Lajme

Nagavci: Të njëjtat standarde që BE-ja ua kërkon vendeve të Ballkanit, t’i zbatojë edhe për vete

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas interpretimit të këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, duke kërkuar që BE-ja të zbatojë të njëjtat standarde edhe në ngjarjet që organizon vetë.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka theksuar se kjo këngë, e vitit 1989, lidhet me periudhën kur regjimi i Slobodan Millosheviqit po ia rrënonte Kosovës autonominë dhe po i përjashtonte shqiptarët nga shkollat, spitalet dhe vendet e punës.

Lexo më shumë  Dogana e Kosovës thotë se ka shënuar rritje të të hyrave për 5.7 përqind më shumë se vitin e kaluar

Sipas Nagavcit, mesazhi i këngës është i qartë dhe përfaqëson diskursin nacionalist që e paraqet Kosovën si tokë serbe që nuk dorëzohet, një narrativë që, siç u shpreh ajo, i parapriu luftës, dëbimeve dhe masakrave në Kosovë.

Nagavci ka vlerësuar se Bashkimi Evropian, i cili u kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor të ballafaqohen me të kaluarën dhe të heqin dorë nga retorika nacionaliste, duhet ta zbatojë të njëjtin standard edhe në aktivitetet e veta.

Ajo ka shprehur mbështetjen për reagimin e institucioneve të Kosovës, të cilat kanë kërkuar sqarime nga Komisioni Evropian lidhur me interpretimin e kësaj kënge.

Lexo më shumë  Kënga shoveniste serbe dëgjohet në aktivitetin e Komisionit Evropian në Bruksel, kryenegociatori Bajrami: Presim sqarime

“Ne e duam Evropën, dhe pikërisht për këtë i kërkojmë të jetë në lartësinë e vlerave të saj”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo ka theksuar se Kosova do ta vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit evropian me vendosmëri, reforma dhe dinjitet, duke nënvizuar se Evropa duhet të jetë hapësirë e së vërtetës dhe jo e këngëve që mohojnë Kosovën.

Rruga Press

YouTube player