EditorialKryesore

Vuçiq heq gëzofin – tregon fytyrën prej ujkut

Dy modelet që do të mund të aplikoheshin në përmbyllje të dialogut Kosovë-Serbi ndërkohë janë: ai i Këshillit të Përbashkët të Bashkive në Kroaci dhe Asociacioni i Votuesve të Shleswigut të Jugut (i minoritetit danez) në Gjermani.

Nga Sadri Ramabaja

Prishtinë, 8 mars 2023 – Vetëm pak ditë pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, me ç’rast dyshja e diplomatëve të BE-së në cilësinë e ndërmjetësuesve, Josep Borrel e Aleksandar Lajçak, njoftuan për arritjen e një marrëveshjeje të propozuar nga BE-ja, për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën edhe e publikuan për herë të parë, vjen reagimi ogurzi i Beogradit.
“Unë nuk e nënshkruaj planin e zbatimit”, pohoi me forcë presidenti serb dje për mediat vendore.

Kjo marrëveshje, bazuar në reagimet e personaliteteve të komunitetit ndërkombtëar nga bota e demokracive liberale, u përshëndet njëzëri dhe u cilësua si një arritur e mirë që garanton paqën në rajon.
Sipas planit europian, neneve të para të tij (2,3,4 dhe 5), parashihet që të dy vendet të aplikojnë në praktikë marrëdhënie të mira fqinjësore, t’i njohin dokumentet zyrtare dhe simbolet kombëtare të njëri-tjetrit, ndërkaq obligon Beogradin të mos e pengojë Kosovën të kërkojë anëtarësimin në BE dhe Kombet e Bashkuara.

Diplomacia perendimore reagoi pozitivisht e në unison, duke përshëndetur liderin serb Aleksandër Vuçiq  dhe kryeminsitrin e Republikës sonë, Albin Kurti, për dakordimin me marrëveshjen dhe gadishmërinë e tyre për hapjen e rrugës për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.


Kancelari gjerman Olaf Scholz, tha të martën, fill pas një takimi me kryeministrin shqiptar Edi Rama, në Berlin, se ai “pret rezultate të shpejta të marrëveshjes për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të martën, pas takimit që pati me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, hapat e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cilësoi si “një mundësi historike për paqe”, raporton Anadolu.

Por derisa diplomacia perendimore ishin të bindur se marrëveshja do të nënshkruhej në takimin e radhës, të paralajmruar të mbahet në Ohër më 18 mars, meqë dy liderët janë deklaruar se “nuk nevojiteshin diskutime të mëtejshme” për tekstin e propozuar nga BE, Vuçiç shpërfaq qëndrimin e tij që, duket se Borrel e Lajçak ishin munduar kot ta kamuflonin më 27 shkurt, duke insistuar të  mos e bënin Serbinë përgjegjëse për dështimin e planit që më 27 shkurt dhe duke I dhënë edhe një mundësi shtesë për rishikim të qëndrimit.
Pavarësisht kësaj, presidenti serb, me qëndrimin e tij sikur pretendon t’na rikthejë tek Konferenca e Rambujesë.

“Ne jemi gati të negociojmë planin e zbatimit, por unë nuk do ta nënshkruaj këtë”, u shpreh shqeto Vuçiqi për mediat lokale këtë të martë që lamë pas.

Lexo më shumë  BE: Serbia shkeli marrëveshjen për liri të lëvizjes, t’i lirojë menjëherë qytetarët e Kosovës

“Kjo është ajo që i thashë [presidentit francez] Macron dhe [kancelarit gjerman] Scholz në Mynih, dhe të gjithë liderëve të mëdhenj… nuk mund të flasim për njohje reciproke dhe hyrjen e Kosovës në OKB”, potencoi ai pa fshehur mllefin që ndjen ndaj diplomacisë perendimore.

Ndërkaq duke hequr plotësisht masën prej qengji, foli me gjuhën reale të ujkut.

“Përderisa të jem president, nuk do të nënshkruaj apo pranoj as njohjen formale apo joformale të anëtarësimit të Kosovës në  BE apo në Kombet e Bashkuara”, u shpreh ai plot mllef para audiencës lokale.

***

Konform marrëveshjes së dakorduar dhe të publikuar në Bruksel më 27 shkurt, për herë të parë, vihet re se diploamcia e BE-së ka respektuar simetrinë dhe raportin e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë si dy palë të barabarta. Ky fakt dëshmohet përmes neneve të para të kësaj marrëveshje, të cilët i referohen Kartës së OKB-së dhe potencohet se palët “angazhohen të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së”, që ndërlidhen me barazinë mes shteteve dhe sovranitetin e tyre, respektimin e pavarësisë, integritetit territorial të tyre dhe të drejtën për vetëvendosje.

