BallinaBota

Ngjarjet që shenjuan 365 ditët në botë, kryefjala ishte pandemi

Nuk kishte asnjë mënyrë për të ditur në fund të vitit 2019 se çfarë mbante “treni” i vitit 2020 për njerëzimin. Megjithatë, bota kishte parë prej kohësh disa shenja paralajmëruese: racizmi, uraganet në të gjithë botën dhe një klimë gjithnjë e më e paqëndrueshme që ishte tashmë një kërcënim për botën moderne. Një President i pazakontë po bëhej gati të përballej me publikun pas katër vitesh në detyrë duke paralajmëruar edhe trazira të mundshme elektorale. Dhe më e rëndësishmja, tanimë ishin shfaqur rastet e para të një sëmundje vdekjeprurëse në Wuhan, por të paktën amerikanëve, u dukej se ishte problemi i tjetër kujt.

Treni i 2020-tës solli shumë zhvillime, vrasja e George Floyd në SHBA, një fushatë e ashpër politike e shoqëruar nga akuza të pabazuara për mashtrim zgjedhor në SHBA, shpërthimi në Bejrut, tensionet me Iranin, lufta në Nagorni Karabak dhe pandeminë më të rëndë që bota ka parë në më shumë se një shekull. Por në mes të këtyre tragjedive kishte guxim, kishte hir, kishte sakrifica, kishte shpresë, kishte njerëz që përballeshin me më të keqen për të qenë më të mirët e tyre.

Viti nisi me ankth dhe me frikën e një lufte tjetër të madhe pasi komandanti i lartë iranian Qasëm Soleimani u vra gjatë një sulmi me dron amerikan në Irak më 3 janar, disa ditë protestuesit pro-iranianë sulmuan ambasadën amerikane në Bagdad. Irani është hakmarrë duke lëshuar një breshëri raketash në bazat ushtarake në Irak, që strehonin trupat amerikane. Të njëjtën ditë, ai rrëzon një avion ukrainas “gabimisht” pak pasi u ngrit nga Teherani, duke vrarë 176 personat në bord. Tensionet rriten përsëri në fund të nëntorit kur u vra shkencëtari i lartë bërthamor iranian Mohsen Fakhrizadeh. Për vrasjen e tij, Teherani fajësoi Izraelin. Por kjo krizë do të harrohej ditën që Kina njoftoi zyrtarisht viktimat e para nga një virus misterioz, i cili coi si asnjëherë tjetër planetin në kaos. Imazhet e AFP-së së një njeriut të vdekur në një trotuar të Wuhan, i maskuar, me një qese plastike në dorë, dëshmojnë terrorin që u përhap në qytet, edhe pse asnjë zyrtar ende nuk kishte konfirmuar shkakun e vërtetë të vdekjes së tij.

Wuhan

Pandemia

Ndërsa 2020-ta mbaron dhe njerëzit përpiqen të kuptojnë se si bota rreth tyre ka ndryshuar, ata përballen me një statistikë të zymtë dhe brutale. Numri i njerëzve që kanë vdekur pasi u infektuan me Covid-19, po arrin në dy milionëve. Koronavirusi ka infektuar deri më tani më shumë se 67 milion njerëz, ndikoi në 80% të vendeve të punës dhe vendosi miliarda njerëz në izolim. Në fillim të vitit, udhëtimet ndërkombëtare u ndaluan, dhe njerëzit mësuan si asnjëherë tjetër për rëndësinë e pajisjeve mbrojtëse personale. Vendet në të gjithë botën u përballën me mungesa maskash, dezinfektantësh por edhe respiratorësh.

Ndërsa COVID-19 u përhap, vendet dhe qytetet në të gjithë botën hynë në bllokim me mbylljen e shkollave, mjediseve kulturore dhe sportive dhe të gjitha bizneseve jo thelbësore

 Për herë të parë, qendrat e qyteteve, përfshirë edhe qytetin që nuk fle kurrë: Nju Jorkun, u kapluan nga heshtja ndërsa njerëzit qëndronin në shtëpi, shpesh të ndarë nga të afërmit dhe njerëzit e dashur.

