Lajme

Ernest Koliqi kujtohet veç në rrjete sociale në përvjetorin e vdekjes

Në përvjetorin e vdekjes shkrimtari e kontribuuesi i arsimit në shqip të shqiptarëve, Ernest koliqi, është kujtuar vetëm në rrjete sociale. Këtë e ka bërë Muzeu Historik Kombëtar, siç vepron rëndom në përvjetorë të tillë.

Muzeu ka bërë një postim me biografinë e Koliqit. Aty shkruhet se ai më 15 janar 1975 u nda nga jeta pas një karriere si shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist e botues.

Ernest Koliqi lindi në qytetin e Shkodrës, ku ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë. U kthye në atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”. Sipas Muzeut, gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i Arsimit. Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe në universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës.

Lexo më shumë  Kryetari i Zveçanit Ilir Peci vendoset në objektin e Komunës

Ernest Koliqi është autor i veprave letrare si “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh” e të tjera.

“Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës. U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare. Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare”, shkruhet në postim.

Gjatë kohës kur jetoi Ernest Koliqi, historia kishte bërë që ai të përjetonte regjime të ndryshme në Shqipëri, përfshirë Mbretërinë Shqiptare, periudhën e pushtimit fashist e më pas do të ikte nga komunizmi. Kjo bëri që Koliqi të jetonte shumë edhe jashtë atdheut të tij. Por, nuk ndalej së krijuari dhe pos kësaj, edhe së promovuari kulturën shqiptare, përfshirë edhe vepra të personaliteteve që i takonin regjimit që ia kishte mundësuar qëndrimin në Shqipëri.

Në maj të vitit të kaluar, në kuadër të 120-vjetorit të lindjes së Koliqit, Bilioteka Kombëtare e Kosovës kishte hapur ekspozitën “Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes”. I lindur më 20 maj të vitit 1903 në Shkodër, Koliqi është një prej aseteve kulturore të shqiptarëve. Pos veprave të tij në poezi e prozë, revista që ka themeluar e udhëhequr bashkë me antologjitë që ka shkruar e bëjnë atë figurë poliedrike. Në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë, BKK-ja kishte ekspozuar të gjitha veprat që i posedon nga ky autor e edhe të tjera studimore që kanë në fokus krijimtarinë e Koliqit.

Lexo më shumë  Bulliqi dhe Aliu nënshkrujanë memorandum bashkëpunimi në vlerë mbi 1 milion euro

“Hija e maleve” , botim i vitit 1929, “Kushtrimi i Skanderbeut”, botim i vitit 1924 e “Tregtar flamujsh”, botim i vitit 1935, qenë midis veprave që zinin vend në ekspozitë, krahas revistave e antologjive. Përtej ekspozitës së hapur në orën letrare “Ora e Ernest Koliqit”, studiuesit e veprës së tij kanë paraqitur pikëpamjet për këtë autor. Agim Vinca, Albana Mehmetaj e Ndue Ukaj e kishin përshkruar Koliqin si një krijues intelektual e patriot.

Rruga Press

YouTube player