Ç’po ndodh? Del jashtë funksioni rrjeti sekret i komunikimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në SHBA
Një defekt ka nxjerrë jashtë funksionit rrjetin e brendshëm sekret të komunikimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA), duke shkaktuar probleme në shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara mes punonjësve të saj.
Sipas CNN, i cili citon persona në dijeni të situatës, ndërprerja ka prekur rrjetin e njohur si “NSA Net”, që përdoret nga personeli i agjencisë për komunikimin dhe transmetimin e informacioneve me nivel të lartë klasifikimi.
Autoritetet amerikane po përpiqen të përcaktojnë përmasat dhe shkaqet e ndërprerjes. Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga CNN, deri më tani nuk ka prova që problemi të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik.
Për të menaxhuar situatën, NSA ka vendosur një skemë të organizuar të paraqitjes së punonjësve në punë, duke shmangur mbërritjen e tyre në të njëjtën kohë.
Deri në publikimin e raportimit, nuk ishte bërë e ditur se sa punonjës janë prekur nga ndërprerja dhe as kur pritet të rikthehet në funksion rrjeti i komunikimit.
CNN ka kërkuar një reagim zyrtar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, por nuk ka marrë përgjigje.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas kaosit në aeroportet amerikane, ku një ndërprerje e sistemeve të komunikimit të kontrollit ajror shkaktoi anulime dhe vonesa të shumta fluturimesh. Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna që dy incidentet të kenë lidhje me njëri-tjetrin.
Rruga Press

