KryesoreLajme

Edi dhe Linda Rama, fluturim me charterin e luksit drejt Turqisë

Teksa protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e gjashtë, me mijëra qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës duke e akuzuar për korrupsion, kapje të shtetit dhe rritje të pabarazisë sociale, kryeministri shqiptar mbërriti këtë të martë në Ankara me një avion privat të kompanisë ndërkombëtare VistaJet, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Pamjet e publikuara nga agjencia turke Anadolu e tregojnë Ramën teksa zbret nga avioni privat në aeroportin Esenboğa, ku u prit nga ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, për të marrë pjesë në Samitin e 36-të të NATO-s.

Përdorimi i charter-it luksoz vjen në një moment delikat politik, jo vetëm për protestat që kërkojnë më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga qeveria, por edhe se Rama ka një histori dëshirash të kushtueshme, që kanë ushqyer debatin publik për vite me radhë. Pak para se të nisej për në Turqi, Rama pranoi publikisht se shteti shqiptar ka financuar me 4 milionë euro koncertin e reperit amerikan Ye (Kanye West), duke e cilësuar këtë si një “investim për turizmin”.

Lexo më shumë  Kryeministri holandez: Shpresoj që Kosova të bëhet pjesë e familjes evropiane

Ndër shpenzimet që ka provokuar më shumë polemika është gjithashtu projekti i njohur si “Kopshti Eden” brenda në godinën e kryeministrisë, me një vlerë rreth 4 milionë euro, ndërsa më parë kanë tronditur dëshmitë për konsumin e një shisheje vere me vlerë 33 mijë euro në takimet private të Edi Ramës me Ergys Agasin. 

Avioni me të cilin udhëtoi Rama i përket VistaJet, një prej operatorëve më të mëdhenj në botë të aviacionit privat. Kompania ofron fluturime me avionë charter luksozë për drejtues shtetesh, biznesmenë, korporata dhe klientë me pasuri shumë të lartë, përmes programeve të anëtarësimit ose rezervimeve private. Flota e saj përbëhet kryesisht nga avionë Bombardier Challenger dhe Bombardier Global.

Një fluturim privat nga Tirana në Ankara zgjat rreth 1 orë e 40 minuta deri në 2 orë, ndërsa tarifat bazë të VistaJet variojnë zakonisht nga 11 mijë deri në 15 mijë dollarë për orë fluturimi, në varësi të modelit të avionit. Vetëm kostoja e vlerësuar e fluturimit për itinerarin Tiranë–Ankara llogaritet mes 18.300 dhe 25.000 dollarëve amerikanë për një drejtim, pa përfshirë tarifat aeroportuale, shërbimet në tokë apo kostot shtesë.

Lexo më shumë  Dimal Basha: Autostrada Shkup–Bllacë, hap i rëndësishëm për zhvillimin dhe integrimin rajonal

Kjo nuk është hera e parë që mënyra e udhëtimit të kryeministrit bëhet objekt debati. Në vitet e kaluara, Rama udhëtonte në vizitat zyrtare me avionët e Air Albania, në bazë të një marrëveshjeje sekrete me kompaninë. Më pas, Air Albania falimentoi duke i mbetur borxh shtetit shqiptar disa dhjetëra miliona euro taksa të papaguara dhe duke ndërprerë shërbimet për kryeministrin.

Në këtë situatë, udhëtimi me një avion privat luksi nga kryeministri i vendit më të varfër të Evropës tregon se pavarësisht presionit publik, asgjë nuk ka ndryshuar te Edi Rama. Ai duket se e ka të pamundur të ndahet nga privilegjet që i ofron pushteti, edhe kur dhjetëra mijëra protestues po ngrenë zërin për një Shqipëri ku shumë qytetarë përballen me koston e lartë të jetesës, mungesën e barnave në spitale, emigracionin dhe vështirësinë për të përballuar shpenzimet bazë./Lapsi.al

YouTube player