Lajme

Kolegji arbëresh 300-vjecar rrezikon të kthehet në park eolik me emrin “Skënderbe”

Kolegji gati 300-vjecar italo-shqiptar Shën Adriano, i pozicionuar në komunën arbëreshe Shën Mitri (San Demetrio Corona), në Rajonin e Kalabrisë rrezikon të mos ekzistoj më.

Së shpejti pothuajse i gjithë territori i tij e zona të tjera përreth do të shndërrohen në “Parkun Eolik Scanderbeg”.

Departamenti për Zhvillimin ekonomik e Kulturor në rajonin e Kalabrias ka hapur procedurat finale për miratimin përfundimtar të projektit për ndërtimin e një parku eolik, i cili do të ketë një impiant energjie elektrike që do të prodhohet nga burime të ripërtëritshme të energjisë së erës,

Ky park eolik do të marr emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu e do të quhet ” Parku Scanderbeg” .

Do të përfshij disa territore të komunës arbëreshe Shën Mitri (San Demetrio Corona), e të qytezave kalabreze Corigliano Rosano e Terranova da Sibari.

Për nevoja publike, pra me qëllimin e ndërtimit të këtij parku eolik, Rajoni i Kalabrisë ka vendosur të shpronësoj disa territore e prona private e publike, në tre qytezat e mësipërme.

E mes pronave që do të shpronësohen është dhe kolegji italo-shqiptar Shën Adriano.

I ndërtuar më vitin 1732, me dëshirën e Papa Clementit të III, për të përgatitur klerin italo-shqiptar, ky kolegj qe institucioni i parë kulturor në Kalabri ku u formuan personalitete të kulturës arbëreshe, shqiptar e italiane.

Në këtë kolegj u formua e dha mësim patrioti shkrimtar Jeronim De Rada, u formua rilindasi shqiptar Luigj Gurakuqi e u bë pikë referimi i kulturës e gjuhës shqipe në Arbëri.

Në informacionin e shpërndarë sot nga rajoni i Kalabrias infomohet se ky projekt ka hyrë në fazën e tij përfundimtare e është bashkangjitur me një listë pronarësh e të dhënash kadastrale që do të shpronësohen për qëllim interesi publik, ndërtimin e parkut eolik “Scanderbeg”.

Lexo më shumë  Kurti bisedë tefelonike me kancelarin Scholz, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

Në dokumentin shumëfaqesh, në faqen 18 të tij, janë pozicionuar territore të komunës arbëreshe Shën Mitri me pronarët përkatës, e gjendet i renditur shtatë herë dhe Kolegji italo-shqiptar Shën Adriano, por pa emër pronari, pasi ky kolegj është në pronësi të komunës.

Parku eolik “Scanderbeg” do përmbledh instalimin e 6 turbinave me erë me fuqi maksimale 29,995 MË. 

5 prej turbinave do të instalohen në komunën arbëreshe Shën Mitri, ku është pozicionuar dhe kolegji shekullor Shën Adriano e 1 turbinë në komunën Corigliano Rosano.

Lidhja e gjashtë turbinave do të bëhet përmes një kanali kabllor nëntokësor me nënstacionin elektrik i quajtur Terranova e që gjëndet në qytezën arbëreshe Terranova da Sibari.

Siç shihet qartë, sipërfaqja më e madhe e këtij parku eolik, do të përfshij komunën arbëreshe Shën Mitri e me shumë gjasa kolegjin arbëreshë Shën Adriano.

Kolegji Shën Adriano është vlerësuar nga Presidenti shqiptar Ilir Meta me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e cmuar akademike në promovimin e gjuhës, letërsisë e kulturës arbëreshe, duke u kthyer në një vatër të rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë e formimit të të rinjve arbëreshë.

Në 7 nëntor të vitit 2018, në Kolegjin Shën Adriano u zhvillua dhe takimi e vizita institucionale mes Presidentit italian Sergio Mattarella e Presidenti shqiptar Ilir Meta.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti italian do të shprehej ndër të tjera se “Shqiptarë nga origjina dhe italianë prej më shumë se 500 vjetësh, kanë ruajtur me krenari traditat e lashta, ritet fetare, gjuhën e të parëve, duke dhënë, në të njëjtën kohë me kurajo dhe përmes idealeve të tyre, një kontribut të rëndësishëm lindjes dhe bashkimit të vendit. 

Lexo më shumë  Il Fatto Quotidiano: Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria në drejtimin e Ramës cilësohet narko-shtet nga gazetarët italianë

Kolegji italo-shqiptar i Shën Adrianit, që na mikpret sot, dëshmon mbi rëndësinë dhe kuptimin e këtij gërshetimi, mbi këtë përzierje të thellë e të frytshme. Nën këto mure u formuan patriotë të flaktë, nxitës kurajoz të nismave kalabreze të 1844 e të 1848, eksponentë të ndritur të Rilindjes italiane, e më tej të asaj shqiptare.

Këtu studioi, ndër të tjerë, Jeronim De Rada, poet dhe themelues i L’Albanese d’Italia, e para gazetë në gjuhën shqipe në botë, – që dha kontributin e saj në pavarësinë italiane dhe shqiptare si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm studimeve të rrënjëve të popullit shqiptar.

Rajoni i Kalabrias informon se informacioni për mbylljen e procedurës finale të aprovimit të Parkut Scanderbeg, do të qëndroj i publikuar në hapësirat publike të tre komunave të përfshira për 30 ditë rresht e se të gjitha aktet e këtij projekti do të depozitohen në Departamentin e Zhvillimit Ekonomik e Kulturor, në zyrën e sektorit të infrastrukturës energjike, burime të rinovueshme e jo të rinovueshme, e do të jenë në dispozicion të kujtdo që ka interes.

Brenda 30 ditëve të ardhshme është dhe afati i kohës së dorëzimit të vëzhgimeve, sugjerimeve e ankesave për këdo që ka interes privat e publik  mbi këtë projekt.

Rruga Press

YouTube player