KryesoreLajme

Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq shfrytëzuan Bosnjën për t’u larguar nga Serbia

Ndalimi i hyrjes në Bosnjë e Hercegovinë për Milan Radoiçiqin dhe vëllezërit Zvonko e Zharko Veselinoviq ka rikthyer në vëmendje dobësitë e sistemit të sigurisë në këtë shtet, por edhe lidhjet politike dhe të biznesit që mundësojnë lëvizjen e personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale në rajon.

Sipas një analize të Deutsche Welles (DW), rasti i tre personave të lidhur me veriun e Kosovës ka nxjerrë në pah jo vetëm problemet me kontrollin e kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës, por edhe bllokadat politike brenda institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës.

Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjë e Hercegovinës (OSA) ka vendosur t’ua ndalojë hyrjen në vend Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq, me arsyetimin se përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Vendimi erdhi pasi rrjeti hulumtues serb KRIK publikoi se Zvonko Veselinoviq kishte udhëtuar nga Sarajeva drejt Stambollit në Turqi gjatë këtij muaji.

Rasti ka ngritur pikëpyetje se si persona që janë subjekt i hetimeve, kërkimeve policore apo sanksioneve ndërkombëtare mund ta shfrytëzojnë territorin e Bosnjës si rrugë tranziti për t’u larguar nga Serbia.

Lidhjet me pushtetin në Republika Srpska

Drejtori i hulumtimeve në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP), Predrag Petroviq, vlerëson se Radoiçiqi dhe vëllezërit Veselinoviq nuk kanë qenë thjesht figura të fuqishme politike dhe biznesore në veriun e Kosovës, por pjesë e një sistemi më të gjerë të kontrollit informal, të cilin Partia Përparimtare Serbe (SNS) e ka mbajtur për vite me radhë në këtë zonë.

Sipas tij, roli i tyre kryesor ka qenë disiplinimi politik i popullatës serbe në veri të Kosovës.

“Veriu i Kosovës praktikisht ishte laborator për vendosjen e një modeli të kontrollit politik, i cili më vonë u zbatua edhe në gjithë Serbinë, përfshirë grupet e organizuara që me xhipa të zinj silleshin rreth vendvotimeve”, ka deklaruar Petroviq për DW.

Ai vlerëson se largimi i tyre nga Serbia në këtë periudhë nuk është i rastësishëm, por mund të lidhet me përpjekjen për t’iu shmangur përgjegjësisë së mundshme penale, në një kohë kur në Beograd kanë ndryshuar raportet politike dhe ekziston mundësia që prokuroria dhe policia të veprojnë më të pavarura.

Petroviq thotë se vëllezërit Veselinoviq e kanë shfrytëzuar Sarajevën si rrugë për t’u larguar drejt Stambollit, ndërsa për Radoiçiqin, sipas tij, ekzistojnë informacione të pakonfirmuara se është larguar drejt Rusisë.

Ai thekson se zgjedhja e Bosnjës nga vëllezërit Veselinoviq është veçanërisht domethënëse, duke pasur parasysh lidhjet e tyre politike dhe biznesore me Republika Srpska.

Sidoqoftë, Petroviq nënvizon se nuk ka prova që ndonjë përfaqësues i pushtetit në këtë entitet u ka ndihmuar atyre të largohen nga Serbia.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republika Srpska kanë mohuar raportimet se Radoiçiqi ndodhet në territorin e këtij entiteti dhe se gëzon mbrojtjen e institucioneve atje. Ata kanë theksuar se për kontrollin e kufirit shtetëror është përgjegjëse Policia Kufitare e Bosnjë e Hercegovinës.

Lexo më shumë  Prezantohet roboti pa pilot për FSK-në, “Made in Kosova”

Pse Bosnja mund të shërbejë si rrugë tranziti?

Një prej problemeve kryesore lidhet me statusin juridik të kërkesave të institucioneve të Kosovës në Bosnjë e Hercegovinë.

Për Radoiçiqin, autoritetet në Prishtinë kanë lëshuar fletarrestim për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë, ndërsa kërkimi është përcjellë në sistemin e Interpolit përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), pasi Kosova nuk është anëtare e kësaj organizate.

Meqë Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka marrëveshje për ndihmë juridike dhe ekstradim me të, zbatimi i këtyre kërkesave në sistemin e saj të sigurisë dhe drejtësisë mbetet i kufizuar dhe i ekspozuar ndaj ndikimeve politike.

Eksperti i sigurisë Safet Mushiq vlerëson se rasti nuk dëshmon domosdoshmërisht se kufiri është teknikisht i pakontrolluar, por se sistemi reagon vetëm kur ekziston një bazë formale për ndërhyrje.

Ai shpjegon se Policia Kufitare e Bosnjës lejon kalimin e personave për të cilët në bazat e të dhënave nuk figuron ndalim ose fletarrestim që shteti e njeh.

Sipas tij, Bosnja nuk ka detyrim ligjor që sanksionet e SHBA-së ose të Bashkimit Evropian t’i shndërrojë automatikisht në ndalime të hyrjes në territorin e saj.

“Personat që prej vitesh janë nën sanksione amerikane dhe fletarrestime të Kosovës, për këtë arsye kanë mundur të hyjnë lirshëm në Bosnjë, të qëndrojnë atje dhe të fluturojnë nga Sarajeva”, ka deklaruar Mushiq për DW.

