Lajme

Humb shpresa në Devoll/ Fermerët ndërmarrin veprimin drastik

Në fund të javës gjithë pemët do të jenë të prera, pasi fermeri nga Progri i Devollit ka vendosur mos kultivojë më mollë.

E si të mos mjaftonte rritja e çmimit të naftës e pesticideve, breshëri i rënë në 30 qershor ka bërë që 80 përqind e prodhimit të dëmtohet.

“Dëmi është shumë i madh, ka goditur rreth 80% e prodhimit. Nga ana e Drejtorisë së Bujqësisë nuk ka shkelur njeri të shikoje çfarë u bë e çfarë nuk u bë, keshtu që për mendimin tim e gjithë kjo sasi do të hidhet në tokë ose në lumë. Humbje kolosale, ne harxhuam gjithë shpenzimet, sot mbaroi gjithçka, nuk mund të shpenzoj më dhe unë ja, pas meje të gjithë të tjerët do t’i presin. Këtu më mirë njeh një sportist sesa drejtorin e Bujqësisë “, thotë fermeri Admir Dushi.

I pyetur se përse mori këtë veprim, ai shprehet se shpresa ka humbur.

“Shpresë nuk ka fare. Vjet i hodhëm. Sivjet breshër, atëherë me çfarë të jetoj unë?”, u shpreh ai.

Në fshatin Mançurisht dy fermerë të këtij fshati shprehen me tona të ashpra ndaj qeverisë për mosmarrjen e masave pas reshjeve të breshërit.

Lexo më shumë  Gërvalla takoi ministrin e Jashtëm estonez, kërkon mbështetje për integrim

“Data e 30 qershorit ka qenë dita më e zezë e këtyre njerëzve. Dita më fatkeqe e këtyre fermerëve, e të gjithëve ne. Breshëri i 30 qershorit ka shkaktuar një ditë zie ku ka prerë shpresën e gjithëve fermerëve, ku ne na detyron të mëdhenj e të vegjël, moshën tonë t’i drejtohet emigracionit. Ne jemi njerëzit me te padëshirueshëm mesa shoh unë nga qeveria, qeveri më e poshtër dhe që mos interesohet për këta njerëz. Është dëmtuar 90% e prodhimeve bujqësore. Do t’i drejtohemi emigracionit, ky vend ka mbaruar, ka përfunduar, nuk do t’ia dijë asnjëri për ne”, theksoi ai.

Medet Rusi , i cili ka më tepër se 30 vite si fermer ironizon fort kryeministrin Rama.

”Ju falënderojmë ju gazetarëve që qani hallet tona po kush ju pyet juve? Kur tallet kryeministri me juve, nuk do tallet me ne? I bëj një lutje kryeministrit, të lutem shumë bëj një reklamë për detin, që të vijnë sa më shumë turista, sesi deti është i mbushur plot e përplot me mollët që i kemi hedhur vjet. I kemi hedhur në lumë, ka vajtur në det, është bërë shampo. Nuk kanë kosto të madhe turistët të vijnë”, sipas tij.

Lexo më shumë  Kandidatja për eurodeputete hap në Vjenë ekspozitën ‘Rezistenca paqësore në Kosovë 1990-1998’

Rusi, tregon se prej vitesh situata e tyre është e tillë.

“Këtë vit ra breshëri, po ne jemi mësuar se prapë se prapë për lëngje do iknin mollët. Vjet ishin shumë të mira, as u interesua qeveri të shiteshin. Ne e dimë që është ekonomi e tregut, po shteti pse është, ministria e Bujqësisë, bashkia pse funksionon? Bashkia nuk është interesuar për asgjë për ne”, deklaroi Rusi,

Në rrethin e Devollit janë mbjellë rreth 850 hektarë mollë, ku afro 300 hektarë të fshatrave Mançurisht, Cangonj, Progër, Vranisht e Pilur janë prekur e dëmtuar nga breshëri.

Kostot janë rritur për fermerët ku përveç rritjes së naftës, ndikim ka patur e rritja e çmimeve të plehrave kimike.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *