Lajme

Zgjedhjet në Dibër mbahen nën hijen e “Dosjes 184” dhe projektit të Skavicës

Banorët e Dibrës e shohin përballjen 6 marsit për kreun e bashkisë më shumë si garë për vendin e dytë, ndërsa kërkojnë që kandidatët të kenë një qëndrim të qartë mbi projektin e HEC-it të Skavicës që prek mbi 2 mijë banorë.

Banorët e Dibrës, në harkun kohor të shtatë viteve kanë ndërruar 5 kryetar bashkie – tre të zgjedhur dhe dy të emëruar. Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ata do u drejtohen sërish kutive të votimit për të votuar kryetarin e gjashtë, për një mandat pak më shumë se një vit.

Por këtë herë fushata për kryebashkiakun e ri, nuk ngjall shumë interes, pasi banorët e quajnë “muhabet të mbyllur”. Në garë përballë socialistëve në pushtet dhe me kontroll të çdo institucioni, qëndron një opozitë e përçarë.

“Opozita po të ishte e bashkuar këta (socialistët) i qëronin si portokall. Fitoren e sigurt. Po tashi PD e ndarë, dihet ajo,” tha Kujtim Murra, një pensionist që po bënte shëtitjes e mbasdites në bulevardin “Elez Isufi” në Peshkopi.

Mungesa e interesit dallohet edhe në shëtitoren kryesore të Dibrës, e cila dikur me afrimin e zgjedhjeve mbushej me flamuj dhe postera elektoral, ndërsa në këto zgjedhje nuk shihet asgjë e tillë.

Haxhi Paci, njësoj si miku i tij Kujtim Murra thotë se nuk sheh se si këto zgjedhje mund ta ndryshojnë drejtimin e bashkisë. Ai ankohet se Dibra ka ngelur në legjenda si “kreshnike” dhe “trime”, ndërsa sot problemet e shumta dhe politika e ka vënë për poshtë këtë zonë.

Kandidatët për postin e kryetarit të bashkisë në këto zgjedhje janë katër. I pari në fletën e votimit është Premtim Kryemadhi, një arsimtar që kandidon nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, i cili është krijuar nga LSI, por mbështetet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe një fraksion i Partisë Demokratike. Luan Haka është në garë si kandidat i Partisë Demokratike.

Nga koalicioni i majtë i Socialistëve në pushtet në garë për kryetar është Rahim Spahiu. Ndërkohë në garën për kryetar të Bashkisë Dibër do të jetë edhe një 26 vjeçar, Dritan Torba si kandidat i Partisë Lëvizja e Re.

Nën hijen e “Dosjes 184”

Seancë gjyqësore e të ashtuquajturës Dosja 184 në Gjykatën e Dibrës | Foto : sami Curri

Në Bashkinë Dibër banojnë afro 56,000 qytetarë të cilët kanë të drejtën e ushtrimit të votës. Në zgjedhjet për Kuvend të një viti më parë, ishin afro 30,000 qytetarë që e ushtruan këtë të drejtë.

Një vit pas zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ata janë ftuar sërish t’u drejtohen kutive të votimit më 6 mars, për të votuar pasardhësin e Dionis Imeraj – kryebashkiakut që la drejtimin e bashkisë për t’iu futur garës për deputet në listat e Partisë Socialiste. Imeraj e humbi mundësinë të bëhej deputet pasi Partia Demokratike u kthye si shumicë në Dibër me një diferencë të vogël votash.

Kjo fitore erdhi sipas demokratëve lokalë pas përpjekjeve të mëdha për të ndaluar shit-blerjen e votës. Në fushatën e fundit në prill të vitit që shkoi, dy persona u ndaluan nga mbështetës të PD-së dhe kandidatët e saj në zgjedhje me dyshimin se po blinin vota. Të dy u dënuan në dhjetor të vitit që shkoi nga Gjykata e Dibrës me 1 vit burg për akuzën e korrupsionit në zgjedhje.

Por zgjedhjet e mëparshme kanë pasur një panoramë tjetër. Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, kandidati i socialistëve Shukri Xhelili, fitoi me 500 vota diferencë bashkinë. Xhelili u shkarkua një vit më vonë dhe më pas u dënua, pas akuzave për abuzim me detyrën në kërkim të favoreve seksuale për një vend pune.

Në zgjedhjet që pasuan socialistët garuan me Muharrem Ramën, i cili ndryshe nga sa pritej fitoi me një diferencë të shtuar prej 4,232 votash ndaj kandidatit të Partisë Demokratike. Ky dominimim i Partisë Socialiste dhe aleatëve të tyre të PDIU, e njohur ndryshe si partia e komunitetit çam, do të vijonte edhe në zgjedhjet për Kuvend në vitin 2017-të.

