Regjistrohet një parti e re serbe në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar Iniciativën Srpska Demokratija, si partinë më të re në Kosovë.
Kjo është bërë në mbledhjen e KQZ-së që është mbajtur të mërkurën.
Kryetar i kësaj partie është Aleksandar Arsenijeviq, më parë udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”.
Ai ka qenë kandidati i vetëm serb për kryetar të Mitrovicës së Veriut në zgjedhje e kaluara, e që ishte tërhequr nga gara para mbajtjes së tyre.
Arsenijeviq njihet mes serbëve të veriut për kritikën e tij të vazhdueshme ndaj Listës Serbe.
“Mund të them se edhe nëse e sjellin Nënë Terezën në krye të Listës Serbe, nuk mendoj se do të ndryshojë asgjë”.
Kështu ka vlerësuar ai për zgjedhjen e Zllatan Ellek në postin e presidentit të asaj partie politike.
Ai më tej ka thënë se Lista Serbe ka nevojë për psikiatër, jo për kirurg.
“Mendoj se në krye të asaj partie duhet të vijë një mjek psikiatër, sepse pas dhjetë vjetësh që po bëhet një politikë e tillë… nuk është politikë, por tragjedi”, ka thënë me ironi ai.
Rruga Press