Lajme

Tkurret numri i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, dalin të dhënat e fundit: Përbëjnë 24.3% të popullsisë

Në Maqedoninë e Veriut, 24.3 për qind e popullsisë është shqiptare, bëri të ditur të mërkurën Enti Shtetëror i Statistikave.

Bazuar në rezultatet e regjistrimit të mbajtur nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1,836,713 banorë.

Sipas këtyre të dhënave, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente: 58.44 për qind e tyre janë deklaruar maqedonas, 3.84 për qind turq, 2.53 për qind janë nga komuniteti rom , 0.47 për qind janë vllehë, 1.3 për qind serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë.

Në bazë të të dhënave, nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.

Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën më 30 mars, publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente.

Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind si serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.

Lexo më shumë  Takimi me O’Brien, Kurti: Gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen ndaj Kosovës

Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo në rreth 9 për qind në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002.

“Regjistrimi i popullsisë u realizua me sukses. Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojnë regjistrim të popullsisë. Nëse më parë duheshin dy vjet për shpalljen e rezultateve, në këtë e bënë për gjashtë muaj, ashtu siç e kishim paraparë”, deklaroi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski.

Para kësaj, regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e kishte bërë në vitin 2002 dhe bazuar në të dhënat zyrtare, vendi atëherë numëronte 2 milionë banorë, prej tyre 25.17 për qind shqiptarë.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti në Gjermani: Kosova e vendosur për anëtarësim në NATO dhe BE

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur pas luftës së vitit 2001.

Me ndryshimet kushtetuese që ishin bërë në vitin 2002, të drejtat e shqiptarëve janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet.

Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe edhe pse nuk përmendet si e tillë.

Në bazë të këtij formulimi kushtetues, shqiptarëve u sigurohen edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.

Pikërisht, ky formulim kushtetues ka politizuar edhe regjistrimin duke bërë që ai të mos mbahej për 20 vjet./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *