KryesoreLajme

Trajkoviq: Bomba në veri, mesazh për serbët se mund t’u ndodhë si Ivanoviqit

Politikania serbe Rada Trajkoviq ka thënë se eksplodimi i së hënës në Mitrovicën e Veriut është mesazh për serbët në veri se mund të pësojnë njëjtë si Oliver Ivanoviqi, që u vra gjashtë vjet më parë.

Të hënën në mbrëmje, dy persona pësuan lëndime në Mitrovicë të Veriut si pasojë e një shpërthimi të një granate dore në afërsi të një hoteli.

“Ky në fakt është mesazhi”, ka thënë ajo duke shtuar se kur shteti nuk punon për sigurinë e qytetarëve dhe “i lejon pjesëmarrësit në organizimin e vrasjes së Ivanoviqit të dominojnë, ky lajm s’përbën befasi”. “Ky është mesazh, mbi të gjitha, për serbët e veriut të Kosovës: Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnikë, do të përfundoni si Oliveri”, ka shtuar Trajkoviq.

Në një intervistë për “N1”, Trajkoviq ka kujtuar se Milan Radoiçiqi e Zvonko Veselinoviq janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ka përsëritur se janë të lidhur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe si biznesmenë janë bërë milionerë. Radoiçiqi e Veselinoviqi janë të akuzuar për rastin e Ivanoviqit, e që ndodhen në arrati.

Në fund të dhjetorit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër të pandehurit M.M. për rastin e vrasjes së politikanit serb. Prokuroria ka njoftuar se aktakuza është ngritur për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”. Në rastin për vrasjen e Ivanoviqit, po gjykohen gjashtë persona, katër prej tyre ish-policë. Ata akuzohen se ndihmuan në forma të ndryshme në vrasjen e politikanit nga Mitrovica dhe se e dëmtuan procesin hetimor për zbardhjen e rastit. Të akuzuar të tjerë që ndodhen në arrati janë Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq e Zheljko Bojiq.

Lexo më shumë  Maqedonci publikon pamje të ushtrimeve që po kryen Komanda e Forcave Tokësore
YouTube player