Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga
Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiq ka futur në listën e saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit disa prej figurave të Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojislav Sheshelit, përfshirë nënkryetaren e radikalëve, Vjerica Radetën, ndaj së cilës vazhdon të jetë në fuqi urdhër-arresti i Mekanizmit të Mbetur të Tribunalit të Hagës.
Bashkëpunimi mes SNS-së dhe SRS-së, dy parti që kanë pasur dallime të theksuara politike, shënon një zhvillim të ri në skenën politike serbe. Kjo është hera e parë që ato paraqiten së bashku në një listë për zgjedhjet parlamentare që nga themelimi i SNS-së në vitin 2008.
Në listën e SNS-së është përfshirë edhe Aleksandar Sheshel, djali i themeluesit dhe liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel.
Për Marko Milosavljeviqin nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), kjo aleancë përbën “një fyerje për viktimat e Vojislav Sheshelit”.
Radeta në listën e SNS-së, ndërsa Haga kërkon dorëzimin e saj
Vjerica Radeta është renditur në vendin e 61-të në listën e kandidatëve të SNS-së.
Ajo dhe bashkëpartiaku i saj Petar Jojiq janë në një proces të Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Tribunalet Penale, në lidhje me akuzat për shpërfillje të gjykatës dhe ndërhyrje ndaj dëshmitarëve në procesin kundër Vojislav Sheshelit.
Mekanizmi ka lëshuar urdhër-arreste dhe ka kërkuar transferimin e tyre në Hagë. Serbia deri më tani nuk i ka dorëzuar Radetën dhe Jojiqin, duke argumentuar se ligji serb për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës nuk parashikon ekstradimin e personave të akuzuar për shpërfillje të gjykatës.
Gjykatat e Mekanizmit e kanë kundërshtuar këtë interpretim dhe urdhrat për arrestimin dhe transferimin e tyre mbeten në fuqi.
Pavarësisht kësaj, Radeta tani është pjesë e listës së SNS-së për deputetë.
Nga ndarja e Sheshelit te lista e përbashkët me Vuçiqin
SNS-ja u krijua në vitin 2008 nga një grup ish-anëtarësh të Partisë Radikale të Sheshelit, mes tyre edhe Aleksandar Vuçiq dhe Tomislav Nikoliq.
Për vite me radhë, SNS dhe SRS kanë bashkëpunuar në nivel lokal, por në zgjedhjet parlamentare kanë garuar ndaras.
Në vitin 2023, SRS mori rreth 55 mijë vota, ose 1.50 për qind, duke mbetur nën pragun zgjedhor prej tre për qind. Një rezultat të pamjaftueshëm për të hyrë në Kuvend kishte marrë edhe në zgjedhjet e vitit 2022, kur fitoi rreth 82 mijë vota, ose 2.22 për qind.
Në fillim të shtatorit, SRS njoftoi se do të garonte në listën “Serbia e Bashkuar” dhe do të mbështeste Vuçiqin për postin e kryeministrit.
Kryetari i SNS-së, Milosh Vuçeviq, e cilësoi bashkëpunimin si “mbledhjen e të gjitha forcave patriotike dhe atdhetare në një listë”.
“Nuk shoh shumë kuptim në këtë veprim”.
Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dushan Vuçiçeviq, vlerëson se përfshirja e radikalëve nuk do t’i sjellë domosdoshmërisht SNS-së një numër të madh votash.
“Radikalët janë vendosur për një parti që nuk ka shumë ndikim dhe që praktikisht nuk mund ta kalojë pragun e votimit vetë. Nga kjo perspektivë, nuk shoh shumë kuptim në këtë veprim”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, bashkëpunimi mund të lidhet edhe me nevojën e SNS-së për të përfshirë figura të ndryshme në listën e saj zgjedhore.
Vuçiçeviq ka përmendur edhe faktin se në qeveritë e mëparshme kanë qenë të pranishme figura me qëndrime të afërta me Moskën, përfshirë Aleksandar Vulinin.
Ai vlerëson se prania e figurave të tilla nuk nënkupton automatikisht ndryshim formal të politikës së Serbisë ndaj Bashkimit Evropian.
YIHR: Radikalët po shpërblehen
Milosavljeviq nga YIHR e sheh bashkëpunimin e SNS-së me radikalët në një kontekst më të gjerë politik.
Ai e lidh përfshirjen e SRS-së në listën e SNS-së edhe me valën e glorifikimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, Ratko Mlladiq, gjatë funeralit të tij në Beograd.
“Kandidatura e Vjerica Radetës dhe aleanca e radikalëve me SNS-në do të thotë që Partia Radikale Serbe është shpërblyer për gjuhën e urrejtjes kundër kundërshtarëve politikë të regjimit”, ka deklaruar Milosavljeviq.
Ai ka ngritur edhe pyetje për statusin e një tjetër çështjeje kundër Sheshelit dhe katër anëtarëve të SRS-së, e cila i është transferuar Serbisë nga Mekanizmi i Mbetur.
Radikalët, pro-rusë dhe kundër negociatave me BE-në
SRS-ja sot mban qëndrime të hapura pro-ruse dhe kundërshton vazhdimin e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian.
Kjo qëndron në kontrast me politikën zyrtare të SNS-së, e cila vazhdon të deklarojë se integrimi evropian mbetet objektiv i Serbisë.
Serbia mori statusin kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2012 dhe deri më tani ka hapur 22 nga 35 kapitujt negociues, ndërsa dy janë mbyllur përkohësisht.
Megjithatë, përfshirja e figurave të SRS-së në listën e partisë në pushtet e vendos këtë bashkëpunim në qendër të debatit mbi orientimin politik të SNS-së dhe marrëdhëniet e saj me forcat nacionaliste e pro-ruse në Serbi.
Edhe krahu nacionalist në listat e tjera
Figura të njohura të krahut nacionalist janë të pranishme edhe në lista të tjera zgjedhore.
Në listën “E Djathta Autentike”, të udhëhequr nga Partia e Re Demokratike e Serbisë, është Aleksandar Paviq, i cili ka kundërshtuar përcaktimin gjyqësor të masakrës së Srebrenicës si gjenocid dhe ka mbështetur marrëdhënie më të afërta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
Në të njëjtën listë është edhe historiani Bojan Dimitrijeviq, autor i një libri për Ratko Mlladiqin, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte.
Ndërkohë, në “Listën e Studentëve” kandidon avokati Fedja Dimoviq, anëtar i grupit muzikor Beogradski sindikat, i cili në të kaluarën ka marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga lëvizja e djathtë Dveri.
Përfshirja e radikalëve të Sheshelit në listën e SNS-së, dhe veçanërisht kandidatura e Vjerica Radetës, e cila vazhdon të jetë subjekt i procedurave para Mekanizmit të Mbetur në Hagë, e vendos këtë bashkëpunim në mesin e zhvillimeve më të debatueshme të garës për zgjedhjet e 25 tetorit./The GeoPost
Rruga Press

