Lajme

VOA: Kosovë, themelohet Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thanë sot se agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë dhe masakrat ndaj civilëve, dëshmojnë edhe më shumë rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Këto komente u bënë në takimin e parë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, të themeluar më dekret të veçantë të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, nëpërmjet të cilit synohet bashkërendimi i veprimeve të institucioneve në këto fusha. Këshilli u themelua edhe si zotim i Kosovës që doli pjesëmarrja në Samitin e Demokracisë të organizuar në fundvitin e kaluar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

“Shtylla e parë, sundimi i ligjit dhe në veçanti lufta kundër korrupsionit, shtylla e dytë, luftimi i autoritarizmit dhe shtylla e tretë avancimi i të drejtave të njeriut, diversitetit dhe gjithëpërfshirjes me fokus në avancimin e të drejtave të grave barazisë gjinore”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Lexo më shumë  Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës: Duhet të nxisim kohezionin social për të parandaluar ekstremizmin

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se demokracia nuk është një gjendje por proces për të cilën, siç tha ai, duhet të punojnë të gjithë për ta mirëmbajtur dhe forcuar.

“Siç po e shohim dhe prej ngjarjeve të fundit në botë edhe prej invazionit të Rusisë mbi Ukrainën, demokracia nuk mund të qëndroj vet por ajo nevojitet që të ketë aleanca me demokracitë tjera për sa kohë që edhe në botë po e shohim që autokratët janë të lidhur më shumë se kurrë me njëri tjetrin”, tha zoti Konjufca.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bota ka nevojë për vende demokratike, të cilat në asnjë rrethanë nuk sulmojnë vendet tjera.

Lexo më shumë  Votimi në veri, Qeveria i kërkon BE-së largimin e masave sanksionuese

“Po të ishte Rusia një vend i mirëfilltë demokratik ajo kurrë nuk do të tentonte të pushtonte Ukrainën dhe po të ishte Serbia një vend demokratik as ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq të rrezikshëm ndaj paqes së qëndrueshme në rajonin tonë. Duke marr parasysh zhvillimet e fundit, përpjekjet e presidentit Biden për të promovuar vlera demokratike në mbarë botën ato janë më të rëndësishme se kurrë më parë, kudo e posaçërisht në rajonin tonë”, tha kryeministri Kurti.

Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut ka për qëllim përmbushjen e zotimeve të Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci, për forcimin e sundimit të ligjit, forcimin e demokracisë, forcimin e rolit të gruas si dhe çuarjen përpara të drejtave dhe lirive të njeriut.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *