Bota

Ministrat e jashtëm evropianë kritikojnë refuzimin e Netanyahut për kundërshtimin ndaj një zgjidhjeje me dy shtete

Disa ministra të Jashtëm evropianë i janë bashkuar korit të kritikave drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me kundërshtimin e Izraelit ndaj një zgjidhjeje me dy shtete.

Duke folur përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel të hënën, ministri i Jashtëm irlandez Michael Martin tha se komentet e Netanyahu ishin “të papranueshme” dhe “nuk kontribuojnë në asnjë mënyrë për perspektivat e paqes”.

Netanyahu tha se dëshira e tij për kontroll të sigurisë mbi të gjithë territorin në perëndim të Jordanisë është në kundërshtim me ekzistencën e një shteti palestinez.

Por Martin tha se ky rezultat do të dëmtonte sigurinë rajonale, raporton CNN.

“Një zgjidhje me dy shtete është garancia përfundimtare e sigurisë për Izraelin dhe qytetarët izraelitë, dhe për palestinezët në lidhje me një perspektivë të ardhshme për të jetuar në bashkëjetesë harmonike”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Krišjānis Kariņš i quajti komentet e Netanyahut “dekurajuese”.

Lexo më shumë  Publikohen pamjet se si luftojnë ushtarët e huajë në krah të ukrainasve kundër rusëve

“Por përkundër këtyre vërejtjeve, nga ana evropiane, ne duhet të shtyjmë në këtë drejtim. Kjo është mënyra e vetme për paqen dhe të gjithë ne kemi nevojë për paqe në Lindjen e Mesme”, tha Kariņš teksa mbërriti në të njëjtin takim.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë argumentuar të hënën se krijimi i një shteti palestinez është e vetmja mënyrë e besueshme për të arritur paqe në Lindjen e Mesme, teksa shprehën shqetësimin për refuzimin e qartë të idesë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, raportoi të hënën AP-ja.

“Deklaratat e Benjamin Netanyahut janë shqetësuese. Do të ketë nevojë për një shtet palestinez me garanci sigurie për të gjithë”, ka thënë para gazetarëve në Bruksel ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne, ku ministrat e BE-së u takuan për të diskutuar luftën në Gaza.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz dhe ministri i jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, ishin gjithashtu pjesë e diskutimit.

Lexo më shumë  SHBA: Ka mundësi që Izraeli të ketë shkelur ligjin ndërkombëtar me armët tona

Çështja e së ardhmes së Gazës e ka vënë Izraelin në kundërshtim me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj arabë, derisa ata po punojnë për të ndërmjetësuar përfundimin e luftimeve.

Numri i të vdekurve palestinezë nga lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka kaluar 25,000, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi. Izraeli ka thënë të dielën se një tjetër nga pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit që shkaktoi luftën ka vdekur.

“Gaza është në një situatë ekstreme urgjente. Ekziston rreziku i urisë. Ekziston rreziku i epidemive. Dhuna duhet të ndalet”, është shprehur ministri i Jashtëm belg Hadja Lahbib, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së. “Ne kërkojmë armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve, respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe kthimin në procesin e paqes, i cili duhet të çojë në krijimin e dy shteteve që jetojnë në paqe krah për krah”, tha Lahbibi.

Rruga Press

YouTube player