Opinion/Aktualitet

Si të kapësh një vend të mirë pune

Nga Juljan Myftari

Shumë nga ne pyesin veten se cilat janë cilësitë që duhet të zotërosh për të zënë një vend punë në administratën publike?
A duhet të kemi diploma apo trajnime të ndryshme?
Ndoshta duhet të kemi vite përvojë punë, ose aftësi të veçanta.
Mirëpo një nga kriteret që përflitet në Shqipëri është preferenca partiake. Thonë se nëse je votues i partisë në pushtet ke më shumë gjasa për t’u punësuar në institucionet publike.
Për të parë nëse kjo është e vërtetë apo vetëm një thashetheme, kryqëzuam të dhënat nga dy databaset e famshme që u bënë publike para zgjedhjeve të 2021 e këtej. Bëhet fjalë për databasen e “patronazhistëve” dhe atë “të pagave”. Kjo për të marrë të dhëna rreth parapëlqimeve politike të kategorive të ndryshme të të punësuarve dhe institucioneve ku ata punojnë. Më tej verifikuam profilin e të punësuarve dhe të ardhurave të tyre sipas parapëlqimeve të tyre partiake.
Duhet të kemi parasysh se këto të dhëna nuk janë tërësisht të vërteta sepse patronazhistët edhe gënjejnë nga pak për t’i bërë qejfin eprorëve të tyre. Me shumë mundësi ata kanë ulur nivelin e votuesve të PD-së duke i futur ata në kategorinë e njerëzve për të cilët ata nuk kanë informacion dhe diku mund të kenë shtuar votuesit e PS-së. Megjithatë, duke pasur parasysh rezultatitn zgjedhjeve të vjetshme, ato janë në përgjithësi të besueshme dhe na japin një panoramë të mirë të gjendjes.
Po të shikojmë grafikët e mëposhtëm del se në popullatën e përgjithshme Partia Socialiste, sipas partonazhistëve, ka rreth 38 për qind të votuesve në tërësi. Të tjerët janë votues të partive të tjera apo preferenca e tyre partiake nuk dihet.
Megjithatë, nëse shkojmë të kontrollojmë në detaje se si punësimi i individëve bëhet në institucione të ndryshme dhe si nivelet e punësimit, raportet e parapëlqimeve partiake përmbysen krejt.
Nëse shikojmë punonjësit e ministrive, Bashkisë së Tiranës apo Policisë së Shtetit rezulton se ata i përkasin në shumicë dërrmuese votuesve të partisë socialiste. Votuesit e partive të tjera janë tërësisht në minorance në tërësinë e të punësuarve në administrate. Pothuaj në çdo institucion publik votuesit e PS-së janë mbi 60 për qind të të punësuarve, ndërsa ata të PD-së janë tri, katër apo dhe pesë here më pak.
Rasti më flagrant është ai i Bashkisë së Tiranës dhe e Policisë Bashkiake në varësi të saj. Aty mbi 80 për qind e të punësuarve janë votues të Partisë Socialiste. Kjo të kujton votimin e 2001 të ish qytetin Stalin ku PS mori mbi 80 për qind të votave.
Nuk mbeten pas edhe Ministria e Brendshme ku shumica dërrmuese, rreth 84 për qind e të punësuarve është votuese e PS-së.
Ajo çka është më shqetësuese është se kjo prirje vihet re edhe në institucionet e pavarura. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Këshillin e Lartë të Prokurorisë apo Këshilli i Lartë Gjyqësor punëson me shumicë votues të PS-së.
PUNËSIMI SIPAS NIVELIT TË KATEGORIVE
Në kategoritë e të punësuarve dallohet se sa më lartë shkojmë në kategorinë e punësimit, aq më shanse ka që dikush të jetë votues i PS-së. Nëse shikojmë kategorinë “përgjegjës sektori” apo “drejtor në administratë”, mbi 65 për qind e tyre janë votues të PS-së. Në të kundërt, po të shikojmë kategoritë “punëtor krahu” apo “punëtor krahu në minierë”, numri i votuesve të PS-së bie nën 40 për qind.
Këto raporte janë të vërteta për institucionet publike, ndërsa në kompanitë private apo komunitetet fetare raportet e të punësuarve në parapëlqimet e tyre partiake ruajnë raportet e popullatës në tërësi. Në kompanitë private, apo komunitetet fetare që verifikuam nuk duket se PS-istët nuk favorizohen më shumë se të tjerët. P.sh. në Komunitetit Musulman votuesit e PS-së përbëjnë 43 për qind të të punësuarve. Në kishën ortodokse ata janë dhe më pak duke përbërë 37 për qind të punësuarve.
Nga kompanitë private një përjashtim duket se është Integrated Energy BV, kompania e famshme e inceneratorëve, punonjësit e të cilës votojnë me shumicë dërrmuese për PS-në
NIVELI I TË ARDHURAVE
Edhe nëse bëjmë një analizë mbi nivelin e të ardhurave. rezulton se ata që Votojnë për PS-në kanë të ardhura më të larta se të tjerët. Votuesit e PS-së kanë të ardhura mesatare mbi 52000 lekë në muaj, ndërsa ata të PD-së kanë të ardhura mesatare bruto rreth 48000 lekë.
Kur shikojmë të ardhurat e larta vëmë re se personat me pagë mbi 2 milion lekë të vjetra në muaj janë rreth 48 për qind votues të PS-së. Ky numër është më i se raporti i votuesve të PS-së me popullatën në tërësi.
Përfundimisht, rezulton se në vendin tonë përkatësia partiake dhe mënyra se si voton ka të bëjë jo pak me vendin e punës ku punësohesh dhe me të ardhurat që ke.
Megjithatë, kjo nuk duhet t’i bëjë tepër optimistë servilët e partisë. Kjo pasi duhet të kemi parasysh se radha e servilëve tashmë është goxha e gjatë. Kështu që për të arritur përfitimet e dëshiruara edhe si servil i partisë duhet vërtetë shumë punë.

Lexo më shumë  Votë Ramës, shuplakë Kosovës

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

sqhrenfrdeit