Ndërkaq në nenin 7-të të kësaj marrëveshje të dakorduar nënvizohet se: “Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.”

Sidoqoftë kjo çështje duket se ka ngelur të definohet në detaje në planin e zbatimit.

Insistimi i palës serbe (Beogradit) që kjo strukturë të fitojë ingirencat e një pushteti paralel me fuqi ekzekutive, është vetë thembra e Akilit.
Pala kosovare asesi nuk do të lejojë që të përsëritet rasti i Republikës Srbska (Bosnjë). Për këtë ka për bazë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe mbështetjen e deklaruar tashmë të një lagjeje diplomatësh perendimor.

***

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin përkatës ka rrëzuar pothuajse në tërësi marrëveshjen e arritur më 2015 që I referohej Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe dhe ka përcaktuar “linjat e kuqe” dhe ka sugjeruar “hapësirën e veprimit”  për qeverinë, që duhet të jetë krejtësisht në përputhje me frymën kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi, duke marrë në konsideratë shembujt e mirë në plan europian, që përjashtojnë “territorializimin e të drejtave” dhe mundësinë e shndërrimit të saj në bombë me sahat.

Lexo më shumë  Deputeti ukrainas mbështet anëtarësimin e Kosovës më KiE, e thotë në shqip: Kosova është Evropë

Dy modelet që do të mund të aplikoheshin në rastin e përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi, megjithse de fakto Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Republikës i përplotësojnë në tërësi ato, e që ndërkohë do të mund të rishikoheshin, janë:

1. Këshilli i Përbashkët i Bashkive në Kroaci dhe
2. Asociacioni i Votuesve të Shleswigut të Jugut (i minoritetit danez) në Gjermani.

Këshilli i Përbashkët i Bashkive në Kroaci është një model që do të mund të mirrej në konsideratë, meqë ai është dëshmuar në praktikë se i ka siguruar pakicës serbe përfshirje dhe integrim në jetën politike.

Ndërkaq trajtimi i minriteteve në Gjermani, si ai për frizianët, sorbët e romët, e me  theks ai për danezët nga Schleswig-u Jugor, është dëshmuar se ju ka mundësuar të  gëzojnë mbrojtjen e pakicave kulturore si pakicë kombëtare sipas Konventës Kuadër Evropiane për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, e cila u ratifikua nga Gjermania në 1997.

Siç dihet nga dokumentet e ratifikuara Asociacionit  të Votuesve të Shleswigut të Jugut, e cila është përfaqësuese politike në parlamentin e shtetit Schleswig-Holstein, i është hequr pragu prej pesë për qind që vlenë për votuesit tjerë gjermanë.  Në rastin e minoritetit danez, marrëveshja parasheh edhe subvencionimin e aktiviteteve të danezëve nga që të dy palët (gjermane e daneze) për çështje gjuhësore dhe kulturore. Minoriteti danez në Schleswig-Holstein ka ndër të tjera shkolla dhe kopshte daneze, biblioteka, institucione kulturore dhe kisha. Ndërkaq kontaktet me Qeverinë Federale ekzistojnë nëpërmjet Komisionerit për Aussiedler dhe Pakicat Kombëtare.

Sipas Pakos së Ahtisarit këto të drejta tashmë janë të garantuar për minoritetin serb, madje edhe të tejkaluara. Mitrovica e Veriut si Komunë është e privilegjuar edhe me të drejtën për një Universitet në gjuhën serbe për minoritetin serb.

***

Insistimi i Beogradit që t’i rikthehet marrëveshjes së vitit 2015, duke imponuar krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, flet se pala serbe nuk është e interesuar të nënshkrauj marrëveshjen e dakorduar më 27 shurt në Bruksel.

Qëndrimi i Beogradit gjithçka tjetër mund të cilësohet, por asesi jo si “qasje konstruktive”.

Diplomacia europiane duket se po vazhdon me trajtimin ekstra të Serbisë edhe si rezultat i faktit se ende nuk ka arritur ta  kuptojnë bindshëm se ka ardhur koha që t’i jipet fundi qëndrimit kolonialist të Serbisë në raport me Kosovën. Ky pozicion që Beogradi deklamon në raport me këtë marrëveshje ndërkohë,  nuk cenon vetëm sigurinë rajonale, por ai  vë në pikëpyetje edhe sigurinë europiane. Rasti i Ukrainës vetëm sa e verifikon këtë fakt.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *