Haxhiu për interpretimin e melodisë nacionaliste serbe në Bruksel: Presim sqarim për përzgjedhje të papërgjegjshme
Kryetarja Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka quajtur shqetësues interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe ka thënë se presin sqarim nga Kosmisioni Evropian për përzgjedhjen e, siç ka thënë, të papërgjegjshme të saj.
“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në reagimin e saj.
Ajo ka theksuar se një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.
“Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme. Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, ka shkruar Haxhiu.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos e cila e udhëheq Forumin ka shprehur keqardhjen për muzikën e këngës nacionaliste serbe e cila u lëshua në koncertin e organizuar në prag të Forumit të zgjerimit në Bruksel. Ajo ua ka lënë fajin muzikantëve për përzgjedhjen e melodisë.
Rruga Press

