Bota

Moska ndryshon kufijtë në Balltik? Synon ujërat e Lituanisë e Finlandës: Përshkallëzim me NATO

Që ambiciet e Rusisë shkojnë përtej Ukrainës, kjo nuk është sekret. Por Moska nuk po humb kohë në qëllimin e kahershëm për ndryshim të kufijve, edhe me koston për të provokuar një konflikt me NATO-s. Këtë herë e ka zgjatur lapsin në Balltik, ku synon të modifikojë në mënyrë të njëanshme kufijtë detarë me Lituaninë dhe Finlandën anëtare të NATO-s. Kjo gjë bëhet e ditur në një dekret qeveritar të publikuar mbrëmjen e së martës nga Kremlini.

Në bazë të dokumentit të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, Rusia ka ndërmend të shpallë si të vetat një pjesë të ujërave në lindje të gjirit të Finlandës e pranë qyteteve të Baltiysk dhe Zelenogradsk në rajonin e Kaliningradit.

Lexo më shumë  Biden dhe Zelensky nënshkruajnë marrëveshje të sigurisë

Kremlini tha se propozimi nuk kishte prapaskenë politike, por se tensionet në rajon janë në rritje.

“Nuk ka asgjë politike këtu edhe pse situata politika ka ndryshuar shumë. Mund të shihni se sa janë rritur tensionet dhe ku ka shkuar niveli i konfrontimit në rajonin baltik”, tha Dmitry Peskov.

Lituania reagoi me shqetësim duke e cilësuar lëvizjen si një përshkallëzim të qartë kundër NATO dhe BE. Ministri i jashtëm tha se nevojitej një kundërpërgjigje e përshtatshme dhe e vendosur. 

Lexo më shumë  SHBA, Kievi dhe aleatët, refuzojnë ofertën e Putinit për armëpushim

Ndërsa autoritetet finlandeze thanë se po hetonin informacionet dhe se do të vepronin me qetësi bazuar në fakte. Sakaq, kryeministrja estoneze Kaja Kallas akuzoi Rusinë se po zhvillonte një “luftë në hije” kundër Perëndimit përmes akteve të sabotazhit, spiunazhit apo sulmeve kibernetike.

Shtetet pranë kufijve me Rusinë të tilla si Estonia, Letonia, Lituania, Finlanda dhe Polonia po rrisin me shpejtësi kapacitetet mbrojtëse mes frikës për sulme të mundshme nga Moska.

YouTube player