KryesoreOpinion/Aktualitet

Simbolet e regjimit enverist në Sunny Hill/ Si reaguan në Poloni kur u shfaq “vepra artistike” satirike me simbole të regjimit hitlerist

Festivali Sunny Hill i mbajtur në Tiranë ka hapur një debat të ndjeshëm ndër shqiptarët. Bëhet fjalë për simbolikat e përdorura gjatë regjimit enverist, më saktësisht, yllin pesë-cepësh në flamurin kombëtar shqiptar.

Ky simbol u ekspozua në ekranin gjigand të skenës së Sunny Hill, gjatë kohës kur po performonte grupi Asgjë Sikur Dielli. Këto imazhe ishin pjesë e videokipit të këngës së këtij grupi.

Shumë kritika në drejtim të festivalit dhe grupit vijnë si pasojë e ndjeshmërisë ndaj këtyre simboleve.

Në këtë simbol mund të lexojmë gjithë krimet e kryera në Shqipëri gjatë regjimit hoxhist. Pavarësisht se kemi të bëjmë me flamurin kombëtar, flamuri shqiptar me yllin e verdhë pesë-cepësh ka marrë ngarkesën kuptimore të patejkalueshme të regjimit totalitar në Shqipëri.

Vetë ndryshimi i flamurit kombëtar duke i shtuar një simbol të ri përbën një krim më vete nga ana e regjimit enverist, por ky është një diskutim që i përket një nuance tjetër, diskutim i cili duhet bërë në sferën publike shqiptare sa më parë.

Ndaj këtyre kritikave kanë reaguar kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe këngëtari i grupit Asgjë Sikur Dielli, duke u shprehur se imazhi nuk ka të bëjë me promovimin e regjimit që simboli përfaqëson, por ka të bëjë me satirën artistike. Mendim të ngjajshëm rreth kësaj çështjeje ka shprehur edhe kryeministri Edi Rama.

Kujtojmë se vetëm disa ditë më parë në Tiranë, në një nga vilat qeveritare që shërbejnë për pritje, u paraqit një tjetër “vepër artistike”, statuja e diktatorit sovietik, Josif Stalin.

Endri Fuga, drejtor i Agjencisë qeveritare për Mediat dhe Komunikimin tha se “vepra e artit” nuk duhet gjykuar me syzet e politikës.

Një debat të ngjajshëm ka patur në vitin 2010 në Poloni, kur në një qytet të vendit u ekspozua një “vepër arti” që paraqiste imazhin e personazhit Mickey Mouse me trupin e një vajze nudo dhe me simbolin nazist “svastika”.

Lexo më shumë  “Paralizohet” Tirana/ Tension dhe përplasje, çfarë ndodhi gjatë protestës së opozitës

Mes debatit në Shqipëri dhe në Poloni ka një gjë që dallon dhe një tjetër që përputhet plotësisht. Çka dallon është fakti se përgjithësisht, ligjet e vendeve të ndryshme i ndalojnë me ligj përdorimet e simboleve naziste të regjimit hitlerist, por jo ato të regjimeve të ndryshme komuniste të vendeve të caktuara. Çka përputhet është ndjeshmëria ndaj simboleve të regjimeve totalitare që kanë bilance masive në viktima dhe katastrofa socio-politike.

Kjo e dyta do mjaftonte që, pavarësisht se a ka një ligj që i ndalon apo jo, a duhet një ligj i tillë apo jo, simbolet e lidhura me regjimin enverist të mos gjejnë ekspozim publik. Këtë ekspozim publik duhet ta marrin krimet e kryera të regjimit dhe dënimi i tyre.

Më poshtë kemi sjellë pjesë nga një artikull i vitit 2010 i cili hedh dritë mbi debatin në Poloni pas ekspozimit të veprës që përmbante simbolin nazist, pavarësisht se kjo vepër kishte karakter satirik dhe jo promovues ndaj nazizmit.

Një poster i madh arti në ambient të hapur që ndërthur imazhin e Mickey Mouse me atë të një svastike dhe një trupi të një gruaje nudo po shkakton bujë në Poloni, ku kujtimet e vuajtjeve të shkaktuara nga Gjermania naziste mbeten të forta.

Posteri, i cili u ngrit në qershor në qytetin perëndimor të Poznanit, pak hapa larg një sinagoge, është një qëndrim i një artisti italian për atë që ai e quan “tmerret” e stilit të jetesës amerikane dhe është një pjesë e veprës së artit në një ekspozitë të artit bashkëkohor që hapet në vjeshtë.

Por reagimi tregon se ka pak oreks në Poloni për përdorime satirike ose artistike të imazheve të lidhura me Gjermaninë naziste, e cila pushtoi Poloninë në vitin 1939 dhe ndërtoi geto dhe kampe vdekjeje në të gjithë vendin, ku u vranë miliona njerëz.

“Ky provokim arti është një formë dhune kundër ndjeshmërisë së shumë njerëzve,” tha Norbert Napieraj, një anëtar i këshillit bashkiak, i cili u kërkoi prokurorëve të ndalonin posterin.

Prokurorët, megjithatë, përcaktuan se posteri është art dhe nuk shkel ligjet e vendit kundër glorifikimit të nazizmit.

Posteri është vandalizuar dy herë që kur u ngrit për herë të parë. Pavarësisht kundërshtive, drejtoresha e galerisë Maria Czarnecka tha se ka në plan ta rinovojë.

“Arti duhet të jetë provokues dhe kontrovers”, tha ajo për Associated Press, duke këmbëngulur se posteri nuk synon të propagandojë nazizmin, por në vend të kësaj dëshiron të eksplorojë “simbolet dhe mënyrën se si funksionojnë ato”.

“Koka e Mickey Mouse dhe svastika janë në të njëjtin nivel – nuk do të thotë asgjë dhe të dy janë pjesë e botës së globalizuar,” tha Czarnecka.

Udhëheqësit hebrenj, të cilët janë zemëruar me posterin, nuk do të ishin dakord, duke thënë se svastika ende do të thotë diçka shumë reale për shumë polakë, njësoj si për hebrenjtë dhe johebrenjtë.

Polonia dikur ishte shtëpia e komunitetit më të madh hebre në Evropë, i cili numëronte afërsisht 3.5 milionë njerëz para se pothuajse të zhdukej gjatë Holokaustit. Nazistët gjithashtu kryen mizori kundër popullsisë jo-hebreje dhe vranë rreth 6 milionë qytetarë polakë, rreth gjysma hebrenj dhe gjysma tjetër të krishterë.

Rruga Press

Lexo më shumë  Qeveria iu ndan komunave 15 milionë euro për t’i mbuluar pagat në arsim
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *