Bota

Zaharieva: Bullgaria nuk e njeh gjuhën maqedonase, ajo pranohet vetëm si dialekt i gjuhës bullgare

Ish-shefja e diplomacisë bullgare dhe deputetja e partisë GERB, Ekaterina Zaharieva ka deklaruar se diplomacia bullgare ne raport me çështjen e Maqedonisë së Veriut ka vepruar në mënyrën e duhur dhe nuk ka bërë gabime.

“Diplomacia bullgare nuk gaboi. Në vitin 2017, qeveria jonë e ngriti temën e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe kjo ishte hera e parë që ndodhi në Sofje. Nënshkrimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë ishte një moment historik dhe jo rastësisht të gjithë i referohen kësaj”, tha ish-shefja e diplomacisë bullgare Ekaterina Zaharieva.

Sipas saj, qeveria e Kiril Petkovit humbi shumë kohë duke bërë një politikë të jashtme të dyfishtë.

Nëse do të kishin punuar me një zë, çështja e propozimit francez mund të ishte zgjidhur dy muaj më parë”, beson Zaharieva në deklaratën e saj për “BNT”.

Zaharieva theksoi se nuk bëhet fjalë për njohjen e gjuhës maqedonase nga Bullgaria, dhe formula gjuhësore tashmë është në deklaratën e vitit 1999, e riafirmuar me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë.

“Gjuha maqedonase ka dallime të vogla, mirëpo asesi Bullgaria nuk ndryshon qëndrim se ajo gjuhë është dialektikë e gjuhës sonë”, theksoi Zaharieva.

Deklaratat do të jenë pjesë e të gjithë paketës. Nuk mund t’i detyrojmë 26 vendet e tjera të BE-së të mendojnë si Bullgaria, se nuk ka gjuhë maqedonase”, përfundoi Zaharieva.

Çfarë përmban propozimi francez?

Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Lexo më shumë  Amnesty International: Ushtria izraelite po kryen krime lufte në Gaza me armatim amerikan

1-Në pikën e parë të propozimit francez, thuhet se Këshilli Europian mirëpret vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe për të ofruar rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.

2- Pika e dytë e propozimit francez thekson se mirëpritet marrëveshja për protokollin e takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, të cilat mbeten elemente thelbësore në procesin e zgjerimit, si dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit.

3- Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”. Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

4- Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”. Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Lexo më shumë  Paralajmëron Macron: Evropa mund të vdesë

5- Pika e pestë e propozimit francez thotë se Këshilli vendosi të miratojë Kornizën e Negocimit për të mbajtur konferencën politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për të paraqitur hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit.

6- Pika e 6-të e këtij plani parashikon që “Për të përfunduar këtë fazë të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Këshilli gjithashtu vendos të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me qëllim që të prezantojë Kornizën Negociuese dhe gjendjen aktuale të punëve përgatitore të kryera nga Komisioni dhe është gati ta mbajë pa vonesa të mëtejshme ose vendime të mëtejshme politike, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë angazhimin e saj për amendamentet kushtetuese të sipërpërmendura, në përputhje me procedurat e brendshme të saj.

7- Në fund të propozimit, thuhet se Komisioni Europian do të vlerësojë shkallën e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha të caktuara dhe të identifikojë çështjet që ka të ngjarë të shfaqen në negociata.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *