Britania po përgatit veteranët usharakë për luftë
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe u ka kërkuar rezervistëve ushtarakë të përgatiten për mundësinë e thirrjes në shërbim në rast lufte.
Gazeta “The Telegraph” zbulon se, për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, rreth 100 mijë rezervistëve strategjikë u janë dërguar letra, përmes të cilave u ofrohet mundësia të regjistrohen vullnetarisht për trajnime dhe stërvitje ushtarake. Mes tyre është edhe stërvitja kryesore e NATO-s, “Steadfast, Defender”, e planifikuar për pranverën e ardhshme, sipas burimeve të gazetës.
Letrat u janë dërguar të tria degëve të Forcave të Armatosura dhe janë nënshkruar nga drejtuesit përkatës. Në to, rezervistëve u kërkohet gjithashtu të përditësojnë të dhënat e kontaktit dhe të japin informacione për punën që bëjnë aktualisht dhe aftësitë e tyre profesionale.
Kjo nismë vjen në një kohë kur kërcënimet nga Rusia po shtohen, ndërsa Vladimir Putini kërkon të testojë vendosmërinë e NATO-s.
Javën e kaluar, Rusia ka lëshuar raketa cruz dhe një dron drejt lindjes së Polonisë, më shumë se 95km larg vendit ku po zhvillohej një stërvitje ushtarake e udhëhequr nga Britania. Në ditën e incidentit, ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Forcave Ajrore britanike kishin vizituar trupat pjesëmarrëse në stërvitje.
Të mërkurën është raportuar gjithashtu se Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) po zhvendosnin avionët në hangarë gjatë natës dhe po planifikonin ndërtimin e rrjetave kundër dronëve, për të mbrojtur avionët në bazat ushtarake britanike nga sulmet e mundshme me dronë.
Ministri i Mbrojtjes, Wes Streeting, kishte paralajmëruar më herët se Britania duhet të jetë e gatshme për luftë brenda 1.000 ditësh dhe se vendi duhet të jetë “i përgatitur, së bashku me aleatët tanë, për të luftuar dhe për të fituar”.
Duke folur për Sky News të enjten në mëngjes, Streeting ka thënë se Britania po “vepron në një mjedis me nivel të shtuar kërcënimi”, ndërsa kontaktimin e rezervistëve e cilësoi si një “masë paraprake të arsyeshme dhe të domosdoshme”.
Streeting ndodhej në Poloni të premten, kur raketat ruse goditën një zonë pranë vendit ku po zhvillonin stërvitje trupat britanike.
Sipas informacioneve të “The Telegraph”, qeveria britanike synon të krijojë një kapacitet më të madh dhe më të qëndrueshëm për përballimin e krizave, ndërsa po e shqyrton më seriozisht Nenin 3 të NATO-s.
Ky nen u kërkon vendeve anëtare të “ruajnë dhe zhvillojnë kapacitetet e tyre individuale dhe kolektive për t’i rezistuar një sulmi të armatosur”.
Ushtria britanike aktualisht është në nivelin më të ulët të personelit që nga Luftërat Napoleonike, me rreth 73 mijë ushtarë në shërbim aktiv.
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se letrat u janë dërguar ish-ushtarakëve, duke e cilësuar këtë si një “hap praktik për forcimin e gatishmërisë dhe parandalimit, duke ndihmuar në uljen e rrezikut të konfliktit”.
Ato u janë dërguar rezervistëve strategjikë, pra ish-ushtarakëve që janë larguar së fundmi nga shërbimi, por që ende kanë detyrimin të rikthehen në ushtri në rrethana të jashtëzakonshme. Këta dallojnë nga qytetarët e zakonshëm që regjistrohen vullnetarisht si rezervistë.
Një burim nga ushtria britanike ka thënë se letrat synojnë përmirësimin e “të dhënave dhe informacioneve” për ish-personelin ushtarak.
“Vetëm pse dikur ke qenë drejtues i një tanku në ushtri, nuk do të thotë se aftësitë që ke fituar në jetën civile janë të njëjta. Ato mund të jenë krejtësisht të ndryshme dhe, në fakt, shumë më të dobishme për mbrojtjen”, ka thënë burimi.
Burimi ka shtuar se askush nuk po sugjeron që rezervistët do të mobilizohen papritur, por ka theksuar se “do të ishte e papërgjegjshme të mos kishim një bazë të dhënash dhe mundësi për t’i kontaktuar”.
“Nëse do të lindte ndonjëherë nevoja, ka shumë gjëra që aktualisht nuk janë më në gjendjen e duhur.
Faza e parë është të përcaktojmë se kush janë, ku ndodhen dhe çfarë aftësish kanë”, ka shtuar ai.
“The Telegraph” kishte raportuar më herët se, gjatë kohës kur Lord Sanders ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ai i kishte thënë qeverisë se Britanisë do t’i duhej të “mobilizonte gjithë kombin” për të përballuar një luftë me Rusinë, pasi ushtria britanike ishte shumë e vogël.
Vitin e kaluar, rishikimi strategjik i mbrojtjes i qeverisë ka theksuar nevojën që çdo pjesë e shoqërisë të luajë rol në mbrojtjen e vendit.
Në dokument rekomandohej gjithashtu riaktivizimi i bashkëpunimit me Rezervën Strategjike, në mënyrë që, nëse do të ishte e nevojshme, të shfrytëzoheshin aftësitë dhe përvoja e ish-ushtarakëve.
Qeveria ka hapur edhe një seksion të ri në faqen e saj zyrtare, ku qytetarët mund të informohen më shumë për Rezervën Strategjike dhe çfarë nënkupton kjo për ta, familjet e tyre apo punëdhënësit.
Rruga Press