Ai thekson se vendimet për ndalimin e hyrjes së shtetasve serbë në Bosnjë rrallë trajtohen vetëm si çështje profesionale të sigurisë, pasi ato shpesh shkaktojnë përplasje politike.

SNSD-ja kundërshtoi ndalimet edhe në rastin e Vulin-it

Sipas DW-së, përfshirja e politikës në vendimmarrjen e institucioneve të sigurisë është vërejtur edhe në raste të tjera.

Përfaqësuesit e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) të Milorad Dodikut kishin kundërshtuar më herët mundësinë e ndalimit të hyrjes në Bosnjë të ish-zëvendëskryeministrit të Serbisë dhe ish-drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin, i cili është gjithashtu nën sanksione amerikane.

Përplasje politike kishte shkaktuar edhe ndalimi i hyrjes së shkrimtarit rus Zahari Prilepin në vitin 2018. Ai ishte konsideruar kërcënim për sigurinë për shkak të pjesëmarrjes në formacione të armatosura proruse në Ukrainë.

Në atë kohë, udhëheqësit e SNSD-së kishin akuzuar agjencitë e sigurisë në Bosnjë për veprime arbitrare dhe krijimin e listave të personave të padëshiruar pa miratimin e përfaqësuesve serbë.

Mushiq thotë se presionet politike bëjnë që agjencitë e sigurisë të presin derisa një rast të bëhet publik, në mënyrë që vendimi i tyre të ketë legjitimitet më të madh dhe të mbrohen nga sulmet politike.

“Rezultati është një masë parandaluese që vjen në kohën kur nuk ka më kë të pengojë. Përderisa vlerësimet e sigurisë varen nga ajo se kush do të ndihet i fyer politikisht, Bosnja do të mbetet vend nëpër të cilin kalohet lehtë dhe nga i cili largohet edhe më lehtë”, ka deklaruar ai.

Lexo më shumë  Natasha Kandiq propozon Shaip Kamberin për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë

Mungesa e besimit ndërmjet institucioneve dhe kontrolli i kufirit

Për problemet e sistemit të sigurisë në Bosnjë ka folur edhe profesori i Universitetit të Banjallukës dhe kryetari i Qendrës Evropiane të Defendologjisë, Dushko Vejnoviq.

Ai vlerëson se mungesa e besimit ndërmjet agjencive policore dhe atyre të inteligjencës në Bosnjë shkakton shkëmbim selektiv të informatave, i cili, sipas tij, ndikohet jo vetëm nga përkatësia etnike, por kryesisht nga interesat politike dhe ekonomike.

“Përgjegjësia e dobët parlamentare mbi sektorin e sigurisë në Bosnjë krijon hapësirë në të cilën mund të fshihen individë dhe grupe me dosje kriminale, gjë që dëshmon mungesën e sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë së elitave politike”, ka thënë Vejnoviq.

Problemi, sipas ekspertëve, nuk përfundon me vendimet për ndalimin e hyrjes, pasi mbetet edhe çështja e zbatimit të tyre në terren.

Eksperti i sigurisë Vlladimir Vuçkoviq rikujton se kufiri i Bosnjë e Hercegovinës është rreth 1.600 kilometra i gjatë, ndërsa Policia Kufitare përballet me mungesë të vazhdueshme të personelit. Mbikëqyrjen e vështirësojnë edhe terreni i papërshtatshëm dhe numri i madh i pikëkalimeve ilegale.

Ai përmend edhe rastin e Zoran Galiqit, ish-drejtor i Policisë Kufitare të Bosnjës dhe zëvendësdrejtor i Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), i cili në korrik të vitit 2024 kishte kaluar ilegalisht kufirin dhe ishte larguar drejt Kroacisë, pak para arrestimit të paralajmëruar.

Ndryshimi i pushtetit në Serbi, test për bashkëpunimin rajonal

Përtej problemeve të brendshme të Bosnjës, analistët vlerësojnë se rastet e Radoiçiqit dhe vëllezërve Veselinoviq paraqesin edhe një test për bashkëpunimin e ardhshëm të institucioneve të sigurisë në Beograd dhe Sarajevë.

Predrag Petroviq nuk pret që bashkëpunimi policor dhe ai i inteligjencës ndërmjet dy vendeve të intensifikohet menjëherë, pavarësisht ndryshimit të raporteve politike në Serbi.

Sipas tij, policia, shërbimet e inteligjencës dhe prokuroria në Serbi ende po kalojnë një periudhë pasigurie, ndërsa një pjesë e strukturave drejtuese vazhdojnë të jenë të lidhura me sistemin e mëparshëm të pushtetit.

Ai dallon bashkëpunimin teknik për luftimin e kriminalitetit të zakonshëm ndërkufitar nga rastet që prekin rrjetet politike dhe kriminale në nivelet më të larta, për të cilat nevojitet vendosmëri e qartë politike.

“Pas formimit të qeverisë së re në Beograd dhe vendosjes së kontrollit real civil mbi aparatin e sigurisë, bashkëpunimi me Bosnjën duhet të jetë një prej prioriteteve. Është thelbësore që bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të mos varet nga lidhjet politike të të dyshuarve, por nga ligji”, ka deklaruar Petroviq.

Ai ka paralajmëruar se, në të kundërtën, kufijtë ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës do të vazhdojnë të jenë më të kalueshëm për rrjetet kriminale sesa për drejtësinë.

YouTube player