Këto fitore të thella të socialistëve dhe rritja elektorale e PDIU – pavarësisht se në Dibër nuk ka një komunitet çam, ngritën dyshime. Një sërë përgjimesh të publikuara fillimisht në vitin 2019 pas një investigimi të BIRN dhe Zërit të Amerikës, treguan se një sërë funksionarësh shtetërore dhe persona të tjerë pranë socialistëve kishin manipuluar votat.

Lexo më shumë  Kurti në Studime: Të bashkuar në kujtimin e të dashurve tanë dhe përkushtimin për drejtësi

Hetimet e zvarritura të prokurorisë dolën po ashtu në të njëjtin përfundim edhe pse shumica e personave të akuzuar për blerje vote nuk u dërguan në gjykatë, për shkak të afateve.

Skandali i blerjes së votave u përdor nga opozita si motiv për të braktisur mandatet në Kuvend dhe bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019. Në këtë të fundit Dionis Imeraj, i cili qe një ndër personat e përmendur në “Dosjen 184” mori si kandidat i vetëm në zgjedhje gati 13,000 vota.

Por hesapet me “Dosjen 184”  nuk kanë përfunduar ende. Prej gati 1 viti, dy gjyqe për katër të pandehur vijojnë në gjykatën e Dibrës.  Por gjykimi i avashtë i të akuzuarve për abuzim me detyrën dhe presion ndaj zgjedhësve, nuk duket se ka ndikuar shumë në perceptimin e banorëve të kësaj bashkie mbi sigurinë e votës.

“Mileti rrehet për 5 lekë dhe si të rrehesh për 5 lekë çfarë pret ti. Këtu nëse do të bëhesh kryetar ose deputet është punë lekësh. Ke lek hajde”, – thotë Kujtim Murra, me mllef për ato çfarë kanë ndodhur në Dibër.

Për Haxhi Pacin, historia e “kësaj dosjes së Dibrës”  është gjë e ditur dhe e përsëritur. “Po dihen ato gjona dhe dihet që s’ka për të pas naj gjë nga drejtësia, se nuk ka si të ketë se po hanë të gjithë në një tas”, tha ai me ironi.

E megjithatë “Dosja 184” është pjesë e fushatës, por këtë herë në përballjen mes dy grupimeve të Partisë Demokratike, atij të kryesuar nga Basha që kandidon Luan Hakën dhe atij të Berishës që kandidon Premtim Kryemadhin.

Në 2 shkurt Partia Demokratike akuzoi ish kreun e saj Berisha se po tallej me Dibrën, pasi kishte vendosur si kandidat bashkëshortin e ish-prokurores Belina Zeneli-Kryemadhi, e cila sipas tyre edhe pse pati në dorë nuk hetoi vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2016. “Kandidimi në Dibër i bashkëshortit të prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, është poshtërsi dhe tallje me dibranët”, thuhet në një postim të PD në faqen Facebook.

Prokurorja Kryemadhi u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për “mospërmbushje të funksioneve”.

Por Premtim Kryemadhi i quan absurde akuzat. Ai këmbëngul se bashkëshortja e tij si prokurore kishte këmbëngulur që dosja të hetohej nga SPAK për grup të strukturuar kriminal dhe se kur SPAK nuk pranoi ta merrte përsipër ajo kishte hequr dorë nga hetimi.

Kryemadhi nga ana tjetër nuk beson se skenarë si ato të vitit 2016 mund të përsëriten. Ai këmbëngul se në zgjedhjet e vitit 2021 vota arriti të mbrohej dhe premton se mund të bëjë sërish këtë.

Në anën tjetër kandidati i LRE, Dritan Torba e sheh historinë e papërfunduar të “Dosjes 184” si një rrezik për zgjedhjet e të dielës. “Shit-blerja e votës është arsyeja kryesore pse po qeverisemi kaq gjatë nga këto parti dhe e reja nuk mbështet” – shprehet Torba për BIRN.

Përfaqësuesit dhe kandidatët e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste nuk iu përgjigjën kërkesave të vazhdueshme të BIRN për të folur mbi fushatën e tyre në Dibër.

Qytetarët kërkojnë qëndrim për  “Skavicën”

Tabelë kundër ndërtimit të HEC “Skavicë në fhstin Blliçe. Foto:Sami Curri

Njësia Administrative Kastriot është vetëm 20 minuta larg nga Dibra. Nëse do të përfundojë së ndërtuari HEC Skavica në variantin e tij më digë të lartë, një pjesë e tokave bujqësore të kësaj njësie dhe disa fshatra do të përmbyten nga uji.

