Lajme

Kënga shoveniste serbe dëgjohet në aktivitetin e Komisionit Evropian në Bruksel, kryenegociatori Bajrami: Presim sqarime

Një këngë serbe me përmbajtje shoviniste dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës është interpretuar në Bruksel gjatë koncertit që shënoi hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke shkaktuar reagimin e përfaqësuesve të Kosovës.

Bëhet fjalë për këngën “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila u këndua nga grupi muzikor slloven “Kapobanda” gjatë mbrëmjes hapëse të aktivitetit të organizuar nga Komisioni Evropian më 15 dhe 16 nëntor. Në koncert ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor. Përfshirja e kësaj kënge në repertorin e një aktiviteti zyrtar të institucioneve evropiane është kundërshtuar nga kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami. Ai e cilësoi interpretimin të papranueshëm, duke argumentuar se kënga nuk përfaqëson një shkëmbim të zakonshëm kulturor, por përcjell mesazhe politike kundër integritetit territorial të Kosovës.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Bajrami kërkoi një shpjegim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, për mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua repertori muzikor. “Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe ‘Oj Kosovo, Kosovo’. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme.

Lexo më shumë  Hodhën vezë drejt makinës së Ramës në Manëz, shoqërohen nga policia 12 aktivistë

Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, deklaroi Bajrami.

Rruga Press

Lexo më shumë  Melodia nacionaliste serbe kundër Kosovës në Bruksel, Terras: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër
YouTube player