Lajme

Zv. ministri Ahmeti në Strasburg, takime për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, po qëndron për vizitë pune në Strasburg në kuadër të punimeve të sesionit dimëror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në ditën e parë të vizitës së tij, në takime të ndara, zëvendësministri Ahmeti takoi shefat e Sekretariateve të tri Komiteteve relevante për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një njoftim të Ministrisë thuhet se gjatë takimeve u bisedua lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KE, respektivisht mbi hartimin e opinionit nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci dhe dhënien e mendimit nga dy komitetet e tjera. Përfaqësuesit e të tre komiteteve u njoftuan me hapat konkret që Qeveria jonë ka ndërmarrë që nga vizita e raportueseve në Kosovë dhe publikimi i raportit të juristeve eminentë, në funksion të konsolidimit të demokracisë, forcimit të shtetit ligjor si dhe avancimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në vend.

Lexo më shumë  Bislimi merr pjesë në takim ministerial në Podgoricë

“Në kuadër të kësaj vizite, Zëvendësministri Ahmeti u prit në takim edhe nga Ambasadorja e Holandës në KE, znj. Tanja Gonggrijp, e cila njëherit udhëheq Komitetin e Palëve të Konventës së Stambollit. Me znj. Gonggrijp u diskutua mbi rëndësinë që Kosova i ka dhënë kësaj Konvente, duke e inkorporuar në Kushtetutën e saj si dhe mbi përkushtimin  institucional të Kosovës për eliminimin e dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje”, thuhet në njoftim

Tutje bëhet e ditur se në përmbyllje të ditës së parë të vizitës në Strasburg, zëvendësministri Ahmeti takoi znj. Livia Stoica Becht, Sekretare Ekzekutive e GRECO-s, me të cilën u bisedua mbi bashkëpunimin në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke e falënderuar për ndihmën e dhënë institucioneve përmes projekteve të implementuara në Kosovë, Zëvendësministri Ahmeti e siguroi znj. Becht se lufta e pa kompromis e këtyre fenomeneve negative qëndron lartë në agjendën qeveritare.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Në margjinat e vizitës, me ftesë të Ambasadores së Holandës në KE, Zëvendësministri Ahmeti mori pjese në pritjen e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit të Presidentit të deritanishëm të Asamblesë Parlamentare të KE-së, z. Tiny Kox.

Përgjatë dy ditëve të tjera të vizitës në Strasburg, zëvendësministri Ahmeti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe delegacionin e Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pritet të takojnë autoritete të larta të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, përfaqësues të grupeve politike dhe delegacione parlamentare të shteteve anëtare të KE-së.

Rruga Press

YouTube player