Ukraina shkatërron urën duke izoluar ushtrinë ruse në Krime, a po përgatitet sulmi i paralajmëruar
Nëpërmjet shkatërrimit të pjesshëm të urës Antonovskiy mbi lumin Dnieper, që lidh Ukrainën me Krimenë, Ukraina ka vështirësuar përparimin rus, thuhet në raportin e Inteligjencës britanike, të publikuar të mërkurën.
Në njoftim, Britania bën të ditur se ura u godit nga ukrainasit, me qëllim që trupat ruse dhe artileria të mos mund të kalojnë.
“Kjo është një nga dy pikat e vetme të kalimit rrugor mbi Dnieper, me anë të së cilës Rusia mund të furnizohet ose të tërhiqet nga territori i pushtuar në perëndim të lumit. Kjo zonë përfshin qytetin Kherson, që politikisht dhe simbolikisht është i rëndësishëm për Rusinë”, thuhet në raportin britanik.
Gjithashtu, Inteligjenca e Britanisë thekson se rusët kanë bërë avancime minimale përgjatë ofensivës në Donbas.
Ndërkohë, u raportua se sipas një zyrtari qeveritar, Ukraina po përgatitet të sulmojë gadishullin e Krimesë në Detin e Zi, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014 dhe është shtëpia e flotës ruse të Detit të Zi.
“Ne kemi aftësi kundër anijeve dhe herët a vonë do të synojmë flotën”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Volodymyr Havrylov gjatë vizitës në Londër.
“Rusia do të duhet të largohet nga Krimea nëse dëshiron të ekzistojë si shtet”, tha ai.
Havrylov tha se çlirimi i Ishullit të Gjarpërinjve, i cili u pushtua nga Moska në ditët e para të pushtimit, ishte hapi i parë.
“Ne jemi të gatshëm t’i shënjestrojmë ata përgjatë gjithë Detit të Zi nëse kemi mundësi”, tha ai.
Rruga Press