 Më 11 shkurt, OBSH përcaktoi sëmundjen e re, të quajtur COVID-19. Katër ditë më vonë, Franca njoftoi vdekjen e parë të regjistruar jashtë Azisë. Europa shikon me tmerr ndërsa pjesa veriore e Italisë kthehet në epiqendrën e sëmundjes në kontinent.

Tmerri u bë global dhe gara e vaksinave filloi tashmë. Një kompani e vogël gjermane, BioNTech, la mënjanë kërkimet e saj mbi kancerin për t’u përqendruar në një projekt të ri. Në mars Orlando Gualdi, kryetari i bashkisë së Vertova në Lombardi, ku u regjistruan 36 të vdekur në 25 ditë deklaroi se 2020 do të ishte më keq se një luftë …

Në mes të prillit, 3,9 miliardë persona, gjysma e njerëzimit, përjetuan në një formë apo tjetër kufizimin. Nga Parisi në Nju Jork, nga Delhi në Lagos dhe nga Londra në Buenos Aires, heshtja joreale e rrugëve të shkreta prishet vetëm nga sirenat e ambulancave të cilat na kujtojnë se vdekja përgjon.

Për dekada, shkencëtarët kanë paralajmëruar rrezikun e një pandemie globale pa u dëgjuar.

Në një ekonomi të globalizuar, zinxhirët e furnizimit të mbyllur bënë që blerësit në panik të nxitojnë në raftet e supermarketeve. Investimet e pamjaftueshme kronike në strukturat shëndetësore publike u ekspozuan brutalisht me spitalet që përpiqeshin të mbajnë në këmbë njësitë e tyre të mbingarkuara të kujdesit intensiv. Personeli i paguar keq dhe i mbingarkuar me punë luftoi pa mbrojtje.

Në pranverë pjesa më e madhe e njerëzve po punonin nga shtëpia. Video-konferencat zëvendësuan takimet e biznesit, udhëtimet dhe festimet. Në maj, pandemia shkaktoi mbylljen e 20 milionë vende pune në SHBA.  “Kjo eksperiencë e pandemisë është unike në jetën e çdo qenieje njerëzore mbi Tokë”, thekson Sten Vermund, epidemiolog specialist për sëmundjet infektive dhe dekan i Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin e Yale. “Në një mënyrë apo tjetër secili prej nesh është prekur nga kjo”, shton ai. “Për të marrë koronavirusin, gjithçka që duhet të bësh është të marrësh frymë në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar.”

Banka Botërore parashikon që deri në vitin 2021, 150 milionë persona mund të bien në varfëri ekstreme si rezultat i recesionit. Pabarazitë sociale që janë zgjeruar gjatë viteve janë tashmë më të dukshme se kurrë. Qeveritë po përgatiten të administrojnë miliona doza duke filluar me të moshuarit, personelin shëndetësor dhe kategoritë më të prekshme, përpara se të shtrijnë vaksinimin në pjesën tjetër të popullatës, e vetmja mënyrë e mundshme për tu kthyer në normalitet.

Në dhjetor, Britania e Madhe u bë vendi i parë perëndimor që autorizoi vaksinën Pfizer/ BioNTech, me Kinën dhe Rusinë që tashmë kishin filluar fushatat e vaksinimit me vaksinat e tyre. Po ashtu edhe SHBA-ja dhe Europa. Me vendet më të pasura që nxitojnë për të krijuar stoqe, 2021 duhet të hapet me konkurrencë ndërkombëtare rreth vaksinave: Kina dhe Rusia do të luftojnë për të promovuar të tyret, më lirë, kryesisht në Afrikë dhe Amerikën Latine.

Është e vështirë në këtë fazë të vlerësosh gjurmët e qëndrueshme që do të lërë pandemia  në shoqëri. Për disa ekspertë, mund të duhen vite para se të arrihet imuniteti masiv. Të tjerët po vënë bast për një kthim në gjendje normale deri në mes të vitit 2021.

