Pishë Poro–Nartë po betonizohet mes zonës së mbrojtur dhe heshtjes institucionale
Shkruan Abdulla Diko
Zona e mbrojtura mjedisore “Pishë Poro ‒ Nartë” po betonizohet.
Aty, në atë tokë që për shumë njerëz nuk është thjesht një vend në hartë, por kujtim, jetë dhe frymëmarrje. Një vend ku era e detit përzihet me kripën, me peshkatarët që zgjohen para agimit, me zërat e fëmijëve që janë rritur mes pishave dhe lagunës së Nartës.
Pikërisht në atë vend, ka “mbirë” betoni, dhe është rrethuar me gardh hekuri.
Makineritë janë larguar përkohësisht, sa për të mos u dukur në ditë proteste si kjo. Nuk ka tabelë informuese siç duhet të ketë një projekt ndërtimi.
Plot 6 milionë metra katrorë tokë jan rrethuar me gardh hekuri e betoni.
Thuhet se do ndërtohen 10 mijë dhoma luksi aty. Ndërtesa 8 kate e me shumë.
Rrugë dhe infrastrukturë moderne.
Me pak fjalë – një qytet i tërë brenda një zone të mbrojtur, në pjesën më të mirë të bregdetit tonë.
Tani pyetja më normale është: çfarë kuptimi ka fjalia “Zonë e mbrojtur” nëse brenda saj vendos një super-qytet?
Ne e dimë se si funksionon shteti me njerëzit e zakonshëm. Për një dritare banjoje pa leje, të sorollasin dyerve të institucioneve deri sa të mërzisin jetën.
Të kërcënojnë me gjoba, me burg, të poshtërojnë derisa të detyrohesh të vrasësh veten. Por kur dikush vendos gardhe hekuri si kufinj shtetesh në luftë, në mbi 600 hektarë tokë në zonë ligjërisht të mbrojtur, konsiderohet normale.
Gjithçka dhe gjithëkush që duhet të flasë – hesht.
Ndërsa flitet për zhvillim, askush nuk flet për njerëzit që jetojnë aty.
Për familjet që janë mbajtur me peshkimin dhe që prej dy vitesh nuk lejohen më të peshkojnë në Nartë. Për burrat që kanë kaluar jetën në det dhe që sot ndihen të huaj në vendin e vet. Për të moshuarit që, edhe tani në pension, po detyrohen të largohen nga Shqipëria sepse nuk po u mbetet më asgjë këtu.
Pastaj ndodh që sa herë ngrihet zëri kundër këtyre projekteve, del i njëjti premtim apo dhe argument: “do përfitojë komuniteti lokal”, “do hapen vende pune”, “do zhvillohet zona”, etj.etj.
Por realiteti sot, nga Alpet shqiptare e deri në Ksamil, tregon krejt të kundërtën. Vendi është mbushur me punëtorë afrikanë dhe aziatikë, ndërsa të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të largohen. Shkoni në Palasë dhe shiheni vetë, ku nga qindra të punësuar – mezi gjen tek-tuk ndonjë shqiptar që punon ende aty. Kjo nuk thuhet me urrejtje ndaj askujt që vjen të punojë ndershmërisht, por me dhimbjen për njerëzit tanë që po humbin vendin në tokën e vet.
Dhe më tej, kush nga shqiptarët e thjeshtë mundet të futet sot në resortin e Palasës fjala vjen?
Askush!
Sepse shteti ka lejuar ngritjen e një super-muri atje, që dhe nëse i afrohesh – përfundon në burg. Jo më të guxosh e të futesh, pavarësisht se tokë shqiptare është.
Vlonjatët nuk kanë nevojë të kthehen në shërbëtorë të pasanikëve të botës, në brigjet e tyre ku janë lindur e rritur. Nuk kanë nevojë të punësohen si pjatalarës apo mirëmbajtës vilash për milionerët e globit, ndërkohë që toka, deti dhe e drejta mbi vendin e tyre u merret dalëngadalë, në forma të tilla. Ata janë mbretër e zotër të asaj toke. Janë bijtë e atij bregu.
Dhe nuk e meritojnë këtë poshtërim.
Kjo është ajo që dhemb më shumë.
Jo vetëm betoni.
Por ndjesia se po ta marrin në këtë menyre gjithçka që ke dashur, që i ke kushtuar jetën e brezave, djersën, mundin dhe dashurinë e tyre:
Detin,
Tokën,
Qetësinë,
Natyrën,
Kujtimet,
Dinjitetin,
Të drejtën për të jetuar normalisht në vendin tënd.
Dhe pastaj të thonë se kjo bëhet për turizëm, për botën, për investitorët…
Por deti dhe toka jonë nuk janë për botën së pari. Janë për ne. Për njerëzit që kan lindur e jetojnë këtu. Për komunitetin lokal. Për vlonjatët. Për shqiptarët.
Zona e mbrojtur nuk ekziston që vetëm disa njerëz të pasur të mund ta shijojnë nga ballkonet private. Ajo ekziston sepse natyra ka nevojë për mbrojtje. Sepse ka funksione ekologjike për të përmbushur. Sepse ka jetë. Sepse e kemi detyre shtetërore dhe kombëtare.
Pishë-Poro nuk është luks.
Nuk është resort.
Nuk është projekt qejfi.
Është një pjesë e shpirtit të këtij vendi.
Kur sheh gardhet aty, nuk sheh vetëm hekur e beton sot. Sheh një kufinj të pakalueshëm pastaj, që po ngulen mes njerëzve dhe atdheut të tyre. Një kufi i cili nuk do mund të kapërcehet kurrë më. KURRË!
Prandaj të shtunën dhe njerëzit dolën aty. Jo sepse urrejnë zhvillimin. Por sepse duan të mbrojnë diçka që nuk mund të ndërtohet më kurrë pasi të shkatërrohet.
Sepse po nuk u shembën gardhet që ndërtohen në këtë mënyrë, po nuk u hoqën ato mure, ato kufinj hekuri atje, ajo tokë që sot e quajmë tonën, nesër do të bëhet varri i kujtesës sonë kolektive.
Shqipëria nuk është një kontinent pa fund që mund të përballojë çdo çmenduri betoni. Jemi një vend i vogël, me një vijë bregdetare të kufizuar, dhe edhe atë po e humbasim vit pas viti nga erozioni. Toka po hahet nga deti në një anë, ndërsa në anën tjetër po mbulohet me beton e resorte që nesër mund të mos i përkasin më asnjë shqiptari. Ose mund të mbeten bosh si shumë ndërtime pa frymë që shohim sot nëpër bregdet.
Mjafton të shohësh Golemin për të kuptuar se çfarë ndodh kur lakmia ndërton më shpejt se arsyeja. Dhe ndërkohë që toka zvogëlohet, edhe ne si komb po zvogëlohemi. Po ikim, po shpërndahemi, po asimilohemi. Një popull i vogël nuk ka luksin të humbasë tokën, detin dhe identitetin e vet njëkohësisht.
Duke se këtë vendin tonë të mrekullueshëm, ka vend për gjithë botën, por jo për ne shqiptarët.
Nëse heshtim sot, nesër nuk do kemi më ATDHE.
Nuk do të kemi më det, tokë, kujtime. Do të vijë një ditë kur fëmijët tanë do ta shohin këtë vend vetëm pas gardheve dhe kufinjve të tillë, ndërsa ne s’do kemi tokë as për varret tona.
Ne nuk e meritojmë këtë.
Asnjë shqiptar nuk e meriton këtë.

