BallinaLajme

Shqiptarët i kanë harruar kartolinat..

Deri pak pas viteve “90 ende i shijonim kartolinat; aromën e kartonit, ashtu si të librave, fotografinë mbi të dhe emocionin që na dhuronte përmbajtja e tekstit që shkruanim për personin që i dedikohej. Për festat e fundvitit, 7-8 mars, ditëlinjde, edhe ashtu kot, pa pretekst.

Na shijonte kur hapnim zarfin e një kartoline që na vinte me postë. Ishte krejt surprizë dhe dozat e entuziazmit rriteshin.

Emocionet u rritën kur nisi emigrimi pas hapjes së kufijve dhe llotaria amerikane dhe shumë familjarë e miq morën udhën për tokat e premtuara, me ta dhe malli që shkëmbehej për do kohë me kartolina dhe letra që kaplonin dete e oqeane.

Por me hovin që mori teknologjia dhe pasjen e shumë syreshëve me telefonë, kompjuter e mandej lap top, tablet, etj, kartolinat e humbën prakticitetin.

Ato i gjen ende në do kancelari apo librari, iniciativa start-up të të rinjve. Kushtojnë shumë pak dhe çmimi i dërgimit është po i ulët deri në  100 lekë drejt SHBA-ve, por i kërkojnë në mënyrë sporadike.

Dakuna_e është një start up prej pak vitesh në Instagram. Atë e ka ideuar një arkitekte e cila prodhon tot bags, gota, vizatime dhe kartolina me motive kryesisht nga trevat shqiptare. Vizatimet janë origjinale prej vetë arkitektes.

Në periudhën e karantinës së pranverës, ajo nisi një iniciativë për të bashkuar përmes kartilolinave njerëzit që nuk mund të vizitonin njëri-tjetrin.

“Jeni dashuria më e  madhe në jetë. Ju dua pafund dhe ju përqafoj nga larg. Kujdesuni për veten! Njeriu udhëton botën duke kërkuar çfarë i duhet dhe kthehet në shtëpi për ta gjetur. E vogla juaj. Prill 2020”.

Ky ishte teksti i një kartoline që ka bërë bashkë zemrat e një familjeje të ndarë fizikisht.

Teksa shumë syresh do ta përjetonin këtë periudhë izolimi të detyruar të dëshpëruar, të mërzitur, në depresion, me luhatje humori, dakuna_e e gjeti mënyrën të konfirmojë se fjala dhe dashuria nuk mund të prangosen, as të izolohen, ato mund të fluturojnë atje ku dëshiron ti ti shpiesh.

Lexo më shumë  Bulliqi dhe Aliu nënshkrujanë memorandum bashkëpunimi në vlerë mbi 1 milion euro

Në atë kohë pranvere gri, ajo do të vendoste të ndërmerrte një nismë; të ishte zëri i mallit, përqafimit dhe puthjeve mes njerëzve fizikisht larg.

“Mendova që të jem pjesë e një bashkëbisedimi ndryshe, mes njerëzve që i ka marrë malli për njëri-tjetrin. Të bëhej pak më i prekshëm ky komunikim. Një moment u bë shumë e lodhshme të rrish gjithë ditën në celular dhe kompjuter duke komunikuar” – tregon dakuna_e për gazetën “Si”, por sipas saj e kërkoi ajo këtë iniciativë sepse “kartolinat aty qenë në faqen e instagramit si produktet e tjera dhe askush nuk i kërkonte”.

Kartolinat e dakuna_e janë një simbol i kthimit në një kohë që siç e quan ajo mbizotëronte çiltërsia, sinqeriteti dhe ndjenjat e vërteta.

“Nga koha e kartolinave mbaj mend kohën e 8-vjeçares kur ne i dërgonim njëri – tjetrit në klasë kartolina. Madje i kam të ruajtura akoma. Nuk i kuptoja kartolinat me fëmijë në atë moment, po tani mendoj se ne tentonim të ktheheshim në fëmijëri. Mendoj se kartolina ka një çiltërsi brenda dhe një mesazh të sinqertë si një fëmijë. Një urim të mirë! Tani është shumë ndryshe. Në atë kohë ishin dedikime personale për mua. Tani unë përjetoj ritmin dhe tekstin e të tjerëve dhe përfshihesh në atë histori ose emocion. Diçka shumë e veçantë, por që në treg nuk funskionon”- thotë ajo.

Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe kancelaritë dhe libraritë ku shiten kartolinat.

Kërkesa për to është tejet sporadike, ka humbur shija e të shkruarit kartolina.

Lexo më shumë  Gërvalla: Ndryshimi i kufijve mund të nisë një luftë në Ballkan  

Kartolina e parë mendohet që daton në 1700 e ca, por nuk ka fakte konkrete. Faktet për kartolinën postale datojnë më 1865 në Gjermani me propozimin e një funskionari të postës Henrich Von Stephan, por u përdor masivisht për herë të parë nga postat Austro-Hungareze më 1/10/1869 si një instrument i ri komunikimi, i shpejtë dhe ekonomik.

Kartolina e parë shqiptare

Kartolina e parë  shqiptare ka dalë për herë të parë në vitin 1913. Ishte  një pikturë e cila më pas u shndërrua në kartolinë. Ishte momenti kur Ismail Qemali lajmëron për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe më pas ngre Flamurin e Skëndërbeut, nga ballkoni i shtëpisë së Flamurit, në Vlorë.

Autori i kësaj pikture ka mbetur anonim, por ajo kartolinë është punimi i parë dhe i vetëm që tregon momentin e ngritjes së Flamurit në 28 Nëntor të vitit 1912.

Sipas studiuesit, Fahri Shaska, që e ka bërë  publike këtë kartolinë, për herë të parë, kartolina është prodhuar vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë.

Momenti i ngritjes së  Flamuri Kuq e Zi, mbulon një pjesë të ballkonit ndërsa element i dytë i kësaj kartoline është edhe Ismail Qemali.

Kartolinat në Europë

Kërkesa për kartolina është zbehur edhe në Europë, por ka ende shumë syresh që e mbajnë gjallë.

Shumica e kartolinave janë të shtypura në Suedi

Në vitin (2019) e shkuar, 59.5 milion kartolina u shtypën në BE. Kjo shumë ka qenë relativisht e qëndrueshme që nga viti 2017, pas rënieve të konsiderueshme në vitet e mëparshme. Megjithatë, ajo ra me 41% krahasuar me 2009. Në 2019, më shumë se dy të tretat e kartolinave u shtypën në vetëm tre vende: Suedi (14.5 milion; 24% e të gjitha kartolinave të shtypura në BE), Gjermani (13.9 milion; 23 %) dhe Spanja (11.8 milion; 20%).

YouTube player