Bota

ShBA – Demokratët sigurojnë 56 vende në Senat pas fitores në Alaskë

Demokratja Mary Peltola ka mundur senatorin republikan në detyrë, Dan Sullivan në garën e ngushtë për një vend në Senatin amerikan në Alaskë, sipas parashikimeve të publikuara dje në mbrëmje, nga rrjetet televizive amerikane “CBS News” dhe “NBC News”.

Rezultatet e parashikuara, që vijnë dy javë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, nënkuptojnë se tashmë janë përcaktuar fituesit në të gjitha garat për Senatin.

Duke nisur nga janari, demokratët pritet të kenë 56 nga 100 vendet e kësaj dhome të Kongresit amerikan, kundrejt 44 vendeve të republikanëve.

Lexo më shumë  Japonia ngre aeroplanë luftarakë pasi aeroplanë të dyshuar rusë hynë në hapësirën e saj ajrore

Peltola, e lindur në Alaskë, e përfaqësoi më parë këtë shtet në Dhomën e Përfaqësuesve deri në vitin 2025, duke u bërë personi i parë me prejardhje nga popullsia vendase e Alaskës që zgjidhej në Kongres. Tashmë ajo pritet të bëhet gjithashtu, personi i parë nga kjo popullsi që do të shërbejë në Senat.

Gara u shoqërua me polemika për shkak të kandidimit të dy personave me emra pothuajse identikë: senatorit në detyrë Dan S. Sullivan dhe kandidatit të ri në politikë Dan J. Sullivan.

Republikanët akuzuan demokratët se kishin nxitur kandidimin e Sullivan-it të dytë, për të ngatërruar votuesit dhe për të dëmtuar shanset e senatorit në detyrë.

Lexo më shumë  Gjermania njofton paketën e re të ndihmës për mbrojtjen ajrore të Ukrainës

Administrata Trump ngriti një padi lidhur me këtë çështje, por një gjykatës federal e rrëzoi atë para zgjedhjeve.

Alaska është shteti më verior dhe më pak i populluar i SHBA-së, me më pak se 800 mijë banorë. Ky shtet ka votuar për republikanët në çdo zgjedhje presidenciale që prej vitit 1968. 

Rruga Press

YouTube player