Lexo më shumë  Kryeziu: Shtensionimi ka ndodhur, masat e BE-së duhet të hiqen

Krijimi i rezervuarit të Skavicës do të shkaktojë sipas parashikimeve përmbytjen e mijëra hektarëve tokë dhe prek rreth 2000 familje.

Për vite me rradhë projekti ka qenë ide, e mbajtur në sirtar që në vitin 1963, por përmes nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet kompanisë amerikane ‘Bechtel’, qeverisë shqiptare dhe qeverisë së SHBA-vë, puna për ndërtimin e kësaj vepre duket se kanë filluar.

Kjo i ka zemëruar shumë banorë të Dibrës që e kundërshtojnë hidrocentralin dhe i kërkojnë kandidatëve për kryebashkiakë të mbajnë qëndrim për të.

Elez Noka dhe Medi Toda janë banorë të fshatit Blliçe në Fushë-Alie. Ata tregojnë se HEC Skavica do iu përmbysë varret dhe tokat e për ta kjo është e pa pranueshme.

“Nuk besoj se do të jetë e banueshme kjo zonë se do të jetë mjegull dhe lagështirë. Më mirë të na mbys ne të gjallët se sa të mbys kockat e varreve,” thotë Elez Noka. Për ta ky projekt ka paqartësi dhe nuk iu është dhënë asnjë sqarim banorëve që mund të dëmtohen.

Noka thotë se kryetari i ri i bashkisë duhet të “prijë protestat” nëse populli është kundër. Për atë vetëm me protesta mund të ndalet ky projekt.

“Se në këtë rast, harroje se Skavica ndalohet ndryshe veçse me luftë. Populli në protestë. Po këta në Dibër sot kanë lënë pleqt e plakat. Në katër shtëpi, një banohet se tre të tjera janë braktisur. Këta e kanë shkatërruar jo pa qëllim nga 30 vite Dibrën,” tregon ai mes zemërimit dhe dëshpërimit.

Por ndër garuesit në zgjedhje, vetëm dy pranuan të tregonin qëndrimin mbi hidrocentralin. Premtim Kryemadhi, kandidat i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” thotë se nëse banorët do të jenë kundër ndërtimit të Skavicës, ai si kryetar bashkie do të jetë në ballë të protestave.

“Protestat do të kenë në ballë Premtim Kryemadhin, nesër kryetar bashkie, nëse dibranët nuk e mbështesin projektin e HEC Skavicës,” tha ai.

Njësoj edhe kandidati i LRE, Dritan Torba deklaroi se është kundër ndërtimit të HEC Skavicës. “Nëse një komunitet është kundër, kryetari duhet të jetë i pari që i mbështet,” tha ai.

Por Hysen Uka – i aktivizuar në nisma të ndryshme publike në Dibër dhe që e mbështet ndërtimin e HEC-it, thekson se deklaratat e dy kandidatëve janë deklarime për peshkim të votave.

Sipas Ukës dalja e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kandidatit të Shtëpisë së Lirisë kundër këtij projekti, bëhet për “peshkim të votave”. “Sfida e tij nuk është nëse fiton apo jo, por për revansh ndal Lulzim Bashës. Janë llogari elektorale dhe ai e din se sa përfiton nga kjo. Në datë 7 mars 2022, Sali Berisha nuk do të merret më me këtë punë,” shprehet Uka dhe këmbëngul se Berisha më herët e kishte cilësuar projektin si një “ëndërr në sirtar”.

Uka thotë se projekti i HEC-it krijon mundësi për një paketë investimesh strategjike që mund të realizohen paralel me punimet për ndërtimin e tij.

Por Ramadan Perseku, banor në fshatin Kastriot, tha ndërsa kulloste delet pranë rrugës se do humbiste gjysmën e tokës së tij nga ndërtimi i hidrocentralit dhe nuk sheh ndonjë përfitim prej tij.

Perseku mendon se përtej debatit politik plani nuk mund të ndalohet.  Teksa dredh duhanin në duart e “vrara” nga puna, ai thekson historia e Skavicës i duket “kafe e pirë” – ironi që tregon se një fejesë është kryer.

Perseku mendon njësoj edhe për zgjedhjet. Ai thotë se ka votuar PD-në më parë, por këtë herë me gjasë nuk do të shkojë të votojë.

“Vetëm rrena, rrena. Këtij mileti i kanë dhënë për të ngrënë me lugë bosh”, tha ai dhe shtoi se për shkak të ndarjes së PD-së, në Dibër do të fitoj kandidati socialist./birn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *