KryesoreLajme

Vetëm 7 minuta Kuvend, opozita përplaset me Gardën PS miraton Buxhetin 2024! Mazhoranca në 4 javë bën “transparencë” me kartonë

Socialistët kanë axhendë aq të ngjeshur sa paraqiten në Kuvend vetëm për të miratuar ato projektligje që jo vetëm që nuk diskutohen, por kalohen pa asnjë lloj transparence për qytetarët.

Vetëm 7 minuta ka zgjatur seanca plenare këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë teksa prej javësh pritej të diskutohej për projektbuxhetin 2024. Teksa opozita përplasej me Gardën, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka vijuar me procesin e votimit, ku si rezultat u miratua Buxheti 2024, siç së fundmi është bërë traditë, pa u ndjerë shumë.

Faktikisht, mazhoranca ka qenë më e privilegjuara nga kaosi i shkaktuar në Kuvend nga opozita, pasi u mjafton vetëm të ngrënë kartonin, e jo më të përballen apo të rrahin idetë në seancën plenare, ashtu siç supozohet të vijojë Parlamenti. Nga grupimi i PD-së, së Lulzim Bashës kanë votuar kundër 4 deputetët Flutura Açka, Jakupllari, Bakiu dhe Ulliri. Më konkretisht, 4 projektligjet e Buxhetit 2024 u miratuan me 75 vota pro, i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili ndiqte kaosin e shkaktuar nga opozita në karriget e deputetëve.

Lexo më shumë  Në Shqipëri qytetarët paguajnë karburant të shtrenjtë me cilësi të dobët dhe çmim më të lartë

Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm 6 deputetë të opozitës, pasi u përjashtuan për 10 ditë për shkak të kaosit të krijuar në seancën e 4 dhjetorit. Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti nuk u lejuan të futeshin në seancë, pasi ata ishin protagonistët së radhës së kaluar, ku sabotuan punën duke ndezur flakadanë e flakë.

Prej pothuajse 4 javësh, Kuvendi është kthyer në hapësirë votimi të lirë të deputetëve të mazhorancës e ndërsa në arenë proteste për ata të opozitës. Socialistët kanë shfrytëzuar revoltën e opozitës për të miratuar me shpejtësi dhe pa u ndjerë projektligjet duke mos gjetur një zgjidhje për të vijuar me një seancë normale. Nga ana tjetër, qytetarët ndjekin me kërshëri këtë spektakël dy palësh të politikës vendase krejtësisht të painformuar se çfarë ligjesh votohen në parlament. Në këtë periudhë ku opozita kërkon të ngrihen 3 komisione Hetimore, socialistët kanë bërë transparent vetëm kartonët jeshilë për qytetarët. Gjatë muajit nëntor, janë zhvilluar 4 seanca, më e gjata prej tyre ishte 22 minuta. Në mandatin e tretë, socialistët nuk i shqetëson fakti se ligjet po kalojnë në një situatë kaotike ku askush nuk merr vesh asgjë.

Lexo më shumë  Kamala Harris: Nga drejtësia e politika, drejt historisë
YouTube player