Lexo më shumë  Rusët u dërguan në bazën ajrore të Nigerit të pushtuar nga trupat amerikane

Për disa, pandemia mund të favorizojë një qasje më fleksibël për punën nga shtëpia apo dhe një rilokalizim të pjesshëm të zinxhirëve të prodhimit.

Të tjerë argumentojnë se frika e grumbullimeve masive do të ketë pasoja të thella për transportin, turizmin dhe ngjarjet sportive dhe kulturore dhe turizmin.

Ndikimi në liritë civile është një tjetër burim shqetësimi. Sipas analistëve të Freedom House, demokracia dhe të drejtat e njeriut janë përkeqësuar tashmë në 80 vende.

Zgjedhjet amerikane

Me një përçarje të tillë Amerika do të hynte në fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit, që do të vinin përballë njëri-tjetrit Donald Trump, që garonte për një mandat të dytë dhe Joe Biden, ish-zëvendës president i Shteteve të Bashkuara.

Çështjet qendrore të fushatës do të bëheshin: shëndeti publik dhe impakti ekonomik i pandemisë së COVID-19, trazirat civile pas vrasjes së Floyd dhe vendi vakant i kryetares së Gjykatës Supreme pas vdekjes së gjyqtares ikonë të drejtësisë Ruth Bader Ginsburg.

Biden dhe Harris nuk humbën kohë, por u përfshinë direkt në betejën për Shtëpinë e Bardhë. Në takimin e parë elektoral të zhvilluar së bashku, ata bënë sulme të forta ndaj karakterit dhe performancës së presidentit Trump.

Nga ana e tij, Trump e quajti Harris një “radikale të majtë”, dy tipare që mbështetësit e tij nuk i pëlqenin. Me sulmet personale të nisura nga të dyja kampet, fushata 10-javore që i parapriu zgjedhjeve të nëntorit u duk se do të ishte e hidhur dhe luftarake.

Sidoqoftë, replikat do të vazhdonin dhe do të kulmonin më 29 shtator, në debatin e parë presidencial mes dy kandidatëve. Në përfundim të debatit, i konsideruar më i ndjekuri në historinë e Shteteve të Bashkuara, lindi natyrshëm pyetja: Cili ishte fituesi? Analistët amerikanë ia atribuuan fitoren Joe Biden, por e konsideruan atë një fitore të pjesshme, e arritur për shkak të performancës së dobët të Trump.

Nga ana tjetër, votuesit me ngjyrë u shprehën të frustruar nga deklaratat e paqarta të kreut të shtetit mbi supremacistët e bardhë. Ata deklaruan se vendi kishte nevojë për një lider që të ofronte paqe dhe qetësi për të gjitha komunitetet dhe jo një president, shembullin e të cilit nuk do ta ndiqte askush.

Ndërkohë, debati i dytë presidencial i planifikuar më 15 tetor në formë virtuale për të shmangur kontaktin nga frika e COVID-19, u anulua pasi dy rivalët kishin njoftuar plane alternative për atë ditë. Por kjo nuk ishte arsyeja e vërtetë. E vërteta ishte se Trump, sikurse kishte thënë, nuk dëshironte të humbiste kohë me një debat virtual.

I treti të shënonte një ndryshim radikal në formatin e debateve. Për të shmangur ndërprerjet dhe fyerjet personale, stafi organizativ i tij do të kishte mundësinë t’u fikte mikrofonët dy rivalëve. Gjithashtu, për herë të parë, debati do të drejtohej nga një grua.

Në shansin e fundit për të ndryshuar dinamikën e garës së rizgjedhjes ndaj kandidatit demokrat Joe Biden, presidenti Trump u duk se e kishte kuptuar se përsëritja e qasjes së tij agresive që u verifikua në debatin e parë do të kishte qenë një katastrofë.  

