KryesoreOpinion/Aktualitet

Në 9 vjetorin e marrëveshjes Thaçi – Daçiq

Në 8 mars të vitit 2011 qeveria e atëhershme filloi bisedimet politike me Serbinë të cilat i quajti bisedime teknike. Këto bisedime filluan vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, tetë muaj pas fitores së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) e cila vulosi legalitetin e shpalljes së pavarësisë, 5 muaj pas rezolutës së OKB-së e cila bënte thirrje për dialog për promovim të bashkëpunimit, progresit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve, dhe as 3 muaj pas “të gjeturave” të Raportit Dick Marty.

Ky ishte sfondi kur filluan bisedimet “teknike” me Serbinë, pra në kulmin e arritjes së shtetësisë së Kosovës pas vendimit të GjND-së dhe me një rezolutë të OKB-së që bënte thirrje për përmirësim të jetës së njerëzve.

Si pjesë e opozitës së atëhershme ne jo vetëm kemi kundërshtuar bisedimet politike me Serbinë, madje duke kaluar edhe një rezolutë me 10 mars 2011 në Parlamentin e Kosovës, por edhe kemi protestuar.

Kemi kundërshtuar jo sepse nuk donim kurrfarë dialogu me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por sepse nuk donim negociata politike për çështje të brendshme të Kosovës. Për më keq, këto bisedime politike, e që në fakt ishin negociata për çështje të brendshme, udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë. Ishin pa parime, pa kufizime dhe pa transparencë.

Ende pa u bërë një vit nga fillimi i dialogut, me 24 shkurt 2012 na sillet marrëveshja e parë politike që njollosi pavarësinë e Kosovës edhe tekstualisht duke i vendosur pavarësisë një fusnotë. Fusnota i bishtnohet pavarësisë duke e ngrehur nga pas UNMIK-un tashmë 10 vjet. Ne protestuam edhe kundër kësaj fusnote kurse ata që e sollën na thanë se ishte një fjollë bore që do shkrihej me ardhjen e pranverës.

Lexo më shumë  Tentakulat e mafies shqiptare, në mediat ndërkombëtare

Një vit pas njollosjes së pavarësisë, me 19 prill 2013, qeveria e atëhershme nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (“Zajednica”) duke e negociuar kështu veriun e Kosovës me Serbinë e duke e shkelur rëndë kushtetutën e vendit, karakterin shumetnik dhe decentralizimin etnik të së secilës e kishin mbrojtur me aq zell.

Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe. Thënë shkurtë, një Republika Sërpska në tentativë brenda Kosovës.

Ashtu siç ndodhi edhe me shumë marrëveshje të tjera të dëmshme, qeveria asokohe e PDK-së u kujdes që këtë akt të rëndë të shkeljes së kushtetutës e sovranitetit të vendit ta “legjitimojë” në parlamentin e Kosovës. Në orët e mesnatës së 21 prillit, 2013, 89 deputetë në mesin e tyre pothuajse të gjithë opozitarët e AAK-së dhe LDK-së të cilët dy vite më herët kishin votuar kundër rezolutës për bisedime me Serbinë, ngritën duart për ta votuar rezolutën që mbështeste Asociacionin njëetnik.

Marrëveshja e 19 prillit e cila 6 nenet e para i ka për “Zajednicën” është marrëveshje për të ndryshuar karakterin e shtetit të Kosovës. Përtej “Zajednicës”, ajo parashihte krijimin e një sërë institucionesh paralele për minoritetin serb në Kosovë. Në aspektin politik e organizativ marrëveshja parashihte formimin e asociacionit etnik vetëm për komunat serbe, në aspektin gjyqësor parashihte gjykatën paralele të apelit, të cilën e realizuan, kurse në aspektin e sigurisë parashihej edhe pushtet policor duke emëruar komandantin rajonal vetëm për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

Kur në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese interpretoi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për kompetencat e Asociacionit të nënshkruar nga LDK dhe PDK e që buronte nga Marrëveshja e 19 prillit 2013, ajo e nxori asociacionin të paligjshëm dhe praktikisht të pazbatueshëm pasi nuk ka vend në kushtetutën shumetnike për organizma një-etnik.

Këto ishin negociatat me Serbinë pa parime e pa transparencë e që i bënë aq shumë dëm pavarësisë së Kosovës e cila tashmë ishte shpallur mbi kompromiset e shumta me Pakon e Ahtisaarit.

Kjo është edhe trashëgimia që na lanë pas në këtë dialog: ne opozita e dikurshme që protestonte kundër Pakos së Ahtissarit me decentralizim etnik, sot në qeveri duhet ta mbrojmë Kosovën (me gjithë Pakon e Ahtissarit) nga asociacioni njëetnik.

E sikur kjo të mos mjaftonte për të keq, po atë ditë, më 19 prill 2013, ish Kryeministri Thaçi i dërgoi letër ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, ku njëanshëm i zotohej që FSK-ja nuk do të kalojë lumin Ibër!

Duhet të rikujtojmë e risjellim në vëmendje që statusi i Kosovës është vendosur me 17 shkurt 2008 dhe se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Ajo që ka mbetur pa u zgjidhur është statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu edhe siç e ka theksuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Kjo njohje duhet të vijë nga një dialog parimor e transparent ndërmjet palëve të barabarta, ku – ashtu siç është përcaktuar në rezolutën e OKB-së për dialog – përfitues duhet të jenë qytetarët.

Teksi është marrë nga faqja zyrtare në Facebook e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *