Rama tha se u takua me studentët, por fotoja tregon djalin e nënkryetarit të Bashkisë Tiranë
Një foto mbrëmë dhe një video sot. Me këtë sekuencë të shkurtër në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama prezantoi takimin e zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Pallatin e Brigadave, duke e shoqëruar me mesazhin se kishte biseduar me studentë protestues që kërkojnë dialog dhe refuzojnë dhunën.
Publikimi i pamjeve solli menjëherë reagime dhe pikëpyetje, kryesisht për shkak të kontekstit të muajve të fundit. Studentët e përfshirë në protesta kanë mbajtur një qëndrim të qartë refuzimi ndaj ftesave të kryeministrit për dialog, duke injoruar thirrjet e tij publike për bisedime në shesh.
Pikërisht për këtë arsye, shfaqja e të rinjve pranë kreut të qeverisë në ambientet e Pallatit të Brigadave hapi një debat të gjerë mbi përfaqësimin e tyre real. Në opinionin publik dhe në rrjet u ngrit pyetja nëse të pranishmit ishin vërtet zëri i protestuesve studentorë, apo të rinj të lidhur me strukturat dhe patronazhistët e partisë.
Ndërsa versioni zyrtar i kryeministrit i paraqet pjesëmarrësit si të rinj të angazhuar në protesta që zgjedhin rrugën e dialogut, një postim i publikuar sot nga nënkryetari shumëvjeçar i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, hodhi dritë mbi një detaj tjetër. Në postimin e tij, Seferi ka veçuar të birin, Mateon, në momentin kur shtrëngon dorën me kryeministrin Rama.
Ky detaj i vogël, i ndarë publikisht nga vetë zyrtari i bashkisë, e zhvendos vëmendjen nga narrativat e ndërtuara rreth takimit dhe tregon se mes të rinjve të pranishëm kishte edhe persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare me administratën dhe strukturat vendore.
Në fund, fakti mbetet i thjeshtë: ndërtimi i një imazhi të caktuar kërkon punë dhe regji, ndërsa fakte të tilla dalin në pah vetvetiu.
Rruga Press