Deri më 3 nëntor, dita zyrtare e zgjedhjeve, kishin votuar rreth 90 milionë amerikanë. Votat ishin hedhur në mënyrën tradicionale dhe sidomos me postë për shkak të pandemisë. Dhe, për shkak të numrit të madh të votave të tilla, disa nga shtetet e konsideruara “të lëkundura” regjistruan vonesa në numërimin e tyre. Kjo bëri që shumë media të vononin projeksionet e tyre që nxirrnin Biden dhe Harris fitues.

Vetë Trump nuk do të vononte të shprehej i bindur për fitoren gjatë një fjalimi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën e 4 nëntorit, kur shumë shtete kyçe duhej ende të njoftonin rezultatet.

Por, teksa votat elektorale po shkonin në favor të Biden, Trump dhe shumë figura të Partisë Republikane do të përpiqeshin të përmbysnin rezultatin, duke bërë deklarata të paprovuara për shkelje dhe manipulime gjatë procesit të numërimit.

Një ditë më vonë, në cilësinë e presidentit të zgjedhur, Biden do të garantonte qytetarët amerikanë se administrata e tij do ta mposhtte epideminë e koronavirusit. Në një dalje për mediat, Biden deklaroi se, Amerika do të ringrihej edhe më e fuqishme se më parë.

Por kontestimi i rezultatit nga presidenti në detyrë dhe refuzimi i tij për të lëshuar postin do të shënonin një historik të paprecedent në Shtetet e Bashkuara. Kurrë më parë nuk ishte verifikuar një situatë e tillë, që binte ndesh me traditat demokratike të Amerikës.

Shumë shpejt, Trump do të niste paditë ligjore për të kërkuar rinumërimin në disa shtete, ndërsa Biden do të merrte telefonatat e urimit nga liderët e vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara dhe do të shtonte daljet në media, gjë që reflektonte rrugën e pashmangshme të tij drejt pushtetit.

Në daljen e radhës, teksa shtete të ndryshme shqyrtonin pretendimet e Trump, Biden do të premtonte rikthimin e Amerikës tek vlerat e saj dhe tek influenca e saj në rang global. Me pak fjalë, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara do të udhëhiqnin botën sërish.

Nga ana tjetër, zyrtarët në secilin nga 50 shtetet e Amerikës deklaronin se nuk kishte prova për shkelje sistematike, apo parregullësi gjatë proceseve të votimit dhe numërimit. Madje, vetë prokurori i përgjithshëm William Barr, i zgjedhur nga Trump, do të konfirmonte deklaratat e tyre, duke bërë që pretendimet e kreut të shtetit të rezultonin gjithnjë e më false.

Por stafi elektoral i Trump dhe ekipi i tij ligjor do të vijonin betejën e tyre për të përmbysur rezultatin. Por në fillim të dhjetorit nga Gjykata Supreme e Drejtësisë, do të hidhte gjithashtu poshtë përpjekjet e tij për të ndryshuar rezultatin, këtë herë në shtetin e Teksasit. Vendimi i gjykatës ishte një goditje e rëndë nisur nga fakti se institucioni drejtohej tashmë nga gjyqtarja Amy Conney Barret, e zgjedhur nga Trump pak javë përpara zgjedhjeve.

Gjërat do të shkonin në favor të Biden pak ditë më vonë, kur ai do të shpallej zyrtarisht presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara, pas verdiktit të dhënë nga anëtarët e Kolegjit Elektoral, të cilët miratuan rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit. Në fjalën e tij të parë si president zyrtar, Biden iu drejtua kombit duke u shprehur se demokracia u vu në provë, por në fund të fundit triumfoi.

Lexo më shumë  Borrell: Në Gaza ka uri të plotë, po përparon drejt jugut

Lufta në Nagorno Karabak

Në fillim të 2020-ës akush nuk e kishte planifikuar një luftë të re për rajonin e Nagorni-Karabakh, por Armenia dhe Azerbajxhani do të përfshiheshin në një përplasje të madhe ushtarake që u mori jetën dhjetëra civilëve dhe la mijëra të tjerë pa shtëpi.

Fillimisht dy vendet raportuan se qëlluan nga ana tjetër përtej kufirit të tyre të përbashkët, në perëndim të rajonit të shkëputur por incidentet çuan në luftime të ashpra midis azerëve dhe forcave armene etnike, duke detyruar të dyja vendet të sulmonin ushtarakisht.

Incidentet u përshkallëzuan megjithë thirrjet urgjente nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët për të ndalur luftimet. Armenua dërgoi në rajon dhjetra tanke dhe mijëra ushtarë, por Azerbajxhani vendosi të sulmonte kryesisht vetëm me dronë të avancuar, duke bombarduan bazat armene në rajon, mjetet ushtarake dhe tanket.

Përdorimi i armëve të avancuara nga ana e Azerbajxhanit ushqyen krizën më të madhe ndonjëherë në rajonin e Nagorno-Karabakut që nga shpërthimi i konfliktit pas shpërbërjes së Bashkimit Sovietik, më shumë se tri dekada më parë.

“Njerëzit po përpiqen të gjejnë një strehë të sigurtë për të shmangur përshkallëzimin dhe dhunën”, thotë Eteri Musayelyan nga Komiteti ndërkombëtar për misionin e Kryqit të Kuq në Nagorni Karabak.

Me rritjen e numrit të viktimave, diplomati i lartë i Kremlinit ndërmjetësoi një armëpushim të përkohshëm në bisedimet maratonë të ditëve të fundit në Moskë. “Armëpushimi u shpall nga ora 12 më 10 tetor 2020 për arsye humanitare, dhe synonte shkëmbimin e robërve të luftës, të të ndaluarve tjerë dhe trupave të viktimave”, tha Sergey Lavrov, Ministër i jashtëm rus.

Paqja zgjati më pak se një ditë, duke shfaqur kështu limitet e ndikimit rus në një rajon ku dikur kishte ndikim. Turqia, vend anëtar i NATO-s, shfrytëzoi vakumin duke shfaqur mbështetje për Azerbajxhanin në përpjekje që të zgjerojë ndikimin e saj në jug të Kaukazit.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev njoftoi më 8 nëntor se forcat e vendit të tij kishin marrë Shushin, vendbanimin e dytë më të madh në Nago-Karabak. Ky njoftim bëri që shumë njerëz të dilnin në rrugët e Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, për të festuar.

Ministria e Mbrojtjes de facto e Nago-Karabak tha se kishte regjistruar edhe 44 viktima të tjera midis forcave të saj, duke e çuar numrin e vdekjeve ushtarake në 1,221 që kur shpërthyen luftimet me ushtrinë azerbajxhanase më 27 shtator.

I gjendur përballë një fuqie ushtarake më të madhe, më 9 nëntor kyeministri i Armenisë njoftoi se kishte nënshkruar marrëveshje me presidentin e Azerbajxhanit dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftimeve deri në arritjen e një marrëveshje të plotë politike.

Armenët e Nagorno-Karabakh zbatuan strategjinë e tokës së djegur, duke u vënë flakën shtëpive dhe gjithçkaje tjetër që mund të shfrytëzohet nga azerët në momentin që do të marrin kontrollin e disa fshatrave sipas marrëveshjes së paqes së ndërmjetësuar nga Rusia.

Vrasja e afro-amerikanit George Floyd

Më 25 maj të 2020-s, Floyd u arrestua pasi dyshohej se kishte përdorur një kartmonedhë 20-dollarëshe të falsifikuar në një dyqan ushqimesh në Mineapolis.

Ai ndërroi jetë pasi Derek Chauvin, një oficer policie i bardhë i vendosi gjurin në qafë duke e mbajtur të bllokuar për më shumë se 8 minuta gjatë arrestimit. Në ato momente Floyd ishte i prangosur dhe i shtrirë në rrugë. Ndërkohë, tre oficerë të tjerë kujdeseshin për mbajtjen e tij të neutralizuar dhe pengonin ndërhyrjen e kalimtarëve.

Gjatë dy minutave të fundit, Floyd ishte pa ndjenja dhe nuk kishte puls. Edhe pse oficerët kërkuan asistencë mjekësore, vetë ata nuk ndërmorën asnjë veprim për ta ndihmuar. Oficeri Chauvin e mbajti gjurin në qafë derisa ekipet mjekësore mbërritën.

Pas vdekjes së Floyd, fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në të gjithë botën u mbajtën protesta masive kundër përdorimit të forcës nga policia ndaj të dyshuarve me ngjyrë. Manifestimet filluan në Mineapolis një ditë pas vdekjes dhe u përhapën nëpër qytetet e 50 shteteve amerikane dhe ndërkombëtarisht. Në Shtetet e Bashkuara, nisur nga pjesëmarrja, ato u klasifikuan si protestat më të mëdha në histori.

Nuk vonoi shumë dhe në manifestime u verifikuan incidente të dhunshme. Në natën e tretë të tyre, një komisariat policie u dogj në Mineapolis, në shenjë rebelimi ndaj brutalitetit policor.

Trazirat vazhduan pavarësisht se guvernatori i shtetit të Minesotës urdhëroi vendosjen e disa qindra efektivëve të Gardës Kombëtare për të rivendosur rendin.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump reagoi duke deklaruar se një grup “banditësh” po turpëronin kujtesën e George Floyd. Por as deklarata e Trump dhe as plumbat e gomës të përdorur nga policia do të ndalnin manifestuesit. Majde, ishte radha që tubimet të zhvendoseshin në Evropë. Kështu, pak ditë nga vrasja, një grup i madh protestuesish u mblodhën jashtë selisë së ambasadës amerikane në Londër.

Vazhdimi i protestave, i akteve të dhunës dhe menaxhimi i situatës, tashmë e dalë tërësisht nga kontrolli, do të ndikonin shumë shpejt edhe në politikë, në një kohë kur nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit mungonin vetëm pak muaj.

Më 22 korrik, presidenti Donald Trump njoftoi se planifikonte të dërgonte forcat federale në disa qytete, në përpjekje për të shtypur protestat.

Një ditë më vonë, kandidati demokrat për president, Joe Biden akuzoi administratën Trump për përdorimin e “taktikave skandaloze” për të vënë nën kontroll manifestimet, duke nënvizuar se reagimi duke dërguar agjentë federalë po shkaktonte përçarje në vend.

Shpërthimi në Bejrut

https://youtube.com/watch?v=41CCFYOy6Ww%3Ffeature%3Doembed

Kryeqyteti i Libanit është shkatërruar në muajin gusht nga një prej shpërthimeve më të mëdha jo bërthamore në histori. Një zjarr ka përfshirë rezerva prej gati 3,000 tonëve të nitratit të amonit, që janë lënë në pakujdesi afër portit të qytetit. Si pasojë e shpërthimit, shumë shtëpi janë hedhur në ajër. Më shumë se 200 persona kanë vdekur dhe mijëra janë plagosur, situatë që ka nxitur protesta masive dhe dëme ekonomike.

Për libanezët, shpërthimi i fuqishëm që goditi Bejrutin në fillim të gushtit nuk ishte asgjë më shumë e asgjë më pak sesa një “Hiroshimë” e dytë.  

Ajo raportohet të ketë shpërthyer duke tronditur kryeqytetin libanez duke plagosur 4.000 persona dhe duke dërguar një valë shoku në të gjithë qytetin që dëmtoi ndërtesat dhe shpërtheu dritaret deri në 10 kilometra larg.

Shpërthimi ishte aq i fortë sa u ndje gjithashtu 240 km larg në ishullin e Qipros, në Mesdhe, me qipriotët që menduan se ishte një tërmet.si/

Rruga Press

YouTube player