Kemi humbur më shumë sesa kemi fituar”.
Duke kërkuar t’i japë fund një dekade trazirash politike – periudhë gjatë së cilës ai u bë kryeministri i shtatë i Britanisë që nga viti 2016 – Burnham deklaroi se Mbretëria e Bashkuar është rikthyer në skenën botërore.
Ai argumentoi se vendi është në një pozicion të favorshëm për të marrë rolin udhëheqës në një epokë të bashkëpunimit ndërkombëtar të ripërtërirë, falë përvojës së tij që nga viti 2016.
“Brexit-i ishte dominoja e parë që ra në një lëvizje globale drejt më shumë izolacionizmit dhe proteksionizmit”, tha ai. “Ishte pikërisht ajo që donin armiqtë tanë. Rusia dëshironte përçarje brenda NATO-s dhe një Evropë më të dobët”.
Burnham foli në prag të një samiti mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, që do të mbahet të premten në Bruksel.
Ky samit përbën një hap kyç në angazhimin e tij për të rivendosur marrëdhëniet me bllokun prej 27 vendesh, një dekadë pas votimit për t’u larguar dhe gjashtë vjet pas largimit zyrtar në vitin 2020.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pritet që në këtë takim të finalizohet një marrëveshje tregtare për ushqimet dhe pijet, marrëveshje për energjinë dhe tregtimin e emetimeve, si dhe një plan që do t’u mundësojë të rinjve të punojnë për periudha të kufizuara si në Britani, ashtu edhe në vendet e BE-së.
Burnham theksoi se premtimi i fushatës pro-Brexit – se Britania do të “rimerrte kontrollin” mbi kufijtë, ligjet dhe ekonominë e saj – nuk është përmbushur.
Tregtia me vendet e BE-së ka rënë ndjeshëm, ndërsa vlerësimet për dëmin ekonomik variojnë nga 4% deri në 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Mbretërisë së Bashkuar, tha ai.
Shumica e ekonomistëve bien dakord se Brexit-i e ka dëmtuar ekonominë britanike, por politikanët e Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë të kujdesshëm për të mos rihapur një debat të dhimbshëm.
Por jo edhe Burnham.
Ai deklaroi se, menjëherë pas samitit, do të nisë një diskutim mbarëkombëtar mbi marrëdhënien afatgjatë të Britanisë me bllokun.
E zëdhënësi i tij, Tom Wells, tha të hënën se “nuk po bëhen supozime paraprake” dhe se “publiku britanik do të jetë ai që do të vendosë për çdo rezultat”.
Deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, Burnham-i mbetet i lidhur nga zotimi i paraardhësit të tij, Keir Starmer – të cilin e zëvendësoi si kryetar i Partisë Laburiste (të qendrës së majtë) dhe si kryeministër – për të mos iu bashkuar sërish bashkimit doganor pa tarifa të bllokut, apo tregut të vetëm pa pengesa për mallrat, shërbimet dhe punëtorët.
Anulimi i këtij zotimi do të ringjallte një çështje që e përçau vendin. Në referendum, 52% e votuesve u shprehën pro largimit nga BE-ja, ndërsa 48% ishin në favor të qëndrimit në të.
Ish-kryeministri konservator Boris Johnson, një mbështetës i Brexit-it, u shpreh se nëse Burnham-i përpiqet ta kthejë Britaninë në BE, “njerëzit do ta kuptojnë se çfarë po ndodh. Ata nuk do ta duan këtë dhe ai nuk do t’ia dalë mbanë”.
Rruga Press

