Zgjedhjet në Kosovë – Numri i aplikimeve për votim nga diaspora thyen rekordin e vitit 2021
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se me t’u mbyllur periudha për regjistrimin e votuesve nga jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, janë pranuar mbi 142,803 kërkesa për regjistrim.
Me 142 mijë kërkesa për votim nga jashtë vendit, diaspora ka shënuar numrin më të lartë të aplikimeve, duke kaluar edhe zgjedhjet e vitit 2021, kur ishin regjistruar rreth 130 mijë aplikime.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se mbi 109 mijë prej tyre janë aprovuar, mbi shtatë mijë janë refuzuar, ndërsa mbi 25 mijë të tjera janë në pritje për shqyrtim.
Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, sipas tij, është votimi përmes postës.
“Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim. Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855 të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka deklaruar ai.
Ai tutje ka njoftuar se votimi përmes postës do të zhvillohet më herët, nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërkaq votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.
“Për votimin me postë, janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën dhe adresat e tyre do të bëhen publike gjatë kësaj jave. Kurse, për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet ky lloj votimi. Sipas vendimit fillestar, procesi i votimit planifikohej të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata”, ka theksuar ai.
Rruga Press

