KryesoreLajme

Zbardhet dosja/ Vlora Hyseni informonte Agasin për takimet me Edi Ramën: S’do rri më shumë se një orë

Një pajisje e gjetur në makinën e Ergys Agasit në momentin e arrestimit, si dhe disa materiale të zbuluara në automjetin luksoz që kishte fshehur në një garazh në Equos Resort, tradhtuan ish-shefen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila akuzohet nga SPAK për përkrahje të autorit të krimit, si dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore dhe ndaj saj janë caktuar dy masa: arrest shtëpiak dhe pezullim nga ushtrimi i funksionit.

Nga këqyrja e pajisjeve janë zbuluar qindra mesazhe të shkëmbyera mes tyre, ku ndër të tjera janë dërguar edhe materiale sekrete. Hyseni i drejtohet Agasit si “zemër” dhe thotë se do të përfundojnë keq, duke qenë e ndërgjegjshme, mesa duket, për fatin që e priste.

Hyseni është përpjekur ta justifikojë këtë marrëdhënie me Agasin teksa është pyetur në SPAK, duke e cilësuar atë si bashkëpunëtor, por SPAK thotë se alibia e saj nuk qëndron.

Ergys Agasi, ndërkohë, drejtonte, sipas SPAK, një grup kriminal që manipulonte tenderat e AKSHI-t në bashkëpunim me Mirlinda Karçanajn, ish-drejtuese e institucionit, e Hava Delibashin, ish-zv.drejtoreshë.

Hyseni ndodhej në Baku kur u firmos urdhri i arrestit shtëpiak dhe u kthye përmes Kosovës mbrëmjen e së martës. Ajo pritet të dalë përpara Gjykatës së Posaçme për masë sigurie të enjten.

Pjesë nga dosja hetimore:

Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se më datë 20.07.2026, në ambientet e “Equos Resort” Tiranë, u sekuestrua mjeti me targë GG444AA, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi. Brenda tij, me procesverbalin e datës 22.07.2026, u sekuestruan, ndër të tjera, 9 (nëntë) printime me letër formati të madh, në të cilat paraqiten diagrame me të dhëna të ngjashme me të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, vetë Ergy Agasi ka pranuar se mjeti ishte i tij dhe se i kishte lënë këto sende me qëllim që t’i gjendin organet Prokurorisë së Posaçme.

Më datë 18.09.2026, e pyetur në cilësinë e personit që dijeni për veprën penale, shtetasja Vlora Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Ergys Agasin deri në ditën e arrestit të tij, ka deklaruar se ai i ka ofruar “bashkëpunim”, ka mohuar takime fizike apo faktin që Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit, dhe është zotuar të kthejë përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, mbi origjinën e diagrameve të sekuestruara.

Lexo më shumë  Vlora Hyseni e njoftoi Agasin se Drejtori i Policisë, Skënder Hita e ka thirrur në takim të posaçëm: "Të shpresojmë që ka porosit kryeministri”

Ashtu sikurse rezulton nga bisedat e mësipërme, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e “bashkëpunëtorit”, por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë.

Në këtë pikë duhet të theksohet se komunikimi i Kreut të SHISH, shtetases Vlora Hyseni, me personin nën hetim Ergys Agasi, deri në atë kohë dhe në kërkim nga drejtësia, është periodik, i përditshëm, dhe i tejzgjatur në kohë, bisedë duke përfshirë jo vetëm telefonata të thjeshta, voice call, por edhe telefonata me video, video call, dhe dërgim e marrje fotosh e videosh, gjë që rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i shtetases Hyseni. Në total, për periudhën 28.06.2026 deri më 26.08.2026, data e arrestimit të shtetasit Ergys Agasi, nëpërmjet aplikacionit “Signal”, janë regjistruar në total thirrje voice and video call: thirrje hyrëse Vlora-Ergys, incoming call, 70 thirrje; thirrje dalëse Ergys-Vlora, outgoing call, 17; të humbura, missed call, 28; thirrje pa përgjigje, unanswered calls, Ergys nuk i përgjigjet Vlorës, 25; thirrje dhe thirrje të refuzuara, declined calls.

Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi, calls, voice, video calls, messages, chat messages, ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar.

Për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.

Nga përmbajtja e komunikimeve mes tyre rezulton ekzistenca e një lidhjeje personale dhe e vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë kohës kur shtetasi Ergys Agasi ka qenë i shpallur në kërkim nga drejtësia. Në disa prej komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni identifikohet drejtpërdrejt me interesat e Ergys Agasit kundrejt organeve të drejtësisë që po e ndiqnin penalisht, duke përdorur shprehje si:

“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë.”; “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot.”

“Të gjithë ne.”

“Do përfundojmë keq, shpirt.”

Këto komunikime, të vlerësuara në tërësinë dhe në kronologjinë e tyre, tregojnë jo thjesht një lidhje personale, por identifikimin e shtetases Vlora Hyseni me qëndrimin dhe interesat e personit nën hetim ndaj procedimit penal që zhvillohej kundër tij, si dhe gatishmërinë e saj për t’i qëndruar pranë e për ta ndihmuar gjatë kohës që ai ishte në kërkim, duke vënë kështu në dispozicion cilësinë e saj zyrtare dhe kapacitetet institucionale që drejton. Në këtë linjë veprimi ajo shpreh jo vetëm solidaritet, por edhe gatishmërinë për ta ndihmuar. Në një bisedë mes tyre, para arrestimit së shtetasit Ergys Agasi, ajo i shkruan këtë mesazh: “Zemër thjesht duhet te koncentrohemi te halli jot… Të gjithë ne”.

Lexo më shumë  Ushtaraku i FSK-së, Ismail Ahmeti siguron vendin e dytë në Iowa

Shtetasja Vlora Hyseni nga numri ********** i dërgon mesazhin “Cfare na bene o Zor”. Po kështu në vijim të komunikimeve, në shkelje të rëndë të detyrës, Vlora Hyseni, tregon se do të takohet me Kryeministrin dhe sa kohë do rrijnë tek ai “Po me presin me shku te km…. Jo mo zemer une nje ore nuk rri me shume me ate”. Më datë 24.08.2026 “Neser duhet ta takoj km ne 830”. Në mesazhet vijuese shtetasja Vlora Hyseni, i jep informacion edhe për itinerarin, natyrën e takimit dhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët do takohet; “Me doli nje takim urgent… Me sauditet… Kthehem neser ne ks prape”. Përpjekjet e drejtueses së SHISH Vlora Hyseni për të ndihmuar personin nën hetim Ergys Agasi edhe në instanca të tjera pasqyrohen edhe në mesazhin e datës 19.08.2026 ku e informon se; “Skenderi me thirri me u taku te henen …(Skender Hita Drejtori i Përgjithshëm i Policisë)… Te shpresoj qe ka porosit km….”

Solidarizimi me personin në kërkim Ergys Agasi pasqyrohet edhe në mesazhet e datës 22.08.2026 ku Vlora Hyseni i shkruan; “Sa sh gjera na Kane bere ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt Kjo eshte nje situate qe do ja hedhim… Problemi eshte koha… Sa konsistenc kemi….”

Në vijim të komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni ndan dhe informacion paraprak duke i shkruar personit nën hetim Ergys Agasi; “Taulant Balla kryetar kuvendi…. Keshtu Jane infot… Bela me Taon shoku” (nënkuptohet deputeti Taulant Balla dhe deputetja Belinda Balluku).

YouTube player